1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Maqedoni: Zgjedhje po, nëse plotësohen kushtet

Zgjedhjet e 24 prillit në Maqedoni po vihen gjithnjë e më shumë në pikëpyetje. Brukseli vazhdon të këmbëngulë për zbatimin e duhur dhe të plotë të marrëveshjes së qershorit.

Mazedonien Wahlkommission (DIK)

Komisioni Shtetëror Zgjedhor

Zgjedhjet e 24 prillit në Maqedoni po vihen gjithnjë e më shumë në pikëpyetje. Brukseli zyrtar tregohet i përmbajtur mbi polemikat politike në vend lidhur me shtyrjen e mundshme të zgjedhjeve. Sipas zëdhënëses së Komisionit Evropian Maja Kocijançiq, Brukseli vazhdon të këmbëngulë për zbatimin e duhur dhe të plotë të marrëveshjes së qershorit. Kocijanciq pranoi synimin e komisionerit Johanes Hahn për të vizituar Maqedoninë, menjëherë pas festave. Ajo nuk deshi të spekulonte për zërat që qarkullojnë, se një pjesë e partive po kërkojnë shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Të gjitha këto zëra mbeten të shuhen vetëm pas vizitës së Hahn, ndërkohë që zbritja e tij në Shkup do të paraprihet nga vizita e tre euro-deputetëve në Shkup.

Opozita kërkon përmbushjen e kushteve për zgjedhje demokratike

Lideri i LSDM-së Zoran Zaev ka deklaruar, se partia e tij nuk i shmanget zgjedhjeve të parakohshme të 24 prillit, pasi mbajtjen e tyre e ka kërkuar vetë ajo. Zaev kërkon plotësimin e të gjitha parakushteve, pastrimin e listës zgjedhore në afatin e përcaktuar ligjor, përmbylljen e bisedimeve të grupeve të punës për reformat në media dhe çështjeve të tjera të hapura 100 ditë përpara mbajtjes së zgjedhjeve.

“Në gjysmën e parë të janarit në Maqedoni do të vijnë disa eurodeputetë si dhe eurokomisari Johanes Hahn. Atëherë do të vendosnim nëse ka mundësi për proces korrekt, se a do të mbahen zgjedhjet apo jo. Megjithatë, për këtë s'mund të vendos vetëm LSDM. Ne jemi vetëm njëra palë në proces. Por, nëse ka garanci të forta se ajo që është arritur si marrëveshje do të respektohet, ne do të marrim pjesë në zgjedhje” deklaroi Zaev. Ai mohoi shkrimet e mediave pro- qeveritare se në parti është marrë vendimi që mos të dilet në zgjedhje.

Gruevski: opozita kërkon alibi për humbje

Kryeministri Nikolla Gruevski ka pranuar tërheqjen e tij në janar dhe hapjen e rrugës për qeverinë e re, konform Marrëveshjes Politike. Ajo që është rënë dakord, që më 15 janar të ketë qeveri të re, do ta respektojmë, ka thënë kryeministri Nikolla Gruevski. Për kreun e VMRO-së, Nikolla Gruevski, LSDM-ja kërkon të blejë kohë, sepse e di humbjen.

“Sa për ne, zgjedhje duhet të ketë pasi ajo që shkaktoi LSDM-ja gjatë këtij viti, duhet të qartësohet në zgjedhje, dhe ata të marrin mësimin nga qytetarët. Duhet të merret vesh se çfarë e pret një parti, e cila po e destabilizon vendin në mënyrë të ulët. Duhet të dilet në zgjedhje dhe nuk duhet t'i shmangemi popullit”, ka thënë kryeministri Nikolla Gruevski.

Partitë shqiptare të gatshme për zgjedhje

Kryetari i PDSH MnduhThaçi ka thënë se 2016-ta do të jetë vit i shpresës së madhe për shkak të zgjedhjeve të prillit, që lë të kuptohet se ato nuk do të shtyhen: “Para nesh me gjithë atë është një vit i shpresës së madhe, më 24 prill do të arrijmë që përmes votës së lirë të garantuar nga SHBA dhe BE t`i themi mjaft kësaj situate, mjaftë këtij trishtimi, këtij mjerimi dhe këtyre vuajtjeve”, ka deklaruar Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.

Kreu i BDI-së Ali Ahmeti ka thënë se shtyrja eventuale e zgjedhjeve do të thellonte edhe më tepër krizën politike. “Ne vlerësojmë se çdo tendencë për të lënduar marrëveshjen e 2 qershorit të arritur mes katër forcave politike, Bashkimit Evropian dhe SHBA-së, është shkatërrim, minim i marrëveshjes së 2 qershorit. Zgjedhjet e 24 prillit assesi jo vetëm të shtyhen, por as nuk duhet menduar që ato të shtyhen se shtyrja e zgjedhjeve të 24 prillit do të thotë t'i hedhësh zjarrit benzinë. Shtyrja e zgjedhjeve do të thotë të destabilizosh vendin. Shtyrja e zgjedhjeve do të thotë krizë e thellë politike, krizë e thellë institucionale”, është shprehur Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

A ka kohë KSHZ të organizoj zgjedhje?

Komisioni Shtetëror Zgjedhor hedh poshtë çdo mundësi për shtyrjen e afatit të zgjedhjeve. Sipas nënkryetarit Rexhep Prekopuca, KSHZ bën përpjekje maksimale për t'i përmbushur të gjitha detyrimet përfshi pastrimin e listës zgjedhore, me qëllim që zgjedhjet e prillit të jenë korrekte dhe demokratike. “Jemi në punime intensive, jemi në konsultime me ekspertë të organeve të ndryshme shtetërore, të teknologjisë informatike, për të përgatitur sa më shpejt dy rregulloret për krahasimin e të dhënave, databasave të ndryshme siç parashikohet me ligj, besoj se teksti i këtyre projekt rregulloreve së shpejti do të dalë nga KSZH dhe do t'iu dorëzohet partive politike”, shprehet Rexhep Prekopuca, nënkryetar i KSHZ-së.

Ekspertët shprehin dyshime rreth aftësisë së KSHZ-së që brenda katër muajsh të kryejë të gjitha detyrimet ligjore dhe t'i mënjanojë parregullsitë e deritanishm. “KSHZ nuk ka as teknikë, as kohë dhe as personel të mjaftueshëm, që të përpilojë një listë zgjedhore e cila do të jetë e pranueshme për të gjitha subjektet, aq më pak ka kohë ai të bëjë identifikimin e personave në terren ashtu siç e detyrojnë rekomandimet e Pribes dhe të Marrëveshjes së 2 qershorit dhe 15 korrikut”, vlerëson Naser Zyberi, ekspert.

Analistët nuk përjashtojnë mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve, duke marrë parasysh vlerësimet diametralisht të kundërta ndërmjet partive lidhur me realizimin e pikave të marrëveshjes. “Ka kohë për përmbushjen e marveshjeve nëse për këtë ekziston një përkushtim absolut nga të gjitha palët, në veçanti nga VMRO DPMNE-ja, pasi ajo kontrollon shumicën e institucioneve. Në qoftë se ai përkushtim zbatohet, mendoj se zgjedhjet mund të mbahen më 24 prill, por fatkeqësisht përvoja na mëson se një përkushtim i tillë jo që nuk ekziston, por kemi veprime të kundërta, obstruksione apo ngadalësim të proceseve“, vlerëson analisti Albert Musliu.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të prillit duhet të jenë finalja e marrëveshjes politike, e cila u arrit nga partitë politike nën mbikëqyrje të faktorit ndërkombëtar me qëllim të nxjerrjes së vendit nga kriza politike.