1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Maqedonia duarzbrazur nga samiti i BE-së

Nuk ka datë për fillimin e negociatave për Maqedoninë as në Samitin e dhjetorit të Bashkimit Evropian.

Në takimin e krerëve të shteteve anëtare të BE-së, nuk u shqyrtua mundësia për dhënien e datës, por u miratua një konkluzion sipas të cilit, Këshilli do t'i rikthehet çështjes së Maqedonisë vitin e ardhshëm, në çdo kohë të mundshme, por vetëm pasi Maqedonia të ketë treguar progres domethënës në promovimin e marrdhënieve të mira ndërfqinjësore dhe zgjidhjen e problemit të emrit. Një detaj akoma më i rëndësishëm është se Raporti e kategorizon Maqedoninë një vend më poshtë. Në Raportin e këtij viti , Maqedonia figuron në pjesën e marrëveshjes për Stabilizim Asociim dhe jo në atë për zgjerim, siç figuronte një vit më parë.

Besimi: BE e vetjma rrugë për Maqedoninë

Konkluzionet e Samitit të dhjetorit për Maqedoninë janë të pritshme për autoritetet në vend. Zëvëndës kryeministri Fatmir Besimi, thotë se në një situatë të mos zgjidhjes së çështjes së emrit, pritej që BE të refuzojë rekomandimin e gjashtë me radhë të Komisionit Evropian, për hapjen e negociatave me Maqedoninë. Sipas Besimit, pavarësisht mos marrjes së datës, Maqedonia duhet të punojë për të mënjanuar vërejtjet e apostrofuara në Raportin e Progresit, duke filluar me rivendosjen e dialogut politik dhe ndërprerjen e bojkotit të parlamentit nga ana e opozitës maqedonase

“Presim që VMRO dhe LSDM t'i vënë interest shtetërore mbi ato partiake. Shpresoj që vitin e ardhshëm, opozita maqedonase të kthehet në institucionet e vendit dhe dialogu të zhvillohet në institucione - në Parlament. Së dyti, duhet të shënojmë reforma konkrete sipas planit aksional, me qëllim të adresimit të reformave në gjyqësor, për një gjyqësor të pavarur dhe joselektiv, reformat në media, lirinë e shprehjes, Kodin Zgjedhor dhe implementimin e Marrëveshjes së Ohrit”, shprehet Fatmir Besimi, zv kryeministër për çështje europiane

Jo vetëm emri- Maqedonia ka edhe obligime tjera

Konkluzionet e samitit të dhjetorit të BE-së për Maqedoninë , nuk përbëjnë ndonjë befasi për analistët vendas, sepse ato janë një refleksion i Raport Progresit të fundit për Maqedoninë. Profesori universitar Abdulla Azizi, thotë se Maqedonia jo vetëm për shkak të çështjes së pazgjidhur për emrin por edhe dështimit në përmbushjen e reformave, për të gjashtën herë me radhë nuk po merr datë për fillimin e negciatave me BE-në

“Të gjitha raportet janë dështuese dhe dëshmojnë për punën të cilën nuk e ka kryer Maqedonia . Nuk është vetëm çështja e emrit. Maqedonia ka problem me raportet ndërfqinjësore, raportet ndëretnike, politizimin e administratës dhe ndikimin e politikës në sistemin gjyqësor. Pa zgjidhjen e këtyre çështjeve, Maqedonia nuk mund të shpresojë në marrjen e datës për fillimin e negociatave për antarësim në BE”, shprehet Azizi.

Maqedonia duhet të dëshmohet me reforma

Aleksandar Jovanovski, nga Qendra për Politikë Evropiane, vlerëson se mosmarrja e datës për fillimin e negociatave, për qeverinë e Maqedonisë duhet të llogaritet si alarm i kuq. Brukseli kërkon urgjentisht progres në rrugën evropiane të Maqedonisë.

“Maqedonia ka gjasa për shkak të ngecjeve në reforma, ta humbë edhe statusin e vendit kandidat për fillimin e negociatave me BE-në. Nëse ne dëshirojmë të ruajmë rekomandimet pozitive, atëherë duhet të garantojmë vazhdimësi dhe qëndrueshmëri të reformave, e kjo për momentin mungon”, thotë Jovanovski

Sipas tij, pushteti nuk mund të arsyetohet për ngecje në reforma as për shkak të kontestit me Greqinë.

“Përpjekjet për demokratizim të brendshëm, për evropianizim të brendshëm, duhet të vazhdojnë edhe pa u zgjidhur çështja e emrit. Ne asgjë nuk na pengon që parimet dhe normat evropiane për këto reforma kyçe, që vlejnë për Maqedoninë t'i fillojmë edhe pa filluar negociatat”, shprehet Jovanovski.

Ruzhin : Qeveria pa ide për zgjidhjen e çështjes së emrit

Për profesorin universitar Nano Ruzhin, konkluzionet e Këshillit të BE-së për Maqedoninë, janë më të disfavorshmet që ka marrë vendi ndonjëherë. Sipas tij, shqetësues është fakti kur thuhet se Këshilli do t'i rikthehet Maqedonisë vitin e ardhshëm, por vetëm nëse do të ketë përparim në zgjidhjen e çështjes së emrit.

“Këshilli i BE-së do t'i kthehet dosjes së Maqedonisë vetëm nëse ka ndonjë përmirësim në fushën e fqinjësisë së mirë, përfshirë këtu edhe përpjekjet për zgjidhjen e çështjes së emrit. Nga Qeveria Gruevski nuk ka asnjë paralajmërim se vendi do të bëjë kompromis për zgjidhjen e emrit. Kjo apriori do të thotë se edhe viti i ardhshëm mund të jetë i kotë në përpjekjet për marrjen e datës për fillimin e negociatave”, vlerëson Nano Ruzhin.

Opozita maqedonase vlerëson se Maqedonia është shteti i vetëm në rajon që nuk është vlerësuar pozitivisht nga Këshilli i BE-së.

"Në asnjë fjalë në konkluzionet që kan të bëjnë me Maqedoninë nuk përmendet fjala "progres" apo "përparim". Kjo është dëshpëruese për qeverinë aktuale- nuk ka negociata, nuk ka fillim të bisedimeve, nuk ka asnjë përparim. Situata e këtillë duhet të lexohet si kapitullim total", thotë Lidia Dimova, udhëheqëse e Komisiont për Çështje Evropiane në partinë opozitare LSDM.