1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Maqedoni: Shumë premtime - pak realizime

Një javë pas fillimit të fushatës për zgjedhjet lokale, analistët thonë se kandidatët për kryetarë komunash janë nën hijen e liderëve të partive. Mungojnë projektet për pushtetin lokal, mbizotërojnë tema kombëtare .

Sheshi Maqedonija në Shkup

Sheshi Maqedonija në Shkup

Temat lokale janë  të dorës së dytë në krahasim me çështjet politike, të cilat dominojnë në këtë fushatë. Opozita maqedonase në paraqitjet e para, para elektoratit jepte sqarime për arsyen e bojkotit të zgjedhjeve dhe përqëndrohej  në qëndrimin se në Maqedoni duhet të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Koalicioni “Për Maqedoninë më të mirë,” i udhëhequr nga partia në pushtet VMRO-DPMNE, në mitingjet e tij hapësirë më të madhe u kushton aferave të opozitës e vetëm në radhë të dytë projekteve me të cilat kandidon në këtë fushatë.

Meny e pasur premtimesh

Në këtë fushatë zgjedhore kandidatët për kryetarë të komunave premtojnë edhe “qumësht dallandysheje”: mbi 1 mijë projekte, prej të cilave disa voluminoze, disa jo logjike - furnizim me gaz për Shkupin, zona të lira ekonomike në Manastir, Prilep dhe Strumicë, rikonstruktim të bulevardeve, ndërtim të një sërë çerdheve për fëmijë e azileve për pleq. Këto janë vetëm disa nga projektet, të cilat i premton VMRO-DPMNE. Në premtime nuk ngecin as opozitarët, LSDM-ja premton ndërtimin e 30 fabrikave në Strumicë, hapjen e 3 mijë vendeve të reja të punës dhe shumë hektarë gjelbërim në qytetet më të mëdha të Maqedonisë.

Nuk mbeten pas as partitë politike shqiptare me ofertat e tyre drejtuar votuesve. Hapja e shkollave të reja, ndërtimi i infrastrukturës komunale, ambulancave , sallave sportive dhe përkrahja e biznesit të vogël dhe të mesëm janë disa nga premtimet që bëhen.

Qytetarët në pritje të veprave konkrete

Qytetarët e anketuar thonë se e kanë humbur besimin tek politikanët, veçanërisht kur bëhet fjalë për premtimet në fushatën parazgjedhore.

“Vetëm se na torturojnë me premtime, në fushatë të gjithë politikanët janë gojëmbël, por sapo përfundon fushata ata mbyllen në zyra dhe i harrojnë premtimet”.

“Kisha besim se diçka do të ndryshojë për të mirë, por jam zhgënjyer dhe nuk besoj më. Premtojnë ndërtimin e objekteve , zvogëlimin e papunësisë, ndërsa ne jemi dëshmitarë se për çdo ditë e më shumë po bëhemi më të varfër”.“Nuk i besoj as njërës e as palës tjetër sepse në 20 vite të kaluara ata nuk bën asgje për qytetin ku jetoj”, thonë qytetarët e anketuar.

Por një pjesë e qytetarëve shprehen të kënaqur nga pushteti  lokal. Ata thonë se në masë të madhe premtimet që bëhen në fushatë edhe realizohen. “Lagja e Karposhit ka ndryshuar dukshëm, kemi rrugë bashkëkohore, janë ndërtuar vendparkime të reja, jam i kënaqur edhe me gjelbrimin në lagjen tonë”,“Ka përmirësime, kjo vërehet në sportelet e pushtetit lokal, ku për marrjen e një dokumenti procedura është shkurtuar tej mase,”thonë qytetarët.

Vardar Fluss im Zentrum von Skopje, Mazedonien

Premtime sa për ta fituar mandatin

Sociologu Gjorgji Tonevski vlerëson se kandidatët për kryetar komunash i kaplon euforia dhe jo rrallë herë premtojnë gjera të pa realizueshme. Edhe pse në Maqedoni ende nuk është bërë regjistrimi i popullsisë, ka raste ku kandidatët për kryetar komune premtojnë regjistrimin e kafshëve shtëpiake. Arsyet pse qytetarët e kanë humbur besimin tek premtimet e politikanëve, sociologu Tonevski i ndan në objektive dhe subjektive.

“Arsyet subjektive kanë të bëjnë me faktin se politikanët nuk mund t'i plotësojnë deri në fund premtimet, ndonjëherë krijohet përshtypje se premtimet vlejnë derisa të fitohet mandati. Por, ekzistojnë edhe arsye objektive, sepse shpesh herë premtohet diçka e parealizueshme”, shprehet Tonevski.

Premtimet për realizimin e projekteve pa të dhëna konkrete mund të kenë efekt të kundërt. Qytetari ka nevojë që me të dhënat për projektet të krijojë një vizion se si do të duket qyteti i tyre. Në këtë fushatë, më tepër flitet për çështje politike, sesa për çështje që janë në kompetenca të pushtetit lokal. Sipas Tonevskit në fund të fundit, qytetarët e vlerësojnë veprimin politik sipas asaj që do të thotë rritje  e standardit jetësor, kushteve për jetesë dhe nëse nuk vërehen këto përmirësime atëherë besimi tek ata që premtojnë zbehet.

Vota për mirëqenie ekonomike 

Analisti Petar Arsovski thotë se edhe pse  bëhet fjalë për zgjedhje lokale ku pa dyshim duhet të dominojnë temat që kanë karakter lokal, në menynë e partive më shumë ofrohen tema kombëtare, siç është zgjidhja e çështjes së emrit, eurointegrimet dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

“ Temat politike kombëtare po dominojnë në agjendën lokale, kjo është rezultat i politizimit të skajshëm të ambientit në Maqedoni”, shprehet Arsovski.

Zgjedhjet lokale 2013 janë tejet specifike për shkak se para fillimit të tyre opozita maqedonase kishte paralajmëruar bojkotimin e tyre, thotë analisti Vladimir Bozhinovski.“Opozita po zhvillon një fushatë e cila  më shumë i ngjan atyre parlamentare, sesa zgjedhjeve lokale, vetëm e vetëm për të fituar një votë më shumë. Andaj ajo u jep prioritet çështjeve kombëtare, të cilat nuk kanë vend në një fushatë lokale”, thotë Bozhinovski. Analistët thonë se edhe krahas fushatës negative  dhe premtimeve që vështirë se mund të realizohen, qytetarët votën e tyre do ta japin aty ku është shpresa për rritjen e mirqenies ekonomike.  

Autor: Fatos Musliu/ Shkup

Redaktoi: Auron Dodi