1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Maqedoni : Si e presin të rinjtë heqjen e vizave me BE?

Sinjalet pozitive nga Brukseli për liberalizimin e mundshëm të regjimit të vizave për Maqedoninë që nga fillimi i vitit të ardhshëm është pritur me pompozitet nga autoritetet politike në Shkup.

Imazh simboli Maqedoni - BE

Brukseli ka dhënë sinjale pozitive për liberalizimin e regjimit të vizave për Maqedoninë.

Ministri i punëve të jashtme i Maqedonisë Antonio Milloshovski, thotë se vlerësimi i Këshillit të Minisrave të jashtëm të BE-së, për të arriturat e Maqedonisë në drejtim të liberalizimit të regjimit të vizave, do të thotë një mirënjohje për autoritetet e Shkupit. Ky vlerësim i Këshillit të ministrave do të thotë njëherësh, se në BE ekziston vullnet politik për liberalizimin e regjimit të vizave, thotë Milloshovski. "Dosja e Maqedonisë për heqjen e vizave është e pastër dhe nuk varet nga ndonjë problem i vogël eventual, me të cilin mund të ballafaqohet vendi deri në heqjen e tërësishme të vizave”, thotë ministri Milloshovski.

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë Abdylhaqim Ademi, thotë se sinjalet pozitive nga Brukseli inkurajojnë qeverinë e Shkupit në shumë aspekte. “Vlerësimi i Këshillit të ministrave për ne, është inkurajues dhe ne do të vazhdojmë edhe mëtutje të plotësojmë kriteret teknike dhe ato politike, jo vetëm për liberalizimin e vizave por, edhe për antarësimin e plotë të vendit në Bashkimin Evropian," thotë zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Abdylhaqim Ademi.

Antonio Milloshovski dhe Oli Rehn.

Sinjalet pozitive nga Brukseli inkurajojnë qeverinë e Shkupit në shumë aspekte.

Liberalizimi i regjimit të vizave do të thotë se qytetarët e Maqedonisë, do të mund të udhëtojnë lirshëm në vendet e BE-së, pa viza dhe të qëndrojnë atje tre muaj si turistë, për biznes apo për shërim. Por, liberalizimi i vizave nuk do të thotë, se qytetarët paraprakisht pa ndonjë leje mund të punojnë në vendet e BE-së.

Miki Trajkovski, nga OJQ-ja “Për të rinjtë”, thotë se tani duhet tu shpjegohet qytetarëve me kujdes, për kushtet në të cilat do të vlejë liberalizimi i regjimit të vizave. “Liberalizimi i vizave nënkupton edhe vajtjen e shumë të rinjve në vendet e BE-së. Ata mendojnë se atje do të mund të punojnë. Por kjo nuk është e vërtetë, sepse liberalizimi i regjimit të vizave nuk do të thotë, se qytetaret fitojnë automatikisht të drejtën edhe të punojnë në vendet e BE-së," thotë Miki Trajkovski.

Sipas autoriteteve të Maqedonisë, rreth 70 për qind e të rinjve të Maqedonisë nuk kanë vizituar asnjëherë ndonjë vend të Bashkimit Evropian. Ata edhe pse i gëzohen faktit të heqjes së vizave, shprehin edhe një dozë pesimizmi nëse vërtet do të mund të udhëtojnë në Evropë. “Do të mund të udhëtojë vetëm ai që ka para. Me këto të ardhura mujore minimale, ne nuk mundemi të planifikojmë edhe një vizitë turistike në vendet e BE-së," thotë Ollga Petrovska, nga Shkupi.

Autor : Fatos Musliu

Redaktoi : Aida Cama

  • Data 23.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/IXYZ
  • Data 23.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/IXYZ