1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedoni: Zonat e përmbytura kanë nevojë për ndihmë

Fatos Musliu9 Gusht 2016

Në zonat e vërshimeve në Maqedoni banorët po përballen me pasojat dhe frikën e përsëritjes së reshjeve të fuqishme. Ata kanë nevojë për ndihma emergjente për riparimin e dëmeve.

https://p.dw.com/p/1Jelh
Mazedonien Unwetter
Fotografi: Getty Images/AFP/R. Atanasovski

Banorwt e Hasanbegut, Stajkovcit, Straçincës dhe vendbanimet e tjera të prekura nga vërshimet e së shtunës (06.08), kaluan edhe nje natë me frikën se tmerri mund të përsëritet. Rreshjet e natës se kaluar ishin me intensitet më të ulët. Gjithsesi ata vazhdojnë të përballen me pasojat e vërshimeve, që shkatërruan shumë shtëpi, biznese, e lanë pas vetura të përmbysura dhe shumë dëme të tjera që janë evidente. Banorët e Hasanbegut ankohen për neglizhencën e institucioneve si dhe apelojnë deri tek organet kompetente, që sa më shpejt të pastrohen rrugët dhe të largohen mbetjet e vëshrimeve, sepse mundë të përhapet ndonjë epidemi.

“Kjo shtëpi nuk është për banim, është shkatërruar gjithçka. Jemi në stres. Ju lutem t'i ndihmoni këta njerëëz. Kokën e mbajmë lart nga qielli, edhe pika e vetme e shiut na streson. Kemi trauma”, shprehet banori i Hasanbegut duke u munduar të pastrojë orenditë e shtëpisë.

Mazedonien Unwetter
Fotografi: picture-alliance/abaca/AA/B. Ademi

Banorët e zonave të përmbytura thonë se kanë nevojë për gjërat elementare për ushqim dhe veshmbathje. Ata ankohen se organet e shtetit janë duke reaguar shumë ngadalë për t'u dalë dhënë ndihmë.“Apeli im është për qeverinë dhe të gjitha institucionet e tjera të na ndihmojnë, që sa më parë ta largojmë ujin nga shtëpitë e përmbytura që të mund të punojmë diçka rreth ripatimit të dëmeve të mëdha.Të gjithë ne këtu kemi nevojë për gjërat elementare, ujë të pijshëm ushqim dhe rroba, sepse kemi dalë vetëm me këto rroba që kemi”, thotë Ejup Bekteshi, banor nga lagja Hasanbeg e Shkupit.

Daut Iseni, tregon për momentet e tmerrshme kur ka humbur të motrën Zemrije Sinanin me nipin Endrit Sinanin, ndërkohë që kishte arritur të shpëtonte mbesën dhe nipin tjetër. “Shiu erdhi me shumë vrull, nuk kisha hapësirë. Motrës i thashë ma jep nipin dhe mbesën, të cilët arrita t'i hedh mbi çatinë e një garazhi. Dhe kur u ktheva të marr nipin tjetër dhe motrën, dëgjova për herë të fundit motrën teksa më tha: vëlla më kap dorën. Nuk munda ta kap, ajo shkoi me ujin dhe unë lart me nipin e mbesën mbi tjegulla kemi pritur tri orë deri sa u largua uji”, rrëfen Dauti.

Mazedonien Unwetter
Fotografi: picture-alliance/NurPhoto/Lachner

Vazhdon aksioni humanitar

Në vendbanimet e përmbytura vazhdon aksioni për tërheqjen e ujit nga shtëpitë e përmbytura dhe hapësirat përreth, ku ekipet e specializuara të policisë e ushtrisë vazhdojnë kërkimet për gjetjen e viktimave eventuale. Sipas informacioneve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë, ka arritur në 22 numri i viktimave, ndërkohë që mbi 70 janë të lënduar. Qeveria vendosi që 15 ditët e ardhshme të shpallet gjendje e jashtëzakonshme në vendbanimet që u goditën më rëndë nga shirat e rrëmbyeshëm, ndërkohë që familjeve të viktimave do t'u ndihmohet me një shumë prej 300 mijë denarë rreth 5 mijë euro. Pritet që të formohet dhe një komision i veçantë, i cili do të dalë në teren për të verifikuar dëmet, që më pas do të kompensohen, ka njoftuar qeveria e Maqedonisë.

Në Hasanbeg të Shkupit është kryer edhe ceremonia e varrimit të viktimave nga përmbytjet.

Në qytetin e Shkupit janë ngritur disa qendra ku mblidhet dhe shpërndahet ndihmë për banorët e goditur nga vërshimet. OJQ-të humanitare kanë dalë në terren dhe po ofrojnë ndihmat e para elementare për banorët e prekur nga përmbytjet. “Kemi dërguar ndihma të ndryshme me ujë të pishëm, batanie, bukë, mjete për dezinfektim dhe pastrim. Padyshim se situata atje është alarmante dhe popullata është mjaft e dëmtuar, duhet ta fillojnë jetën nga zeroja, sepse të gjithë çfarë kanë ndërtuar për dekada, e kanë humbur. Po mundohemi t'ua kthejmë lumturinë”, shprehet Rifat Sherifi nga OH “Kalliri i Mirësisë”.

Mazedonien Unwetter
Fotografi: Getty Images/AFP/R. Atanasovski

Sistemi atmosferik favorizon katastrofën natyrore

Katastrofa natyrore me përmasa shkatërruese dhe fatale u favorizua edhe nga sisitemi jo adekuat dhe i bllokuar atmosferik i kanalizmit në qarkun e Stajkovcës, thotë profesori arkitekturës Mirosllav Gërçev. Ai thot, se ai sistem është i kapaciteteve të ulta për të përcjelljë deri në 93 metra kub ujë, siç ndodhi parmbrëmë. Gërçev gjithashtu thotë se ky sistem nuk është mirëmbajtur nga autoritetet e qytetit. “Kur ju keni një sistem, i cili është i bllokuar, i lënë pas dore atëherë përmbytjet nuk mund të anashkalohen.Ky sistem në disa vende është 100% i bllokuar, në disa vende 95, por edhe 80%. Nuk do të gjeni asnjë pjesë të sistemit të kanalizmit, që t'i shkakrojë ujërat me kapacitet mbi 50%”, thotë profesori Gërçev. Gërçev përpos sistemit joadekuat atmosferik, thotë se e keqja u favorizua edhe nga pyjet e zhveshura në këtë zonë. “Sa më pak pyje që keni aq më i madh është vërshimi, pasi pyjet mbajnë jo vetëm tokën por edhe ujin. Kështu kur bie shi në tokë të zhveshur, atëherë uji depërton thellësitë, fuqizohet gjatë rënies dhe bën dëme dhe merr jetë njerëzish dhe shkatëron vendbanime”.

Gjatë ndërtimit të qarkut të Shkupit profesorë të fakultetit të ndërtimtimit kanë kërkuar që ujrat atmosferike të mos derdhen mbi ose nën qarkun e Shkupit, por të krijohet sistem që do t'i dërdhte ato në lumin Vardar. Kjo ide, gjithnjë sipas profesor Gërçev, nga kompetentët e qytetit të Shkupit është pranuar në heshtje.