1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Maqedonia me qeveri të re

Ekonomia, integrimi euroatlantik e marrëdhëniet ndëretnike renditen ndër prioritetet kryesore të programit të qeverisë së re. Kryeministri Gruevski kërkon zgjidhjen e çështjes së emrit përmes dialogut, por jo detyrimit.

Kryeministri maqedonas, Gruevski

Kryeministri maqedonas, Gruevski

Me 77 vota për dhe 6 kundër Parlamenti i Maqedonisë ka votuar koalicionin e ri qeverisës me kryeministër Nikolla Gruevskin. Ky është mandati i katërt i Gruevskit si kryeministër, por njëkohësisht edhe kabineti më i madh i tij që ai ka propozuar deri tani pasi do të ketë 26 ministra. Në qeverinë e re partneri shqiptar i koalicionit do të ketë dy zëvëndës kryeministra dhe pesë vende ministrore. Rritja e ekonomisë, standartit të jetesës dhe punësimet, integrimi në NATO dhe BE, lufta kundër korrupsionit, marrëdhëniet e mira ndëretnike dhe zhvillimi i arsimit, do të jenë pesë shtyllat strategjike të qeverisë së re

Gjatë shpalosjes së programit qeveritar, kryeministri Nikola Gruevski ka bërë të qartë se qeveria që ai drejton në asnjë mënyrë nuk do të pranojë ndyshimin e emrit kushtetues të Maqedonisë, që sipas tij është i imponuar nga Greqia në mënyrë artificial. “Qeveria është e përgatitur për të vazhduar dialogun maqedonas -grek në bazë të strategjisë dhe parimeve tashmë të përcaktuara. Qeveria nuk do të pranojë ndyshimin e Kushtetutës me qëllim ndryshimin e emrit kushtetues të Maqedonisë dhe nuk do të pranojë ide apo propozime që do të rrezikonin identitetin kombëtar maqedonas, veçoritë e gjuhës dhe kombit maqedonas”, është shprehur kryeministri Gruevski. Maqedonia nuk do të pranojë asnjë zgjidhje të imponuar nga Greqia pa kaluar fillimisht ai propozim në referendum dhe shumica e qytetarëve të pajtohen me një zgjdhje të mundshme.

Kujdes i veçantë për marrëdhëniet ndëretnike

Në ekspozenë e programit qeveritar, Gruevski theks të veçantë i ka kushtuar edhe marrëdhënieve ndëretnike. Nevojitet angazhim edhe më i madh dhe më i sinqertë i politikanëve në përgjithësi në drejtim të forcimit të mëtejmë të bashkëjetesës, respektit dhe tolerancës mes bashkësive të ndryshme etnike dhe fetare në Maqedoni. “Ne do të vazhdojmë me implementimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe me përpjekjet tona që të ndërtojmë shoqëri shumëetnike, të bazuar në respektin dhe tolerancën e ndërsjelltë. Çështjet ndëretnike nuk duhet dhe nuk guxojnë të marrin fuqinë e shoqërisë sonë dhe gjithçka duhet bazuar në Kushtetutë dhe ligje “, thotë Gruevski.

Qeveria e re maqedonase

Qeveria e re maqedonase

Partnerët e koalicionit qeveritar VMRO-DPMNE dhe BDI i kanë dhënë mbështetje të plotë programit të punës së qeverisë së re. Ilia Dimovski, koordinator i grupit partlamentar të VMRO-DPMNE-së, thotë se rezultati elektoral obligon grupin parlamentar të kësaj partie për të mbështetur fuqishëm programin e qeverisë së re.“Kthim prapa në ritmin e punës nuk mund dhe nuk guxon të ketë. Andaj VMRO-DPMNE me përgjegjësinë më të madhe do të përkrahë këtë qeveri, këtë program sepse realizimin e projekteve që kemi premtuar në fushatë, e kemi amanet për ta realizuar para qytetarëve”, është shprehur Ilia Dimovski.

Partia shqiptare në qeverinë e re BDI, vlerëson se një pjesë e madhe e platformës së saj zgjedhore është inkorporuar në programin e qeverisë. “BDI mbështet kabinetin e ri qeveritar pasi është një kabinet, një koalicion, i cili në realitet dhe objektivisht dhe në frymë maksimale reflekton vullnetin e sovranit, dëshirat, ambiciet dhe interesin e sovranit”, është shprehur deputetja e BDI-së Ermira Mehmeti.

Opozita bojkoton votimin e qeverisë

Votimi i qeverisë së re në parlament u mbajt në mungesë të opozitës maqedonase, e cila ka braktisur institucionin ligjvënës për shkak të pretendimit për falsifikimin e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale. 34 deputetët e socialdemokratëve madje kanë kthyer edhe mandatet, edhe pse ky vendim ende nuk është miratuar nga shumica partlamentare, e cila në vazhdimësi kërkon kthimin e opozitës maqedonase në parlament.

Opozita maqedonase kthen mandatet

Opozita maqedonase kthen mandatet

Deputetja e vetme e opozitës që nuk ka braktisur parlamentin Roza Tupuzovska Karevska, gjatë votimit të qeverisë ka shprehur një sërë kritikash në adresë të kryeministrit Gruevski. “Për çdo ditë e më shumë nga Maqedonia po largohen të rinjtë. Partnerët e koalicionit është mirë të vizitojnë aeroportin e Shkupit, ku në çdo fluturim të rinjtë po ikin nga Maqedonia për të kërkuar një jetë më të sigurtë”, është shprehur Tupuzovska. Sipas saj qeveria e re nuk ka ndonjë program të ri, por përsërit premtimet nga përbërja e kaluar. Ajo thotë se premtimet e Gruevskit se në Maqedoni do të ketë invazion të investuesve të huaj janë boshe, pasi investitorët kanë një sërë vërejtjesh për pengesat, korrupsionin dhe drejtësinë joefikase të Maqedonisë.

Edhe partia opozitare shqiptare PDSH, ka votuar kundër përbërjes së re qeveritare. PDSH nuk e mbështet qeverinë pasi vlerëson se nuk është qeveri e re, as nga përbërja, as nga programi e as nga pritjet për ndryshimin e situartës. Gjithnjë sipas opozitës shqiptare, koalicioni i ri qeveritar edhe në 4 vitet e ardhshme do të vazhdojë me politikat e vjetra që janë karakterizuar si politika diskriminuese në bazë etnike. “Partia shqiptare në qeveri ka dhënë shumë premtime për të bërë ndryshime në favor të shqiptarëve por që në fillim ajo ka dështuar, sepse nuk ka marrë asnjë nga 3 pozicionet më të rëndësishme të shtetit siç janë, kryetari i shtetit, kryeministri apo kryetari i Kuvendit”, thotë Orhan Ibrahimi nga PDSH.

Parlamenti maqedonas

Parlamenti maqedonas

Reagimet qytetare

Qytetarët pas votimit të qeverisë së re, janë shprehur optimistë për realizimin e reformave dhe projekteve që do të kontribuonin në zhvillimin e vendit. Ata presin hapjen e vendeve të reja të punës, ndërtime infrastrukturore dhe mirëqenie më të mirë ekonomike. “Nëse realizohet një pjesë e projekteve do të jetë mirë, do të zvogëlohet papunësia. Mirëpo qeveria çdo herë gjen arsyetime për dështimin e projekteve të cakuara e në veçanti ato që kanë të bëjnë me hapjen e vendeve të reja të punës”, thotë një qytetar.

Ndërsa një qytetare tjetër nuk shpreson në ndonjë ndryshim rrënjësor. Përbërja e re e qeverisë pothuajse është e njëjtë me të kaluarën. Pa zgjidhjen e çështjes së emrit, Maqedonia vetëm mund të ëndërrojë anëtarësimin në NATO dhe BE. Ndërsa inkuadrimi i Maqedonisë në këto dy institucione është i lidhur ngushtë me zhvillimin ekonomik të vendit”.

Një qytetar tjetër pret më shumë angazhim të qeverisë ndaj situatës ndëretnike në vend: “Nga qeveria e re pres të jetë më e vëmendshme në përmirësimin e mardhënieve ndëretnike. Në Maqedoni edhe incidenti më i vogël ndëretnik destabilizion situatën e sigurisë. Deri kur ne do të kemi frikë për sigurinë e fëmijëve tanë që mësojnë në shkolla të përziera etnike”.