1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Maqedonia ka nevojë për ndryshimin e kodit zgjedhor

Rifilluan bisedimet grupet e punës të katër partive më të mëdha për zbatimin e marrëveshjes politike për zgjidhjen e krizës në Maqedoni. Në fokus janë ndryshimet në ligjet zgjedhore dhe pastrimi i listës së votuesve.

Grupet e punës të katër partive më të mëdha rinisën punën për zbatimin e marrëveshjes politike për zgjidhjen e krizës në Maqedoni. Bisedimet që zhvillohen në praninë e ekspertit ndërkombëtar Piter Van Hojt kanë në fokus dryshimet në ligjet zgjedhore dhe pastrimin e listës së votuesve.

Grupet e punës të partive politike nuk kanë dhënë detaje në opinion për rrjedhën e bisedimeve për ndryshimet në kodin zgjedhor, por mësohet se palët janë përqendruar në pastrimin e listës zgjedhore, votimin e diasporës si dhe përbërjen dhe kompetencat e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.

Opozita maqedonase ka kërkuar hartimin e një liste të re zgjedhore, e cila do të ishte e hapur për regjistrim për të gjithë shtetasit që duan të marrin pjesë në zgjedhje, por kjo formë është kundërshtuar nga partitë shqiptare me arsyetimin se nga e drejta e votimit do të mbeteshin të përjashtuar shumë shqiptarë që për arsyje të ndryshme nuk do të mund të regjistroheshin në listë.

Të dëgjohet edhe zëri i partive të vogla

Partitë e vogla politike janë shprehur kundër modelit aktual zgjedhor ndaj kanë kërkuar që Maqedonia nga gjashtë të shkrihet në një njësi zgjedhore, të ketë lista të hapura të votimit si dhe të hiqet pragu prej 3% të votave në marrjen e mandatit të deputetit. Kryetarja e partisë Rilindja Demokratike e Maqedonisë RDM Liljana Popovska thotë se me ndryshimet në kodin zgjedhor skena politike do të fitojë më shumë demokraci ndërsa qytetarët do të fitojnë përfaqësim më të madh në paralament. “Me një njësi zgjedhore do të mundësohet ekzistenca e një numri më të madh të partive politike. Me vetë ekzistimin e tyre do të kemi një debat më normal politik. Mendoj se do të përfitojmë në aspektin e kulturës së dialogut, do të debatohet në frymën e argumenteve”, thotë Popovska.

Pastrimi i listës zgjedhore do t'u japë fund manipulimeve

Nevojën për ndryshime në modelin zgjedhor e mbështesin edhe njohësit e çështjeve juridike. Mersim Maksuti, ligjërues i së drejtës kushtetuese në Universitetin e Tetovës, si më të rëndësishëm vlerëson ndryshimin e njësive zgjedhore nga gjashtë sa janë tani në një njësi zgjedhore. Pastrimi i listës zgjedhore është preokupimi më i madh i partive politike, në veçanti i atyre opozitare meqë gjatë gjithë cikleve elektorale lista ka shërbyer për akuza të shumta mes partive lidhur me pretendimet se në listë figurojnë edhe persona që kanë ndërruar jetë, apo ata që nuk jetojnë në Maqedoni. “Definitivisht lista zgjedhore duhet që të pastrohet me ç'rast do të zvoglëohet numri i votuesve, sepse për momentin ai është shumë i përafërt me numrin e popullsisë së vendit gjë që e bën në shikim të parë duket si jo normale “, thotë Maksuti.

Buçkovski: Të mos injorohen partitë e vogla

Profesori universitar Vllado Buçkovski thotë se do të duhet të gjendet model, i cili nuk do të nëpërkëmbë votën e partive të vogla politike. “Maqedonia mund që të mbetet e ndarë në gjashtë njësi zgjedhore por të mblidhen të gjitha votatat që të mund të përfaqësohen të gjitha partitë politike, që nga 2006-ta e deri më sot humbin mesatarisht nga 12 deri më 17 mandate.”

Modeli ekzistues proporcional me lista të mbyllura jo vetëm që i ka larguar edhe më shumë të zgjedhurit e popullit dhe pushtetin si tërësi nga qytetarët, por ka krijuar qeverisje të pakontrolluar mafioze, vlerëson profesor Mersel Bilalli. Ky model për së tepërmi e ka forcuar pozicionin e liderëve të partive. “Sipas çdo logjike modeli egzistues zgjedhor e ngulfat demokracinë gjithësesi të dobët partiake. Nga liderët varet si dhe nëse dikush do të rangohet. Kjo mundëson pushtet të fuqishëm personal, e përqendruar tek ata pak mekanizma kontrolli, por në dëm të demokracisë së përgjithshme dhe partisë”, thotë profesor Bilalli.
Shoqëria civile pro ndryshimeve të kodit zgjedhor

Në debatin për ndryshimet në kodin zgjedhor është përfshirë edhe organizata joqeveritare që vite me radhë mbikëqyr proceset zgjedhore, Asociacioni qytetar “Most”. Ata ndër të tjera propozojnë edhe ndryshimin e modelit zgjedhor duke i dhënë përparësi modelit proporcional me lista të hapura. Drejtori i kësaj organizate, Darko Aleksov, thotë se një model i tillë nënkupton demokratizimin e partive dhe rritjen e përgjegjësisë së kandidatëve që kërkojnë të zgjedhen për deputetë. “Në dokumentin e përgatitur ne nuk flasim vetëm për lista të hapura, por edhe për përfitimet nga një ndryshim i tillë i sistemit zgjedhor, numrin e njësive zgjedhore, e kështu me radhë".

Shoqëria civile hapi mundësinë e uljes së numrit të deputetëve nga 120 në 90 sipas modelit të parlamentit slloven. “Fillimisht do të ishin ulur shpenzimet për funksionimin e kuvendit, do të kishte punë më efektive në marrjen e vendimeve ndërsa do të mund që të ulej edhe keqpërdorimi i disa deputetëve”, shprehet Samoill Mallçevski përfaqësues i shoqërisë civile.

Grupet e punës të katër partive plitike përpos ndryshimeve në kodin zgjedhor deri në mesin e muajit të ardhësh duhet të bien dakord edhe për zgjedhjen e prokuroit special, cili duhet të merret me zbardhjen e aferës së përgjimeve.