1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Maqedoni: Zgjedhjet parlamentare nuk janë zgjidhje e problemeve

Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë Trajko Velianovski shpalli mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale me datën 13 prill. Por edhe diskutimi për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare është aktual.

Në kuloaret e partive politike në Maqedoni gjithnjë e më shumë po shtohen zërat se zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë gjithnjë e më afër. Partia shqiptare në koalicionin qeveritar BDI insiston në idenë e presidenti konsensual. Nëse kjo kërkesë e BDI-së nuk merret parasysh, atëherë BDI do të kërkojë zgjedhje të parakohshme parlamentare bashkë me ato presidenciale, thotë sekretari i përgjitshhëm i BDI-së, Abdylaqim Ademi.

“Nëse nuk hasim në mirëkuptim të ofertës për president konsensual, do të konsiderojmë që subjektet politike ende nuk janë të gatshme për këtë ofertë dhe se ende nuk janë të pjekura për të pranuar ballafaqimin me sfidat e reja. Nëse ideja jonë refuzohet, atëherë do të shqyrtohen të gjitha opcione te tjera duke mos përjashtuar edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare”, shprehet Ademi.

Kryeministri Gruevski nuk përjashton edhe opcionin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Kryeministri Gruevski nuk përjashton edhe opcionin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

“Kryeministri Nikolla Gruevski thotë se partia e tij është e përqëndruar në zgjedhjet presidenciale, megjithatë duke marrë parasysh idetë e partnerit të koalicionit qeveritar për president konsensual, nuk përjashton edhe opcionin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Deklaratat, që po i japin zyrtarët e BDI-së, hedhin një dritë të re ndaj zhvillimeve, të cilat pasojnë dhe ne këtë me vëmendje po e ndjekim dhe po e analizojmë”, është shprehur Gruevski duke mos u shprehur qartë, nëse partia e tij është për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Opozita kërkon argumente për mbajtjen e zgjedhjeve

Partitë opozitare LSDM dhe PDSH thonë se janë të gatshme për zgjedhje të parakohëshme parlamentare, por se ky vendim është në duart e dy partive qeverisëse.

“Në këtë periudhë ne jemi të përqëndruar në gjetjen e një kandidati për president të shtetit. Se a do të ketë zgjedhje të parakoshhme parlamentare apo jo, kjo varet nga pushteti. LSDM është e gatshme që të garojë edhe në zgjedhjet parlamentare”, thotë kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

Zaev: LSDM është e gatshme që të garojë edhe në zgjedhjet parlamentare.

Zaev: "LSDM është e gatshme që të garojë edhe në zgjedhjet parlamentare."

Koordinatori i grupit parlamentar të PDSH-së, Ymer Aliu, vlerëson se ideja e një kandidati konsensual për president është shpërqëndrim i opinionit nga problemet reale.

“Ne si parti opozitare nuk mund të jemi kundër zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Por partitë në pushtet BDI dhe VMRO duhet të kenë argumente të besueshme në arsyetimin e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohëshme”, shprehet Aliu.

Zgjedhjet parlamentare në interes të partive e jo të vendit

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare, bazuar në sondazhet e fundit, të cilat në vazhdimësi i nxjerrin fitues partnerët e koalicionit qeveritar, do të ishin të pakuptimta dhe vetëm se do të shtonin jetëgjatësinë e pushtetit të tyre, thonë analistët.

Sipas Denko Malevskit, mbajtja eventuale e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare së bashku me zgjedhjet e rregullat presidenciale, është në interes të partive politike në pushtet dhe jo interes i vendit. “Partive në pushtet u konvenon shpërqëndrimi i vëmendjes së opinionit, të shkëputen nga temat e integrimit e të merren me çështje të përgjitshhme. Partitë kanë marrë mandate, që të zgjidhin problemet e jo të ikin prej tyre, apo të kërkojnë edhe një mandat, i cili do t'i linte të pazgjidhura shumë probleme”, thotë profesori universitar, Denko Malevski.

Politikanët në Maqedoni janë të pandërgjegjshëm, qoftë edhe për çështjet elementare, thotë analisti Zdravko Savevski. Ideja për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohësme parlamentare mund të shkaktojë destabilizim të ri në skenën politike. ”Në interes të Maqedonisë dhe qytetarëve është stabiliteti politik dhe jo ngritja e tensioneve për interesa të partive politike. Zgjidhjet janë të vështira, por nëse ekziston vullnet, çdo problem mund të tejkalohet e jo të kërkohen mënyra të tjera për zvarritjen, apo moszgjidhjen e tyre, siç është kërkesa për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare”, thotë analisti Zdravko Savevski.

Malevska: Me zgjedhjet parlamentare zbehet diskutimi për politikën e jashtme.

Malevska: "Me zgjedhjet parlamentare zbehet diskutimi për politikën e jashtme."

Maqedonia nuk ka nevojë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, sepse ato do të shpërqëndronin vëmendjen nga zgjedhjet e rregullta presidenciale, që ndërlidhen shumë me politikën e jashtme, shprehet Mirjana Malevska. “Në fushatën e zgjedhjeve presidenciale tema kryesore do të jetë politika e jashtme e Maqedonisë, problemet që ne i kemi me grekët, bullgarët e kështu me radhë. Nëse njëkohësisht mbahen edhe zgjedhjet parlamentare, diskutimi për politikën e jashtme të Maqedonisë do të mbetet në plan të dytë”, thotë Malevska.

Nëse nuk ka indikacione dhe paralajmërime për ndryshim të kursit politik të kryeministrit, nuk ka nevojë për zgjedhje të parakohshme parlamentare, vlerëson analisti Ismet Ramadani.

“Në qoftë se pas ndryshimeve në kompozicionin qeveritar nuk do të ishte VMRO-DPMNE, atëherë ia vlen të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, sepse nëse sërish kryeministër është Gruevski, nuk do të kemi asnjë hap para në zgjidhjen e çështjes së emrit, që drejpërtdrejt lidhet me procesin e eurointegrimeve”.

Analistët janë të mendimit se zgjedhjet e parakohshme parlamentare mund të jenë mënyra e vetme për të dalë nga situata, në të cilën gjendet koalicioni qeveritar, por zgjedhjet eventuale nuk do të ishin zgjidhje për problemet, me të cilat tanimë një kohë të gjatë përballet Maqedonia.