1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Maqedonia mes stabilitetit të monedhës dhe frenimit të ekonomisë

Maqedonia ka valutë të qendrueshme dhe një politikë monetare solide. Por ekspertët vlerësojnë se politika restriktive monetare ka dhe pasoja negative.

Ndërtesa e Bankës Popullore në Maqedoni

Problemet ekonomike me të cilat po ballafaqohet eurozona dhe ekonomitë e vendeve të rajonit, nuk do të reflektohen në zhvlerësimin e valutës së Maqedonisë. Denari si valutë kombëtare do të mbetet stabil sepse garanci janë rezervat në deviza, që janë në nivelin më të lartë historik, prej 2 miliardë e 96 milion eurosh. Kështu ka deklaruar ministri maqedonas i Financave Zoran Stavrevski. Sipas tij, paralajmërimi për rritje të inflacionit, që do të ndikonte në zhvlerësimin e valutës kombëtare është i pabazë.

Zoran Stavreski, ministri i Financave i Maqedonisë.

Zoran Stavreski, ministri i Financave i Maqedonisë.

“Niveli jashtëzakonisht i lartë i rezervave devizore, niveli i ulët i deficitit buxhetor dhe i borxheve të vendit japin siguri se valuta mbetet në të njëjtin kurs ”, shprehet ministri Stavrevski.

Banka Qendrore mbetet konsekuente politikës së kursit stabil të denarit ndaj euros dhe mbajtjes së inflacionit në nivel të ulët në krahasim me inflacionin në eurozonë, ka deklaruar guvernatori i Bankës Popullore, Dimitar Bogov.

“Gjatë dy muajve të fundit Banka Popullore ka blerë tepricën e devizave në tregun devizor. Kursimi i qytetarëve në valutën kombëtare vazhdon të rritet, këto të dhëna flasin për stabilitetin e denarit”, tha Bogov.

Dimitar Bogov, guvernatori i Bankës Qendrore të Maqedonisë.

Dimitar Bogov, guvernatori i Bankës Qendrore të Maqedonisë.

Ekspertët paralajmërojnë ndaj politikave restriktive

Ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se mbajtja e stabilitetit të valutës kombëtare ka edhe çmimin e vet. “Politika fiskale dhe monetare do të duhet të harmonizohet në kahje restriktive. Shkalla e kamatave do të jetë relativisht e lartë, kjo mundëson stabilitetin e denarit por në mënyrë indirekte, ekonomia do të ndjejë pasojat e kësaj politike”, thotë Nikolla Popovski ekspert për çështje ekonomike.

Profesori universitar Bilall Kasami thotë, se kriza financiare në eurozonë do të ketë ndikim në zhvillimet ekonomike në Maqedoni.

“Valuta e Maqedonisë është drejtpërdrejt e lidhur me euron, kështu që çdo lëvizje e euros në raport me valutat tjera do të ketë ndikim edhe në raport të denarit me këtë valuta”.

Për profesorin e ekonomisë Nasir Selimi, politika ekonomike restriktive që mundëson stabilitetin e valutës vendase ka edhe mangësitë e saj: “Përsëri do të kemi vështirësi për kompanitë tona, të cilat nuk do të mund të jenë konkurruese në eksportet e mallrave të tyre”.

Sipas ekspertëve ekonomia e vendit nuk do të jetë imune ndaj zhvillimeve të jashtme, dhe është e nevojshme që qeveria të ndërmarrë masa të përshtatshme për qetësimin e situatës.