1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Maqedonia në prag të zgjedhjeve lokale

Partitë politike në Maqedoni i kanë kompletuar listat e kandidatëve për kryetarë komunash për zgjedhjet lokale më 15 tetor. Për partitë politike shqiptare, këto zgjedhje shihen si një test i ri.

Subjektet politike shqiptare dhe maqedonase kanë vendosur që në zgjedhjet e pushtetit lokal të vendosin kandidatë të lartë partiakë, me qëllim që të sigurojnë fitore në sa më tepër komuna, kjo për shkak se në rezultatet e zgjedhjeve parlamentare ato pothuajse dolën të barabarta. "Për ne janë tejet të rëndësishme zgjedhjet lokale, pasi qytetarët drejtpërdrejt zgjedhin përfaqësuesit, të cilët në mënyrë të përditshme duhet të ofrojnë zgjidhje për hallet dhe kërkesat e qytetarëve që ata i përfaqësojnë. Kemi bërë përpjekje që të zgjedhim kandidatët, të cilët më së miri do të përfaqësojnë, artikulojnë e materializojnë interesat e qytetarëve që ata i përfaqësojnë”, deklaroi Arbër Ademi nga BDI.

VMRO-DMPNE - prioritet individit

Ndërsa partia VMRO-DPMNE gjithmonë i jep prioritet individit dhe reputacionit të tij në shoqëri. "VMRO DPMNE në zgjedhje lokale do të garojë me kandidatët e tyre ose të partive që tanimë janë në koalicion. VMRO nuk do të mbështesë e as nuk do të ketë asnjë kandidat të përbashkët të partive tjera jashtë koalicionit të tyre. Kandidaturat e përbashkëta kanë të bëjnë me mungesën e vetëbesimit”, vlerëson  Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.

Çdo proces zgjedhor mbi të gjitha është çështje e legjitimitetit të partive kundrejt elektoratit. "Për Lëvizjen BESA këto zgjedhje janë tejet të rëndësishme sepse janë zgjedhjet e para vendore. Kjo do të jetë një mundësi e shkëlqyeshme që në komunat që ne do të marrim besimin e qytetarëve të dëshmojmë punën dhe përkushtimin tonë për të qenë në shërbim të qytetarëve”, deklaruan nga Lëvizja BESA.

Edhe për Aleancën për Shqiptarët zgjedhjet lokale kanë rëndësi të veçantë. Sipas kësaj partie, zgjedhjet do të përcaktojnë dhe testojnë rolin dhe përgjegjësinë e subjekteve politike në periudha të caktuara. "Këto zgjedhje nuk janë vetëm lokale, por më shumë se kaq. Ne vlerësojmë se roli ynë ka qenë konform kërkesave të elektoratit shqiptar, konstruktiv ku ka patur nevojë dhe këmbëngulës, ku ka qenë e domosdoshme dhe besojmë se ky veprim i yni do të vlerësohet pozitivisht nga shumica e popullësisë shqiptare në zgjedhjet lokale 2017”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.

Ndërsa partia PDSH në zgjedhjet lokale të 15 tetorit do të garojë në 25 komuna. "Gjithandej ku ka shqiptarë ne kemi përgatitur lista për këshilltarë dhe kandidatë për kryetarë komunash. Vetëm në Bërvenicë ne do ta përkrahim kandidatin e pavarur për shkak se rrezikohet kjo komunë të humbet nga shqiptarët”, shprehet Bekim Fazliu nga PDSH.

Përmes pushtetit lokal matet forca e pushtetit qendror

Njohësit e çështjeve politike thonë se për dy blloqet politike si ato shqipatre poashtu edhe maqedonase , gara do të jetë e pa kompromis për sigurimin e legjitimitetit të humbur apo për forcimin e tij nga zgjedhjet parlamentare të 11 dhjetorit. "Këto zgjedhje nuk janë vetëm se lokale, por këto zgjedhje janë edhe njëfarë matje forcash edhe në nivel shtetëror. LSDM-ja do të tentojë të dëshmojë se ka legjitimitetin për të qeverisur vendin ndërsa VMRO-ja do të tentojë të dëshmojë se LSDM-ja nuk ka legjitimitet të qeverisë vendin duke bërë përpjekje për të fituar sa më shumë vota”, thotë Xhelal Neziri, analist.

Fatmir Arifi, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, thotë se partitë politike shqiptare në zgjedhjet lokale duhet të tregojnë maturi dhe të gjejnë një gjuhë të përbashkët. "Faktori politik shqiptar është i përçarë edhe përsa i përket votave, pra në shumë subjekte politike. Përpjekja e LSDM-së dhe çdo partie tjetër maqedonase për të përvetësuar votuesit shqiptarë, duhet konsideruar nga partitë shqiptare si rrezik tejet i madh, i cili duhet shmangur me çdo kusht”vlerëson Arifi.

Mundësi për kandidatë më të mirë

Analisti Arsim Sinani thotë se tek partitë politike mungon kreativiteti dhe me këtë ato kanë zhdukur vlerën e zgjedhjeve lokale. "Zgjedhjet lokale janë shndërruar në arenë të gladiatorëve në vend të kreativitetit, emrit dhe vizionit, partitë zgjodhën gjeneralët e tyre të merren me kanalizime dhe ujërat e kënetave,” deklaroi Arsim Sinani. Kurse Albulena Halili, politologe thotë se kandidaturat janë shëmbëlltyrë e mendësisë së vjetër dhe pjekurisë së varfër politike.

Ajo i cilëson kandidaturat një pamje të trishtë të ardhmes sonë që na pret po qe se nuk ndërgjegjësohemi e rebelohemi për gjendjen tonë. "Në kandidatura fshihen figura të recikluara tash e njëzet e gjashtë vjet, ndoshta edhe më tepër. Është koha e fundit që faktori politik shqiptar përfundimisht të konsolidohet, të analizojë gabimet dhe të përqëndrohet në problemet konkrete të shqiptarëve, të cilat dallojnë thelbësisht nga ato të qytetarëve të etnisë maqedonase”, shprehet Halili.

Në zgjedhjet e 15 tetorit, qytetarët e Maqedonisë duhet të zgjedhin kryetarët në 80 komuna si edhe Shkupin, si njësi e veçantë e administrimit lokal, që në përbërjen e tij ka dhjetë komuna urbane.