1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedonia në krye të vendeve të Ballkanit për liberalizimin e vizave me BE

25 Maj 2009

Fuere: Në listën e vendeve me arritje pozitive gjenden edhe dy shtete tjera të Ballkanit, por për to nuk është e sigurtë nëse do të rekomandohet liberalizimi i vizave.

https://p.dw.com/p/Hx7E
Maqedonia ka marrë nota në raportin e grupit të ekspertëve të KE-së lidhur me liberalizimin e regjimit të vizave
Maqedonia ka marrë nota në raportin e grupit të ekspertëve të KE-së lidhur me liberalizimin e regjimit të vizave

Nga 1 janari i vitit të ardhshëm pritet që qytetarët e Maqedonisë të udhëtojnë lirshëm pa viza në vendet e Bashkimit Evropian. Në raportin e grupit të ekspertëve të Komisionit Evropian për arritjet e vendeve të Ballkanit për liberalizimin e regjimit të vizave, Maqedonia ka marrë nota kaluese dhe është renditur në krye të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

"Përpjekjet që ka ndërmarrë Maqedonia në procesin e reformave të domosdoshme na inkurajuan për të marrë një vlerësim të mirë për liberalizimin e regjimit të vizave. Gjithashtu na inkurajon fakti se Maqedonia renditet e para në listë dhe është në epërsi në krahasim me vendet tjera të Ballkanit. Kur të vijë koha e vendimmarrjes për heqjen e vizave kjo do të jetë një mirënjohje për përpjekjet e Maqedonisë drejt anëtarësimit në BE." – deklaroi ambasadori i BE-së në Maqedoni, Erwan Fuere.

Gjithnjë sipas tij në listën e vendeve me arritje pozitive për liberalizimin e vizave, gjenden edhe dy shtete tjera të Ballkanit, por për të cilat nuk është e sigurtë, nëse për to do të rekomandohet liberalizim i vizave.

Institucionet e Maqedonisë të gatshme ta implementojnë menjëherë vendimin e Brukselit


Duke shprehur kënaqësinë për vlerësimet positive të grupit të ekspertëve të KE-së për arritjet e Maqedonisë në drejtim të liberalizimit të regjimit të vizave MPJ i Maqedonisë, Antonio Milloshoski, tha se Parlamenti Evropian pritet ta japë pëlqimi për këtë vendim në vjeshtë dhe se "sa u përket institucioneve të Maqedonisë, ato janë të gatshme që ta implementojnë menjëherë vendimin e Brukselit."

MPJ i Maqedonisë Antonio Milloshoski dhe komisari i BE-së Oli Rehn
MPJ i Maqedonisë Antonio Milloshoski dhe komisari i BE-së Oli RehnFotografi: Dragan Todorovski

Për kryeminstrin Nikolla Gruevski efektet positive nga liberalizimi i regjimit te vizave janë shumë domethënëse për qytetarët e Maqedonisë. "Liberalizimi i vizave do t'u ndihmojë biznesmenëve, qytetarëve që dëshirojnë të studiojnë jashtë vendit, dhe atyre që kërkojnë shërbime mjeksorë në vendet e BE-së. Në Maqedoni ka një numër i madh qytetarësh që nuk kanë udhëtuar asnjëherë në vendet e BE-së dhe ky është një fakt shumë i keq, sepse ata mund të kenë vlerësim jo të përshtatshëm për realitetin e vendeve të BE-së," – tha kryeministri Nikolla Gruevski.

Deri tani në Maqedoni janë dhënë rreth 450 000 pasaporta biometrike dhe mbi 1 milion dokumenta të tjera biometrike, që e bëjnë vendin të kryesojë në rajon sa u përket përmbushjes së standardeve që i kërkon BE-ja nga vendet për t'i futur në listën e bardhë të Shengenit.

Autor: Fatos Musliu
Redaktoi: Pandeli Pani