1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedoni: Vlerësime pozitive për ditën e votimit

11 Dhjetor 2016

Zgjedhje përgjithësisht të qeta e pa incidente në Maqedoni.

https://p.dw.com/p/2U6wo
Mazedonien Parlamentswahlen
Fotografi: Getty Images/AFP/R. Atanasovski

Deri në orën 13 përqindja e daljes në votime në zgjedhjet parlamentare të së dielës (11.12.)  ishte 34.86 %  nga 3.300 qenra votimesh të përpunuara prej gjithsej 3.524, njoftoi në konferencë shtypi kryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor, Aleksandar Çiçakovski. Pjesëmarrja më e ulët vazhdon të jetë në njësinë e gjashtë me 24.03 për qind, ndërsa më e larta në njësinë e katërt me 39.28 për qind. Në votime deri në orën 13:00 patën dalë 581.899 votues nga gjithsej 1.784.416 qytetarë në Listën Zgjedhore.

"KSHZ nuk ka të dhëna zyrtare për prishjen e procesit zgjedhor dhe votimi është duke u realizuar në mënyrë të qetë dhe në një atmosferë të drejtë, pa parregullsi”, deklaroi Çiçakovski.

Qytetarët janë të bindur se pas këtyre zgjedhjeve Maqedonia do të fillojë të bëjë realitet një ardhmëri më të sigurtë për të gjithë qytetarët.

"Shfrytëzova të drejtën e votës, ishte qetë dhe procesi po shkon pa probleme. Le të fitojë më i miri, kriza politike zgjati shumë, nuk kemi kohë të meremi me të kaluarën duhet të shohim para”, shprehet një qytetar në komunën e Çairit pasi që kishte votuar.

"Votuam lirshëm, së bashku me bashkëshorten, nuk vërejta asnjë presion”, thotë një votues tjetër.

"Nuk arrita të votoj, sepse emri im nuk figuronte në listë, m'u dhanë udhëzime se si të veproj , tani jam duke shkuar në zyrat e KSHZ-s ndoshta atje kam fat  dhe ma gjejnë emrin”, thotë banori nga Shkupi i cili duhej të votonte në njësin numër 1.

MPB shënon incidente të vogla

Që nga hapja e vendovitimeve e deri në orën 13 nuk ka pasur incidente të mëdha, por janë paraqitur një numër i vogël i incidenteve të vogla, ndaj të cilave është reaguar, thotë Jordan Limanovski, nga MPB.

"Një person është arrestuar për shkak të fotografimit të fletës votuese me celular. Për shkak të këtij rasti votimi në këtë shkollë ka qenë i ndërprerë. Në komunën e Çairit është arrestuar një person i cili në makinën e tij në vend të tabelave të regjistrimin, kishte parulla që të votohet një parti politike. Në komunën e Shuto Orizarës, taksistë ilegalë me 14 makina kanë transferuar votues deri në votime. Në komunën e njëjtë është vërejtur një grup prej 5-6 personash i kanë sugjeruar votuesit se cilin numër të rrethojnë”, ka deklaruar Limanovski

Vëzhguesit me vlerime për procesin e votimit

Sipas informatave të vërtetuara nga vëzhguesit dhe zyrat rajonale të MOST-it, deri tani janë vërejtur një sërë paregullsish nëpër vendvotime.

Organizata jo qeveritare CIVIL, që monitoron procesit zgjedhor, ka theksuar se janë vërejtur 140 parregullsi, për të cilat nuk është ngritur procedim penal.

”Ne si organizatë në këto momente, mund të themi se heshtje zgjedhore për momentin nuk ekziston. Mbi 1000 qytetarë nuk kanë arritur t'a realizojnë të drejtën e tyre të votës. Madje edhe një lider partie na është paraqitur se nuk e ka një familjar në Listën Zgjedhore”, thotë  Xhabir Deralla, nga CIVIL.

Në  zyrën e Avokatit të Popullit, në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve po funksionon linja falas telefonike  në të cilën qytetarët do të mund të paraqesin çfarëdo shkelje të së drejtës zgjedhore. Siç informojnë nga Kabineti i Avokatit të Popullit të drejtat e qytetarëve do t'i mbrojë me marrjen e masave urgjente për veprim efektiv nga ana e organeve kompetente në procesin zgjedhor dhe institucionet e tjera të cilat janë të obliguara që t'i sigurojnë mbrojtje të drejtave të tyre të garantuara

Ndërkombëtarët japin nesër vlerësimin

Përfaqësuesit e OSBE-së janë duke vëzhguar procesin zgjedhor nëpër të gjitha qendrat e votimit. Koordinatori special përgjegjës për misionin e OSBE, Roberto Bateli, ishte në disa vendvotime në Shkup.

"Do të mbajmë një konferencë për media të hënën dhe atëherë do të japim vlerësimin tonë për këto zgjedhje të parakohshme parlamentare, ku do t'i japim konkluzionet tona për ditën e zgjedhjeve. Nuk kam se çka të them më shumë për momentin, do të jeni të informuar nesër”, deklaroi Përfaqësuesi i OSBE Roberto Bateli.

"Maqedonia vërtet duhet t'i organizojë mirë këto zgjedhje për të tejkaluar krizën politike që ka zgjatur dy vite. Unë ju uroj më të mirën popullit në Maqedoni dhe shpresoj se ne do të duhet të shkruajmë një qëndrim pozitiv për ditën e zgjedhjeve”, tha përfaqësuesi i OSBE Azaj Gulijev.

Gjithsej 667 vëzhgues të huaj dhe 7585 vëzhgues vendas po monitorojnë zgjedhjet parlamentare.

Vendvotimet mbyllen në ora 19, ndërsa rezultatet e para preliminare nga votimi për zgjedhjet e parakohshme parlamentare pritet të publikohen pas mesnate.

 

 

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut