1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedoni: zgjedhjet e parakohshme zyrtarisht më 5 qershor

Fatos Musliu15 Prill 2016

Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë Trajko Veljanoski nënshkroi (15.04) zyrtarisht vendimin për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, që do të zhvillohen më 5 qershor.

https://p.dw.com/p/1IWe4
Mazedonien Anti-Regierungsproteste in Skopje
Fotografi: Reuters/O. Teofilovski

"Në bazë të kompetencave të mia kushtetuese, nënshkrova vendimin për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, që do të zhvillohen më 5 qershor të vitit 2016. Vendimin për shpallje të zgjedhjeve e dorëzova tek Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, si organ për zbatim të zgjedhjeve, tek Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Jashtme", thuhet në deklaratën me shkrim të Veljanoskit. Ai njëkohësisht shpreh bindjen, se zgjedhjet do të mbahen në atmosferë të qetë dhe demokratike.

"Besoj se të gjithë subjektet e kyçura në procesin zgjedhor do të kontribuojnë që zgjedhjet të kalojnë në atmosferë të qetë dhe demokratike dhe se secili nga ne më 5 qershor do ta realizojë të drejtën e tij të votimit, ta japë besimin e tij për ato subjekte politike tek të cilët beson se do të mund të realizojnë të tashme stabile dhe të ardhme më të mirë", thekson kryetari i Parlamentit Trajko Veljanoski.

Zaev: Nuk do të lejojmë mbajtjen e zgjedhjeve më 5 qershor

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev ka njoftuar se partia e tij nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e 5 qershorit, që sot i nënshkruajti kryetari i Parlamentit Trajko Veljanovski. “LSDM, nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet jo të rregullta, si ato që do të jenë më 5 qershor, por as nuk do të lejojë zgjedhje të tilla. Në Maqedoni janë të mundshme vetëm zgjedhjet e rregullta, me listë të pastruar zgjedhore dhe reforma në media”, deklaroi Zaev. Sipas LSDM-së, vendimi për faljen e kriminelëve nga pushteti i Gjorge Ivanovit vlerësohet si grusht ndaj shtetit dhe nga partia në fjalë kërkojnë që ai ta tërheqë vendimin.

BDI: Na duhet maturi në këtë situatë të trazuar politike

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti pas takimit të zhvilluar me ambasadorin amerikan Jess Baily dhe ate të BE-së Aivo Orav tha se BDI po bën çmos për ta zgjidhur këtë situatë në të mirë të qytetarëve të vendit. “Jemi duke punuar në mënyrë intensive për ta zgjidhur situatën në të mirën e qytetarëve dhe për t'i dhënë fund kësaj krize që rëndon dhe cënon sigurinë, stabilitetin, mirëqenien, ekonominë, por edhe integrimin EuroAtlantik”, thuhet në njoftimin e Ahmetit. BDI, si palë nënshkruese e Marrëveshjes së Përzhinos për tejkalimin e krizës politike, i drejtohet, presidentit Gjorge Ivanov me kërkesë për ta rishikuar vendimin për falje të datës 12 prill.

“Të deklaroni një angazhim të qartë politik për tërheqjen apo anulimin e vendimit për amnesti. Kërkojmë urgjentisht që ta rishqyrtoni këtë vendim dhe në kohë sa më të shkurtër të mundshme të sillni vendim politik për të tejkaluar situatën e sapo krijuar”, thuhet në njoftimin e BDI-së.

Reagojnë ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së

Dhuna të ndalet, ndërsa partitë politike të nisin me përgatitjet për zgjedhje, këtë e porositi ambasadori i BE-së Aivo Orav, menjëherë pasi Trajko Velanoski i shpalli zgjedhjet për më 5 qershor. Dua që t`i ftoj që të ndalojnë provokimet e qëllimta për qëllime politike, pasi këto janë të papranueshme. “Nëse nis që të pëhapet dhuna, atëherë me të vërtet vështirë se ajo mund të ndalet dhe i rrënon të gjitha përpjekjet për integrimin evropian të vendit. Për këtë qëllim u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të kthehen në tavolinë dhe të diskutojnë e të përgatiten për zgjedhje të besueshme”, theksoi Orav.

Ambasadori i SHBA-së në Shkup, Jess Baily, pas takimit me presidentin e shtetit Gjorge Ivanov, përsëri ka dënuar vendimin e Ivanovit për ndërprerje të proceseve gjyqësore kundër politikanëve dhe ka bërë thirrje që të shmanget dhuna.

“Falja masive është e njëjtë me mosdënimin dhe është pengesë për zgjedhje të besueshme dhe për rrugën eurotalantike. Protestat e qeta janë e drejta fundamentale. Dhunës dhe vandalizmit duhet t'i thuhet ‘jo'”, ka thënë Baily.

Vazhdojnë protestat e qytetarëve

Me kërkesën për dorëheqjen e Qeverisë së Maqedonisë dhe gjykimin e të gjithë zyrtarëve të dyshuar nga prokuroria për mashtrime zgjedhore dhe krime tjera të rënda, mijëra qytetarë kanë protestuar edhe mbrëmjen e së enjtes, fillimisht para Parlamentit dhe më pas para Qeverisë, ku kanë qëndruar deri rreth mesnatës. Përplasje mes policisë dhe protestuesve ka pasur në një moment, por nuk është raportuar për ndonjë të lënduar. Qytetarët që kishin dalë në protestë edhe njëherë shprehën pakënaqësinë ndaj vendimit të presidentit Gjorgje Ivanov për të amnestuar zyrtarët, madje ende pa pasur një epilog gjyqësor.

“Vetëm populli mund ta rrëzojë këtë qeveri. Ky pushtet është një bashkim i grupeve kriminale. Këta duhet të përballen me drejtësinë, nuk mund të ikin nga përballja me realitetin”, thotë një qytetar i revoltuar. Aktivisti Petrit Saraçini, ndërkohë, ka ftuar edhe partitë opozitare shqiptare që t'i bashkohen protestave. “Po shoh se kur po digjet shteti vetëm një apo dy parti shqiptare të opozitës janë këtu. Të tjerat heshtin sikur ky problem të mos jetë edhe i tyre. Por, ky është edhe problem i shqiptarëve sikurse është problem edhe i maqedonasve, i serbëve, i vllehëve, i turqve, e të tjerëve”, ka deklaruar Saraçini.