1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Maqedoni: shpërbëhet Parlamenti, zgjedhjet më 5 qershor

Në Maqedoni u shpall data e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 5 qershor, por partitë në opozitë deklarojnë, se ende nuk janë plotësuar kushtet për proces të ndershëm e demokratik elektoral.

Kryeparlamentari Veljanovski shpalli shpërbërjen e Parlamentit. “Ju falenderoj për bashkëpunimin dhe për punën e deritanishme në parlamentin e Maqedonisë", u tha Velianovski bashkëpartiakëve të tij në sallë, që e pritën me ovacione këtë vendim. Veljanoski vendimin për zgjedhje të parakohshme pritet ta nënshkruajë më 15 prill, por kjo nuk nënkupton shtyrje të zgjedhjeve. Meqënëse Parlamenti u shpërbë, nuk ka asnjë lloj mundësie për shtyrje të datës së zgjedhjeve, pasi një vendim i tillë duhej të merrej në Parlament

LSDM nuk merr pjesë në zgjedhjet e 5 qershorit

LSDM vlerëson se nuk janë plotësuar kushtet për zgjedhje të lira dhe demokratike. Partia LSDM është e prerë, nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e 5 qershorit. “Me muaj të tërë po luftojmë për zgjedhje të lira dhe demokratike, luftojmë të kthehet sistemi një njeri - një votë. Nikolla Gruevski në vazhdimësi shkelte Marrëveshjen e Përzhinës, presionet po vazhdojnë. Ne nuk heqim dorë nga parimet tona. Në emër të demokracisë, LSDM-ja nuk do të marrë pjesë në këto zgjedhje”, ka deklaruar lideri i opozitës maqedonase Zoran Zaev. Ai për vendimin e partisë ka njoftuar edhe faktorin ndërkombëtar.

Mazedonien Zoran Zaev

Kryetari i LSDM-së Zoran Zaev

BDI kërkon unitet për zgjedhje korekte dhe demokratike

Kreu i BDI-së Ali Ahmeti, vlerëson, se Komisioni Shtetëror Zgjedhor duhet ta bëjë punën me përpikmëri, ndërsa BDI do t'i japë përkrahje për zbatim shembullor të zgjedhjeve. Ahmeti ka ftuar edhe partitë e tjera politike që mos ta pengojnë procesin në çfarë do mënyre. Ahmeti është zotuar, se partia e tij do të angazhohet për vijim të reformave edhe pas zgjedhjeve do të ndërtojë politikat shtetërore në partneritet me komunitetin ndërkombëtar për të mirën e përbashkët si dhe do të vijojë procesin integrues menjëherë pas zgjedhjeve të 5 qershorit.

PDSH: Kushtet më të rëndësishme se data e zgjedhjeve

Lideri i PDSH-së Menduh Thaçi thotë se nuk ka rëndësi data e zgjedhjeve, por me rëndësi është të plotësohen kushtet e nevojshme.

“Është shumë me rëndësi që të gjithë të binden se çështja e zgjedhejve ka rëndësi të jashtzakonshme, nëse duan që seriozisht ta mbyllim plagën e vitin e kaluar duhet të bëjmë zgjedhje serioze, korrekte, të ndershme dhe demokratike. Duhet të gjithë të punojmë edhe institucionet edhe partitë politike që të përmbushen kushtet”, shprehet Thaçi.

Partit ë jashtëparlamentare shqiptare kundër zgjedhjeve të qershorit

Rilindja Demokratike Kombëtare nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e 5 qershorit, nëse fillimisht nuk ofrohen zgjidhje për funksionim normal të shtetit. “Duke pasur parasysh kaosin me pastrimin e listës zgjedhore, reformat në media, si dhe injorimit total të rekomandimeve të raportit të Pribesë, bëhet mëse e qartë se vendi është shumë larg zgjedhjeve demokratike”, thuhet në kumtesën e RDK-së.

Edhe UNITETI deklaron qartë se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare më 5 qershor, pa u realizuar pikat kyçe të Marrëveshjes së Përzhinos, pastrimi i listës zgjedhore, reformat në media dhe ndarje të partisë nga shteti, sepse nuk dëshiron që me pjesmarrjen në një proces të tillë, të legjitimojë zgjedhjet të vjedhura nga ana e partive në pushtet. “Nuk mendoj se ka kushte për zgjedhje korrekte dhe demokratike dhe nuk mendoj që ndonjëherë do të ketë kushte ideale për zgjedhje korrekte dhe demokratike, por të paktën duhet krijuar një minimum. Ky minimum është që njerëzit që kanë keqpërdorur dhe kanë vjedhur legjitimitet dhe kanë shantazhuar njerëz, do duhet të jenë në burg para zgjedhjeve”, ka thënë kryetari i LR-PDSH, Ziadin Sela.

Nga Lëvizja BESA thonë se nuk ka kushte për zgjedhje më 5 qershor dhe se sipas gjitha gjasave kjo parti nuk do të marrë pjesë. “Maqedonia nga kriza e thellë politike ka shkuar më tej dhe tash është buzë greminës. Më e rëndësishme se data e mbajtjes së zgjedhjeve është krijimi i kushteve për zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike. Sot lehtë mund të konstatohet se nuk janë krijuar kushtet për zgjedhje të lira”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Lëvizjes “BESA”.

Njëzëri edhe partitë opozitare maqedonase janë shprehur kundër zgjedhjeve më 5 qershor.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Maqedoni Charles Garrett thotë se nëse plotësohen kushtet e nevojshme atëherë janë të mundshme zgjedhjet e 5 qershorit. “Kanë mbetur mjaft obligime dhe punë deri në zgjedhjet që pasojnë, jam i bindur se nëse të gjithë instiucionet i kryejnë detyrat e veta, ka shanse të kemi zgjedhje dinjitoze, të cilat do të mbahen më 5 qershor. Megjithatë, ekzistojnë edhe shumë punë që duhet të realizohen për të pasur zgjedhje të besueshme”, vlerëson ambasadori Garrett.