1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedoni: Rivotimi nuk solli ndryshim në mandate

26 Dhjetor 2016

Komisioni Shtetëror Zgjedhor ka konfirmuar se pas rivotimi të së dielës në Tearcë të Tetovës nuk ka ndryshuar numri i mandateve të fituara në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit.

https://p.dw.com/p/2UtMG
Mazedonien Wahlwiederholung in Tearce
Fotografi: DW/K. Ozimec

Në zgjedhjet e 11 dhjetorit VMRO DPMNE ka siguruar 51 deputetë, Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë 49 deputetë, Bashkimi Demokratik për Integrim 10 deputetë, Rilindja me Besën 5 deputetë, Aleanca për Shqiptarët 3 deputetë dhe Partia Demokratike Shqiptare 2 deputetë.

Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë, në bazë të rezultatit zgjedhor, edhe pas rivotimit mbetet me dy mandate më pak se VMRO- DPMNE. Kryetari i LSDM-s Zoran Zaev u shpreh i prerë, se partia që përfaqëson ai do të jetë ajo që do ta formojë Qeverinë e re të Maqedonisë. Lideri i LSDM-së Zoran Zaev përgëzoi banorët e Tearcës duke thënë se ata me votën e tyre kanë konfirmuar gjendjen e përgjithshme në Maqedoni.
"Fitorja e shumicës së qytetarëve të vendit, që kanë votuar për ndryshime u konfirmua në një Tearcë multietnike. Urime të sinqerta për qytetarët e Tearcës që me votën e tyre shumë precize konfirmuar disponimin e përgjithshëm në Maqedoni. "Maqedonia zgjodhi Ndryshime dhe Jetë! Tearca zgjodhi Ndryshim dhe Jetë", shkroi Zoran Zaevi në rrjetet sociale.

Nga VMR- DPMNE, përmes një komunikate, kanë theksuar se Tearca të dielën e 25 dhjetorit parandaloi falsifikimin zgjedhor. "Për VMRO- DPMNE-në zgjedhjet kanë përfunduar qysh më 11 dhjetor. Sot edhe ne sikurse mbarë opinioni kuptuam se edhe pavarësisht të gjitha përpjekjeve, banorët e Tearcës e penguan tentimin për manipulim zgjedhor. Si fitues të zgjedhjeve mbetemi të përkushtuar në hapat e ardhshëm rreth formimit të Qeverisë së re", thuhet në komunikatën për shtyp të VMRO-DPMNE- së.

Mobilizim i partive shqiptare për qeverinë e re

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka zhvilluar një takim me disa nga liderët e partive politike shqiptare që fituan mandate në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit, për të bashkërenduar veprimin e faktorit politik shqiptar në Maqedoni. Ftesës së Ali Ahmetit i janë përgjigjur tri partitë që garuan bashkërisht në zgjedhjet e 11 dhjetorit si koalicion "Aleanca për shqiptarët", përkatësisht Zijadin Sela nga Lëvizja për Reforma e Partisë Demokratike Shqiptare,Vesel Memedi nga Rilindja Demokratike Kombëtare, dhe Gëzim Ostreni nga partia Uniteti. Në takim nuk ishin përfaqësues të Lëvizjas Besa, dhe PDSH-së.Çështjet për të cilat partitë shqiptare duhet të merren vesh kanë të bëjnë me zyrtarizmin e gjuhës shqipe, zgjidhjen e kontestit të emrit që do të përshpejtonte integrimin euroatlantik, statusi i ish-ushtarëve të UÇK-së, ndarjen e barabartë të buxhetit, drejtimin e njërit nga postet më të larta në shtet dhe aspektet e përfaqësimit në institucionet shtetrore. "Dallimet mes nesh janë shumë më të vogla sesa çështjet e mëdha që na bashkojnë që ne si shqiptarë, të dalim me një zë për çështjet që kanë të bëjnë me të gjithë qytetarët shqiptarë në Republikën e Maqedonisë, pa dallim se cilës parti i takojnë, sepse gjërat që kanë të bëjnë me shqiptarët, janë shumë të përbashkëta", ka theksuar kryetari i BDI-s Ali Ahmeti.

Kreu i Lëvizjes për Reforma në PDSH, Zijadin Sela thotë se qeveria e re është në duart e shqiptarëve dhe partitë e tyre përfaqësuese, sipas tij, duhet të shfrytëzojmë këtë rast për të mbyllur shumë çështje që nuk kanë marrë zgjidhje edhe 15 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit.

"Mendoj se është një moment historik që t'i zgjidhim disa çështje të hapura që ju interesojnë shumë shqiptarëve, që të mos jemi të detyruar që më pas apo në zgjedhjet e ardhshme t'iu premtojnë shqiptarëve gjuhën shqipe, por këtë ta bëjmë tani", ka deklaruar Ziadin Sela.

Pritet konstituimi i Parlamentit

Pas rivotimit të së dielës (25.12)në Tearcë, KSHZ-ja pritet të ҁertifikojë rezultatin zgjedhor, kurse më pas pritet konstituimi i përbërjes së re parlamentare dhe nisja e afateve për formimin e qeverisë së re. Në bazë të Kushtetutës, mandati do t'i jepet partisë më të madhe fituese, në këtë rast VMRO-DPMNE-së, e cila ka nevojë edhe për mbështetjen e partive shqiptare për të siguruar shumicën parlamentare prej 61 deputetësh. Sipas nenit 63 të Kushtetutës, përbërja e re e Parlamentit grumbullohet në seancë konstituive më së voni 20 ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve. Seancën konstituive e cakton kryetari i Parlamentit nga mandati i kaluar. Nëse nuk caktohet seancë në afatin e paraparë, deputetët mblidhen vet dhe e konstituojnë Parlamentin. Sipas Kushtetutës, presidenti i Maqedonisë është i detyruar që në afat prej 10 ditëve nga konstituimi i Parlamentit t'i japë mandatin për formimin e qeverisë kandidatit të partisë, gjegjësisht partive që kanë shumicë në Parlament. Mandatari në afat prej 20 ditëve nga dita e dorëzimit të mandatit, Parlamentit i dorëzon program dhe propozon përbërjen e Qeverisë. Qeveria, me propozim të mandatarit dhe në bazë të programit, e zgjedh Parlamenti me shumicë votash.

 

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut