1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Maqedonia në ngërç politik

Opozita maqedonase po bojkoton punimet e parlamentit dhe ka paralajmëruar masa më radikale, nëse nuk plotësohet kërkesa për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Analistët shpresojnë në ndërhyrjen e ndërkombëtarëve.

Kriza politike në Maqedoni sa vjen e thellohet. Opozita maqedonase e udhëhequr nga LSDM është këmbëngulëse në kërkesën e saj për zgjedhje të parakohshme parlamentare, në pako me ato lokale, që do të mbahen në mars të këtij viti. Lideri i opozitës maqedonase Branko Cërvenkovski, thotë se kthim në parlament nuk ka, dalja e vetme nga kjo krizë janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.Sipas tij në vend po zhvillohen ngjarje që do të përcaktojnë të ardhmen e Maqedonisë, dhe pra opozita nuk do të tërhiqet nga kërkesat e saj, është shprehur Cërvenkovski.

Masa më radikale të opozitës

Lideri i opozitës maqedonase Branko Cërvenkovski,

Lideri i opozitës maqedonase Branko Cërvenkovski.

Opozita maqedonase krahas bojkotit të punimeve në parlament, është duke organizuar protesta me bllokimin e rrugëve në qytetet më të mëdha të vendit. Meqenëse sipas opozitës pushteti nuk po dëshmon vullnet për dialog dhe për dalje nga kriza politike, në fillim të javës së ardhshme do të ndërmerren aktivitete më radikale me bllokimin e udhëkryqeve kryesore në kryeqytet. Sipas nënkryetarit të LSDM-së Zoran Zaev, hapat e ardhshëm do të ndërmerren me vëmendje të lartë dhe ato do të jenë metoda demokratike të cilat do të japin mesazh të fuqishëm për vendosmërinë e opozitës, metoda të lejuara për t'u shprehur pakënaqësia dhe revolta.

Qeveria nuk lëshon pe

Kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski

Kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski

Kryeministri Nikolla Gruevski është shprehur i vendosur kundër mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Ai është i vendosur se në Maqedoni do të mbahen me 24 mars vetëm zgjedhjet lokale duke garantuar monitorim të theksuar të faktorit ndërkombëtar.

“Ne angazhohemi për zbatimin e zgjedhjeve të rregullta lokale. Ato janë obligimi ynë, ato janë obligim ligjor dhe ajo që qytetarët presin. Ne do të jemi të përkushtuar në tërësi që të kemi zgjedhje të ndershme dhe demokratike, ku qytetarët me vullnet të lirë do të përcaktohen për kryetarët e komunave” është shprehur Gruevski.

Bojkoti i zgjedhjeve në dëm të demokracisë

Analitstët politik vlerësojnë se bojkoti i zgjedhjeve lokale nga opozita maqedonase do të ketë impakt të drejtpërdrejtë në humbjen e besimit të qytetarëve në institucionet shtetërore. Bojkoti i zgjedhjeve nuk është në favor të zhvillimeve demokratike thotë analisti Zdravko Savevski.

“Nëse zgjedhjet lokale mbahen pa opozitën maqedonase, atëher humbet demokracia, humbet besimi i qytetarëve ndaj institucioneve. Partitë politike duhet të heqin dorë nga interesat e ngushta partiake dhe të arrijnë marrëveshje për të qenë bashkarisht pjesë e procesit zgjedhor”, thotë Savevski. Sipas analistit opozita maqedonase duhet të jetë më e kujdesshme me kërkesat, pasi në një farë mënyre ajo ngushton hapësirën për gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme.

Opozita duhet të kthehet në parlament dhe të marrë pjesë në zgjedhjet lokale sepse vetëm nëse arrinë rezultate në këto zgjedhje do të kishte kuptim kërkesa për zgjedhje të parakohshme parlamentare, thotë profesori univesitar Ylebr Sela. “Në periudhën kur janë intesifikuar bisedimet për zgjidhjen e çështjes së emrit dhe kur pritet, që deri në qershor të ketë një rezultat konkret në negociatat për emrin, janë të palogjikshme hapat e opozitës maqedonase për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare”, shprehet Sela.

Ndërkombëtarët shihen si shpëtimtarë

Kriza politike në vend mund të tejkalohet nëse rritet presioni i faktorit ndërkombëtar ndaj LSDM-së opozitare. Bashkësia ndërkombëtare duhet të bëj presion që t'i ulë në tryezë të bisedimeve kryeministrin

Gruevski dhe liderin e opozitës Cërvenkovski, thotë Naser Ziberi analist politik. “Kriza politike Maqedoninë e ka gjetur në një situatë shumë të palakmueshme sa i përket proceseve eurointegruese. Bashkimi Evropian nuk do të qendrojë duarkyq, mesazhet e Brukselit dhe Uashingtonit për uljen e tensioneve politike, japin shpresë se bashkësia ndërkombëtare do të jete më aktive në Maqedoni”, shprehet Ziberi.

Nëse nuk ka ndërhyrje të ndërmjetësve ndëkombëtarë në tejkalimin e krizës politike në Maqedoni, ajo mund edhe më tej të thellohet, mendon profesori univesitar Nikolla Dujoski. Me afrimin e kohës së mbajtjes së zgjedhjeve lokale në muajin mars, kriza politike mund të marrë intensitet edhe më të lartë, në veçanti nëse opozita mbetet konsekuente në vendimin e saj për t'i bojkotuar zgjedhjet lokale.

“SHBA-të vlerësojë se mund të ndihmojë në shumë mënyra për t'u menaxhuar kriza politike aktuale në Maqedoni. Një koordinim midis Uashingtonit dhe Brukselit do të kishte ndikim tek dy partitë më të mëdha maqedonase VMRO-DPMNE dhe LSDM, që ato të lëshojnë pe nga qendrimet që për momentin janë diametralisht të kundërta”.

Presidenti me apel për dialog

Presidenti i Maqedonisë Gjorgji Ivanov.

Presidenti i Maqedonisë Gjorgji Ivanov.

Për krizën politike në vend është prononcuar edhe presidenti i Maqedonisë Gjorgji Ivanov. Sipas tij problemet duhet të zgjidhen atje ku krijohen. “Nuk guxojme t'i zbrazim institucionet dhe vendet ku duhet të sillen vendimet. Opozita e ka vendin në parlament. Nëse ekziston dialog, komunikim, zgjidhjet çdo herë janë të mundshme”, shprehet Ivanov.

Në fund të muajit janar në Nju Jork vazhdojnë bisedimet maqedonaso-greke për çështjen e emrit me ndërmjetësim të OKB-së. Aritja e ndonjë rezultati konkret për çështjen e emrit dhe tejkalimi i ngërçit politik në vend, do të hapnin perspektivën evropiane të Maqedonisë, vlerësojnë analistët politikë.