1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedonia dhe Greqia - Të bashkuara në grindjen për emrin

Jannis Papadimitriou
3 Shkurt 2018

Të dielën në Athinë qindra mijëra vetë duan të demonstrojnë kundër një kompromisi lidhur me çështjen e emrit të Maqedonisë. Po kthehet nacionalizmi në Greqi?

https://p.dw.com/p/2s2kE
Flaggen von Griechenland und Mazedonien
Fotografi: Colourbox

Ishte demonstrata më e madhe në historinë greke të pasluftës: Mbi njëmilionë vetë protestuan në shkurt 1992 në Selanik, kundër një kompromisi të mundshëm në grindjen për emrin e Maqedonisë. Kjo u pasua nga një krizë qeveritare në Athinë: ish-kryeministri konservator Konstantin Mitsotakis shkarkoi ministrin e Jashtëm në kabinetin e tij Antonis Samaras, që konsiderohej si përfaqësues i vijës së fortë, por më vonë edhe vet kryeministrit iu desh të japë dorëheqjen.

Pasardhësi i tij Andreas Papandreou u tregua i palëkundur dhe vendosi përkohësisht një embargo tregtare kundër vendit fqinj. Sot Athina ende insiston për kërkesën, që vendi fqinj ta ndryshojë emrin "Republika e Maqedonisë" të ankoruar në kushtetutë. Grekët e pretendojnë emrin Maqedoni si pjesë të trashëgimisë historike dhe i tremben po ashtu pretendimeve territoriale ndaj provincës greke me të njëjtin emër.

Në kërkim të një kompromisi

Ndërkohë grekët janë tërhequr nga pozicioni i ngurtë. Që prej disa kohësh po pranohet, që vendi fqinj të përdor një emër që përmban mbiemrin "maqedonas". Kësaj linje do t'i përmbahet kryeministri i majtë Alexis Tsipras. Pas një raundi të ri bisedimesh me ndërmjetësimin e OKB-së u bë e ditur, se qeveria në Athinë e pranon kompromisin për emrin "Gorna Makedonija" (Maqedonia e Epërme).

Por menjëherë rikthehen në skenë demonstruesit: Në fund të janarit pati manifestime proteste në Selanik, të dielën (04.02) e kanë radhën protestat në kryeqytet, në Athinë. Si organizatore vepron një nismë me emrin "Shoqatat maqedonase", që pretendon se kujdeset për traditat greke të rajonit Maqedonia. "Do të jetë një manifestim patriotik, emri Maqedoni nuk shtrohet për diskutim", paralajmëron përfaqësuesja e shoqatës në një intervistë televizive.

Nacionalistët tolerohen

Studiuesi i shkencave politike Levteris Koussoulis beson, se rifillimi i demonstratave është pjesë tipike e shoërisë greke, që është ngurtësuar mes stanjacionit dhe pasionit. "Disa në këtë vend ndihen të lidhur në një mënyrë të veçanërisht të prapambetur me historinë. Ata bllokohen të kapur pas së shkuarës dhe nuk e kuptojnë, që bota ecën përpara", kritikon Koussoulis në bisedë me DW.

Nationalistische Griechen demonstrieren im Namensstreit mit Mazedonien
Protesta në Selanik, 21.01.2018Fotografi: Reuters/A. Avramidis

Dhimbje koke shkakton njëkohësisht mundësia e pjesëmarrjes së populistëve të djathtë dhe nacionalistëve në manifestim. Deputetë të partisë ekstremiste të djathtë Agimi i Artë dolën në protestë në rrugët e Selanikut, megjithatë qendruan të rezervuar me kërkesat politike. E pyetur nëse do të tolerohet pjesëmarrja e Agimit të Artë edhe në protestën në Athinë, organizatorja Bitakou tha, se protesta është e hapur për të gjithë ata, që duan të "mbrojnë" atdheun e tyre.

Irritime ka shkaktuar edhe ministri populist i djathtë i Mbrojtjes, Panos Kamenos, i cili e refuzon kompromisin në grindjen për emrin e Maqedonisë, por njëkohësisht i ndjek zhvillimet me një heshtje të pazakontë. Ai vetë ndodhet jashtë shtetit dhe nuk do të mund të marrë pjesë. Anëtarët e partisë së tij do të protestojnë si "qytetarë të thjeshtë". Si partneri më i vogël i koalicionit nën kryeministrin Tsipras, Kamenos është në dilemë. Nëse ai nuk lëshon pe, rrezikon shumica e ngushtë parlamentare e koaliconit. Nëse ai pranon kompromisin do të zhgënjejë publikun e vet.

Ventil për indinjatën popullore

Sidoqoftë organizatorët janë kujdesur, që të dielën të mos lejojnë në podium të djathtët. Deri tani referuesit kryesorë do tëjenë konstitucionalisti Jorgos Kassimatis, si dhe kompozitori Mikis Theodorakis. Në një deklarim publik së fundi idhulli i se majtës paralajmëroi, që të mos bëhet asnjë prapraktheu në grindjen për emrin. "Kujtimi ndaj Jugosllavisë është ende i freskët, vendi ynë do të jetë viktima e radhës", deklaroi  Theodorakis, i cili kohët e fundit ka rënë në sy edhe për deklaratat e tij antisemitiste. Që ai në moshën 92 vjeçare angazhohet në një manifestim patriotik, disa komentatorë e konsiderojnë si të habitshme.

Sidoqoftë politologu Koussoulis nuk beson, që të dielën do të ketë një manifestim nacionalist. "Kjo lëvizje proteste ka një rrënjë nacionaliste, megjithatë ajo do të mbështetet nga shumë njerëz dhe do të interpretohet në mënyra të ndryshme - e kryesisht edhe si një mjet i protestëts kundër politikës së qeverisë në përgjithësi", mendon analisti. Çështja e Maqedonisë si ventil për indinjatën popullore kundër kryeministrit të majtë Tsipras? Edhe kjo është e mundur me sa duket. "Të dielën do të jem në shesh, sepse dua të protestoj kundër politikës së qeverisë", deklaron moderatori konservator i radios Ares Portosalte. Udhëheqësi i opozitës Kyriakos Mitsotakis deklaron, se gjithkush duhet të vendosë vetë, nëse do të demonstrojë ose jo të dielën. Por ai e lë të hapur nëse edhe vet do të dalë në protestë ose jo.