1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Maqedonia e gatshme për t'i ndihmuar refugjatët

Në Maqedoni pritet rritja e fluksit të refugjatëve. Fluksi i refugjatëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika, që kalojnë përmes Maqedonisë ka mobilizuar Qendrën për Menaxhim me Kriza dhe Kryqin e Kuq të Maqedonisë.

Në periudhën e ardhshme pritet rritja e fluksit të refugjatëve që do të hyjnë në Maqedoni. Nga Qendra për Menaxhim me Kriza, thonë se Maqedonia ka kapacitet institucional dhe njerëzor që të përballet madje edhe me 5 mijë emigrantë në ditë, por kjo nuk do të thotë se vendi nuk po ballafaqohet me problemin e financave. Drejtoresha e Qendrës për Menaxhimin e Krizave në Maqedoni Suzana Saliu thotë se institucioni i saj ka politikë dhe strategji humane ndaj refugjatëve. Fluksi i refugjatëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika, që kalojnë përmes Maqedonisë ka mobilizuar Qendrën për Menaxhim me Kriza dhe Kryqin e Kuq të Maqedonisë.

“Maqedonia ka kapacitete si në aspektin institucional po ashtu edhe në atë njerëzor, vendi disponon edhe me një eksperiencë për t'u ballafaquar me krizën e refugjatëve, por duhet pranuar se të gjitha institucionet, të cilat janë të kyçura në menaxhimin e krizës me refugjatët kanë probleme serioze financiare”, shprehet Suzana Saliu ,Drejtoreshë e Qendrës për menaxhimin e Krizave.

UNHCR paralajmëron valë të re të refugjatëve

Përfaqësuaesi i UNHCR-së në Maqedoni Mohamed Arif thotë se kriza e refugjatëve nuk pritet të përfundojë shpejt. Ajo do të vazhdojë edhe gjatë muajve të dimrit dhe ky është problem global, i cili duhet trajtuar si sfidë afatgjate. Arif thotë se vendet fqinje të Sirisë prej nga vjen numri i madh i refugjatëve kanë pranuar miliona refugjatë, atyre kur u humbet shpresa për kthim në Siri, ata vendosin për të migruar në vendet më të largëta për të filluar një jetë të re. “Nuk mendoj se situata në Siri do të zgjidhet në një afat të shkurtër kohor dhe nëse e kemi këtë fakt parasysh mendoj se kriza me refugjatët do të vazhdojë, madje nga Siria besoj se duhet të jemi të përgatitur për një valë më të theksuar të refugjatëve, që do t'i braktisin shtëpitë e tyre”, është shprehur përfaqësuaesi i UNHCR-së në Maqedoni Mohamed Arif.

Kryqi i Kuq mobilizohet për muajt e dimrit

Kryqi i Kuq i Maqedonisë në bashkëpunim me UNHCR-në, në dy vendkalimet kufitare në Gjevgjeli dhe Tabanoc është angazhuar në mënyrë aktive në terren me nëntë ekipe mobile për mbështetjen e refugjatëve, që kalojnë tranzit përmes Maqedonisë. Nga Kryqi i Kuq pohojnë, se Maqedonia do të duhet ta dëshmojë veten me politikat e saj humane edhe në perudhën që vjen me të gjitha mundësitë që kanë. “Jemi përgatitur që edhe në periudhën e dimrit si organizatë të mund t'i përgjigjemi nevojave për afro 100 mijë refugjatëve eventual. Sipas pritjeve tona vlerësojmë se deri në mars të vitit të ardhëshëm fluksi i refugjatëve sirianë nuk do ta anashkalojë territorin e Maqedonisë si vend tranzit”, thotë Sait Saiti sekretar i Përgjithshëm i Kryqit të Kuq të Maqedonisë.

Nuk do të ketë mbyllje të kufijve për refugjatët

Maqedonia, pa marrë parasysh se sa do të jetë numri i refugjatëve, nuk do të vendosë për mbylljen e kufirit jugor me Greqinë. Edhe pse kemi probleme financiare ne refugjatëve do t'u ofrojmë atë çka kemi, thotë drejtoresha e Qendrës për Menaxhimin e Krizave, Suzana Saliu. Në një panel të organizuar për krizën e refugjatëve ambasadorja e Serbisë në Maqedoni Dushanka Divjak Tomiq ka vlerësuar se nuk janë të mjaftueshme vetëm ndihmat financiare që ka ndarë Bashkimi Evropian për Maqedoninë dhe Serbinë për krizën me refugjatët. Sipas saj këtyre dy vendeve u nevojite një ndihmë në të gjitha dimensionet, veçanërisht në perudhën e ardhshme gjatë muajve të dimrit. “Nuk egziston rrezik që Serbia t'i mbyllë kufijtë për refugjatët. Që nga momenti i parë i ballafaqimin e krizës me refugjatë, Serbia është treguar e hapur, ajo ka kundërshtuar mbylljen e kufirit në veri dhe perëndim nga ana e fqinjëve të Serbisë. Koha e mureve dhe telave me gjamba ka kaluar. Refugjatët kanë nevojë për ndihmën tonë”, thotë ambasadorja e Serbisë në Shkup, Dushanka Divjak-Tomiç.

Kriza e refugjatëve është problem global, ndaj për zgjidhjen e saj duhet të angazhohet e tërë bashkësia ndërkombëtare, thotë ambasadori i Italisë në Maqedoni, Ernesto Beleli. “Komisioni Evropian po tregon shenja të menaxhimit afatgjatë të situatës. Ne shpresojmë në një zgjidhje të shpejtë, e cila do të kontrollojë lëvizjen e refugjatëve dhe sigurinë e tyre. Ne duhet të punojmë jo vetëm duke i ndihmuar refugjatët por edhe në parandalimin e ketij fenomeni”, thotë ambasadori Beleli.

Që nga fillimi i krizës së refgugjatëve nga Siria terrotorin e Maqedonisë të shfrytëzar si vend tranziti e kanë kaluar mbi 300 mijë persona, prejt të cilëve 80% nga Siria.