1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Maqedoni : Vazhdojnë negociatat për krijimin e qeverisë

Partia Demokratike Shqiptare nuk do të participojë në Qeverinë e koalicionit nëse në të bën pjesë edhe Bashkimi Demokratik për Integrim, ka deklaruar kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.

Takim i kryetarëve të Partive në Shkup

Takim i kryetarëve të Partive në Shkup

PDSH nuk mund të jetë në një Qeveri të përbashkët me një parti e cila ka kriminalizuar votën e lirë të shqiptarëve. Çështja e formimit të Qeverisë së koalicionit varet nga mandatari i cili me Kushtetutë dhe ligj ka të drejtë absolute për caktimin e partive se cila do të jetë në Qeveri.

“Gruevski mund ta bëjë Qeverinë vet, mund të thërrasë parti të tjera në koalicionin qeveritar, nëse PDSH merr ftesë ky propozim do të dërgohet në shqyrtim në organet e partisë,” ka theksuar kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.

Nikolla Gruevski ka zhvilluar bisedë telefonike me Ali Ahmetin dhe Menduh Thaçin; të cilëve u ka uruar rezultatin zgjedhor dhe mandatet e fituara të deputetëve. Ai ende nuk është prononcuar se cilën parti shqiptare do ta ftojë në Qeveri.

“ Së shpejti duhet të formojmë Parlamentin dhe Qeverinë e re. Këto dy institucione duhet të formohen sa më parë sepse na presin shumë obligime për afrimin e vendit në BE dhe NATO,” ka thënë Gruevski

Analistja politike, Biljana Vankovska, vlerëson se Gruevski në Qeveri duhet të ftojë vetëm një parti shqiptare. Nëse kërkesat e ndonjë partie shqiptare janë të mëdha, Gruevski ka të drejtë legjitime në Qeveri të marrë atë parti e cila ka kërkesa më reale, thotë Biljana Vankovska.

“Gruevski duhet të fillojë negociatat me të dy partitë politike shqiptare. Këto bisedime nuk duhet të zhvillohen në bazë të numrit të deputetëve të fituar, pikënisje e negociatave duhet të jetë lista e kërkesave të partive shqiptare. Nëse partitë shqiptare insistojnë që të udhëheqin me resor të rëndësishëm, mandatari mund në bazë të këtyre kërkesave të sjellë vendimin përfundimtar se cila parti shqiptare do të jetë në Qeveri.”

Gjithnjë sipas Vankovskës, Gruevski nuk guxon të koketojë dhe t`u jep sinjale të rrejshme të dyja partive shqiptare se mund të jenë pjesë e Qeverisë. Është me rëndësi që Gruevski, procesin politik me partitë politike shqiptare ta zhvillojë brenda Parlamentit dhe Qeverisë dhe të gjitha kërkesat të jenë pjesë e platformës qeveritare. Çdo bisedë plotësuese e kryeministrit jashtë institucioneve të shtetit do të ishte rrezik dhe do të përsëriste krizën politike te vitit 2006, thotë analistja politike, Biljana Vankovska.

Mbledhja konstituive e përbërjes së re parlamentare pritet të thirret për të premten. Afati i fundit për të formuar Qeverinë është 6 gushti por duke pasur parasysh zhvillimin e negociatave për çështjen e emrit midis Greqisë dhe Maqedonisë mund të pritet që Qeveria të formohet edhe para kësaj date.

  • Data 18.06.2008
  • Autor Fatos Musliu / Shkup
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/EMEI
  • Data 18.06.2008
  • Autor Fatos Musliu / Shkup
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/EMEI