1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Maqedonia kërkon formë tjetër të bisedimeve për emrin

Në kuadër të përpjekjeve për zgjidhjen e çështjes së emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë, pala maqedonase kërkon ndërrimin e formës së bisedimeve. Për Gruevskin modeli i bisedimeve Prishtinë - Beogradid më i favorshëm.

default

Shkupi- kryeqyteti i Maqedonisë

Kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski ka kërkuar ndryshimin e formatit të bisedimeve me Greqinë për çështjen e emrit sipas shembullit të negociatave që po zhvillohen midis Kosovës dhe Serbisë. Për këtë iniciativë Gruevski do të njoftojë edhe OKB-në me qëllim të përshpejtimit të procesit të zgjidhjes së emrit. Kjo është e nevojshme pasi negociatat me Greqinë janë në qorrsokak pas refuzimit të kërkesave të shumta për takim tet a tet me palën greke.

„Bartës të ekipeve të të dyja vendeve të jenë kryeministrat. Ata të tentojnë së bashku me ekipet e tyre që të vijmë deri te një zgjidhje e pranueshme për të dyja palët. Me qëllim të përshpejtimit të procesit të bisedimeve mendoj ti drejtohem OKB-së me një qëndrim për ndryshimin e formatit të bisedimeve ku do të ndiqej edhe shembulli i Kosovës dhe Serbisë”, është shprehur kryeministri Nikolla Gruevski.

Dialogu i drejtëpërdrejtë më shpresëdhënës

Ndryshimi i formatit të bisedimeve mes Shkupit dhe Athinës për çështjen e emrit është mirëpritur edhe nga partia e Ali Ahmetit, BDI. Ngritja e nivelit të negociatorëve në ekipe pune të udhëhequra nga kryeministrat e dy vendeve paraqet formulën e vetme për zgjidhjen përfundimtare të problemit të emrit. “Ne e shohim këtë si formulë të vetme për të zgjidhur një kontest i cili është i ndërlikuar apo i ngarkuar me emocione duke u zgjatur rreth 20 vite. Janë provuar të gjitha mekanizmat e tjerë mirëpo dialog të drejtpërdrejtë nuk ka pasur deri më tani”, thotë Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

Me qëllim të zhbllokimit të procesit eurointegrues, kryetari i BDI-së Ali Ahmeti ka nisur edhe një fushatë letrash drejtuar figurave të rëndësishme të skenës ndërkombëtare. Ahmeti nga ata kërkon ndihmë për vendosjen urgjente të çështjes së Maqedonisë në qendër të vëmendjes së komunitetit ndërkombëtar dhe angazhimin e tyre në zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë.

“ Maqedonia ka miq nga komuniteti ndërkombëtar që mund të ndihmojnë në zgjidhjen e çështjes së emrit. Kemi marrë përgjigje nga shumica prej tyre. Të gjithë me optimizëm kanë pranuar letrën me zotimin se do të vazhdojnë të japin kontributin e tyre në këtë drejtim, sepse Maqedonia meriton vendin në NATO dhe BE”, ka dekaruar Artan Grubi, shef i kabinetit të kryetarit të BDI-së.

Nano Ruzhin : Gruevski është në hall

Mazedonien Ministerpräsident Nikola Gruevski

Kryeministri maqedonas Nikola Gruevski

Në periudhën kur pritet intensifikimi i negociatave mes Athinës dhe Shkupit dhe kur çështja e emrit është hapur në një debat publik, ndërrimi i formatit të negociatave të cilin e propozon kryeministri Gruevski, nuk është serioz vlerësojnë disa nga analistët vendas. Sipas Nano Ruzhin, Gruevski pas dështimeve të njëpasnjëshme në negociatat për zgjidhjen e kontestit për emrin, gjendet në një pozitë inferiore që rezulton me një presion ndërkombëtar për zgjidhjen e këtij problemi.

“Derisa vazhdon antikuizimi dhe deklaratat e njerëzve të afërt të kryeministrit se kundështojnë gjetjen e zgjidhjes së emrit, propozimi për ndërrimin e formatit të negociatave është joserioz dhe joreal. Pala greke asesi nuk do të pranojë ndërrimin e formatit të bisedimeve“, shprehet analisti Nano Ruzhin.

Ndryshimi i qëndrimeve - mungesë seriozitet i palës maqedonase

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Mersel Bilalli thotë se tek kryeministri Gruevski asnjëherë nuk ka qenë i pranishëm vullneti i sinqertë për të mbyllur çështjen e emrit. “Me kërkim të formatit të ri të bisedimeve, Gruevski dëshiron të shpëtojë pozicionin e vet dhe jo të zgjidhë çështjen e emrit. Ai kërkon ndihmë nga të tjerët, që ata ta shpëtojnë nga vetvetja. Për një afat të shkurtër kohor nga kryeministri vijnë qëndrime diametralisht të kundërta, nga konstatimi se nuk do të bëjë asnjë lëshim lidhur me emrin, deri në kërkim të ngritjes së pozicioneve biseduese në nivel më të lartë të drejtëpdrejtë mes Athinës dhe Shkupit”, shprehet profesor Mersel Bilalli.

Ndyshimi i formatit të negociatave në favor të Greqisë

Ali Ahmeti mazedonischer Politiker in Berlin

Ali Ahmeti, kryetari i partisë shqiptare, BDI

Edhe partia Liberale kundështon propozimin e kryeministrit Gruevski për të ndryshuar formatin e bisedimeve. Hapja e çështjes së formatit të negociatave, do t'i jepte mundësi Greqisë për t'i kthyer gjërat mbrapa dhe në vend të termit negocim të imponohet sërisht fjala bisedime. Kjo, gjithnjë sipas partisë liberale, do ti mundësonte palës greke komoditet për zvarritjen e pakufishme të këtij problemi.

Kryeministri grek Antoni Samaras, gjatë qëndrimit zyrtar në SHBA, do të ketë edhe një takim të veçantë me presidentin Barak Obama. Sipas mediave greke dhe maqedonase, në këtë takim nuk përjashtohet mundësia që Uashingtoni zyrtar të shtrojë në tryezë edhe çështjen e emrit. Disa media greke spekulojnë madje edhe se Obama do të ushtrojë presion mbi Samaras që të pranojë propozimin e emrit “ Maqedonia e Epërme”.

Pa marrë parasysh sinjalet që do të vijnë nga Uashingtoni dhe Athina, qëndrim i pandryshueshëm i kryeministrit të Maqedonisë Gruevski është se çfarëdo propozimi që të dalë nga negociatat me palën greke, patjetër që fjalën e fundit për të do ta kenë qytetarët në referendum. "Emri është i popullit dhe vetëm ai ka të drejtë të vendosë për të", është shprehur Gruevski për mediat vendore.