1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedoni: Rivotimi i ditës së djeshme ka kaluar në atmosferë korrekte

Fatos Musliu / Shkup16 Qershor 2008

Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve Jovan Josifovski publikoi mbrëmë në mesnatë rezultatet e para jozyrtare të rivotimit në zgjedhjet e 15 qershorit.

https://p.dw.com/p/EKNR
Zgjedhjet në Maqedoni, qershor 2008
Zgjedhjet në Maqedoni, qershor 2008Fotografi: DW

Sipas KSHZ-së, në rivotimet e djeshme, BDI ka fituar 38.642 vota, PDSH 32, 133 vota nga 183 vendvotime, ndërsa në tre vendvotime, votimi u anullua sërish për shkak të vjedhjes së materialeve zgjedhore. Sipas Josifovskit, pjesëmarrja e votuesve në mbarë vendin ka qenë 48.7 për qind. Josifovski vlerësoi se rivotimi i ditës së djeshme ka kaluar në atmosferë korrekte dhe demokratike në pjesën më të madhe të vendvotimeve. "Maqedonia tregoi dhe dëshmoi se mund dhe duhet të zbatojë zgjedhje korrekte dhe demokratike," ka deklaruar Josifovski.

Zëdhënësja e BDI-së Ermira Mehmeti, thotë se sipas qendrës analitike të partisë, BDI në zgjedhjet parlamentare ka fituar 18 mandate deputetësh ndërsa oponenti politik PDSH 10 mandate. Sipas Mehmetit, BDI ka fituar bindshëm në tri njësitë zgjedhore ku është zhvilluar rivotimi. Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, duke iu drejtuar simpatizantëve dhe aktivistëve të partisë ka deklaruar se "BDI frymon me popullin" Dua të falënderoj të gjithë shqiptarët e Maqedonisë për pjekurinë politike që treguan më 15 qershor. "Me rëndësi është të fitojë njerëzimi ndërsa BDI është përpjekur për këtë. Nuk ka kush që e mund vullnetin e popullit, sepse vullneti i popullit është vullneti i Zotit", ka thënë lideri i BDI-së Ali Ahmeti. Ai tha se partia e tij do të bashkëpunojë me ato forca politike që dëshirojnë integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE si dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit.

Ndërkohë sekretari i përgjithshëm i PDSH-së, Ymer Aliu në një konferencë shtypi ka konfirmuar fitoren e PDSH-së. Sipas tij PDSH ka fituar 13 mandate të deputetëve . Ai ka kritikuar BDI-në për siç tha vjedhjen e votës së lirë të elektoratit shqiptar

Gjatë ditës së sotme priten edhe rezultatet zyrtare nga rivotimi në tri njësi zgjedhore nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 1 qershorit.