1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Maqedoni - Reformat e BE, nën hijen e çështjes së emrit

Fillimi i bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë në BE nuk varet vetëm nga zgjidhja e kontestit të emrit, por edhe nga vëllimi dhe cilësia e reformave të realizuara, vlerësojnë analistët.

Çështja e emrit nuk është pengesa e vetme e Maqedonisë në procesin e integrimit euroatlantik. Reformat e mirëfillta në fushën juridike, pozita e mediave, kapacitetet demokratike në administratën shtetërore, sundimi i së drejtës dhe vendosja e dialogut të mirfilltë mes pushtetit dhe opozitës janë vetëm disa prej sferave në të cilat duhet të përqëndrohen reformat në Maqedoni. Raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, Richard Howit, gjatë vizitës së tij të fundit në Shkup ka theksuar se nuk është e vërtetë se çështja e emrit është pengesa e vetme për procesin eurointegrues të Maqedonisë.

“Kontesti i emrit është problem për anëtarësimin e Maqedonisë në BE, por nuk është vetëm ky problem shqetësues, nuk mund të thuhet se është pengesa e vetme për të ecur përpara. Maqedonia, nëse do të marrë datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE në samitin e dhjetorit, duhet të punojë shumë në zbatimin e reformave në drejtësi, administratë publike, garantimin e lirisë së mediave dhe vendosjen e dialogut të mirëfilltë mes pushtetit dhe opozitës”, është shprehur Richard Hovit.

Dështimet në reforma mbulohen me emrin

Mirjana Najcevska

Mirjana Najcevska

Analistë dhe ekspertë për eurointegrimin thonë se është vështirë që brenda dy muajve të përmbushen kriteret apo të realizohen detyrimet në reformat që nuk janë bërë me vite të tëra. Mirjana Najçevska, profesore në univeristet, thotë se arsyetimet për çështjen e emrit jo vetëm mbulojnë dështimet në zbatimin e reformave, por edhe i sigurojnë pushtetit zgjatjen e jetës politike. “Emri është arsyetim që ndikon në emocionet e qytetarëve dhe krijon përshtypje se gjithçka tjetër është në nivelin e duhur. Por, ne jemi larg kësaj situate, sepse sikur edhe tani të zgjidhej çështja e emrit, do të mbesin edhe shumë reforma që vendi ka për obligim ti realizojë për tu afruar në nivelet dhe standardet e BE-së”, shprehet Najçevska.

Sipas Lidija Dimova nga Qendra Maqedonase për Arsim Evropian, Komisioni Evropian në çdo raport theks të veçantë i kushton ngecjeve të reformave. Pa realizimin e reformave të detyruara, anëtarësimi në BE do të mbetet një ëndërr për Maqedoninë. Pavarësia e gjyqësorit dhe administrata e depolitizuar shtetërore janë procese që duheshin tani të kishinpërfunduar dhe të viheshin në praktikë. Në Maqedoni nuk mund të flasim për administrata të depolitizuara meqë çdo punësim i drejtëpërdrejtë varet nga përkatësia politike e individit. “Qeveria vazhdon të aktrojë reformatorin. Emri është problem dhe do të mbesë edhe për një kohë të gjatë, por reformat paraqesin edhe një problem më të madh”, vlerëson Dimova.

Çështja e emrit nuk është e vetmja pengesë për integrimin e Maqedonisë në BE dhe ky fakt pa dorreza diplomatike po potencohet nga institucionet evropiane thotë analisti Mersel Bilalli. “Mungesa e reformave në një farë mënyre është toleruar nën hijen e zgjidhjes së çështjes së emrit. Nëse në dhjetor nuk do të fitojmë datën për bisedime nga Këshilli i BE-së , atëherë nuk do të mund të akuzohet Greqia, sepse kjo do të thotë se Maqedonia nuk i ka përmbushur kriteret e duhura”, thotë profesori univesitar Mersel Bilalli.

Staus-quo-ja nuk është në favor të askujt

Sipas profesorit të marrëdhënjeve ndërkombëtare, Denko Malevski , autoritetet në Shkup në të shumtën e rasteve tentojnë të fshehin obligimet që dalin nga rekomandimet e KE-së duke u përqëndruar vetëm në zgjidhjen e çështjes së emrit, por Brukseli në asnjë moment nuk do ti lë anash detyrimet e tjera që duhet ti përmbushë Maqedonia. “Do t'na duhet të bëjmë shumë punë që ti plotësojmë kriteret politike, të bëjmë reformat në gjyqësi, në selektimin e gjykatësve, në seleksionimin e stafit në administratën publike duke treguar vullnetin tonë politik dhe punën tonë”, shprehet Denko Malevski.

Në pesë vitet e fundit Maqedonia pothuajse merr vërejtje të njëjta për mosrealizimin e reformave, thotë Bekim Kadriu profesor univesitar. Nëse vërejtjet janë të njejta dhe situata nuk ndryshon, atëherë kemi një status-quo që nuk është në favor të askujt. “Duket qartë se ne po stagnojmë. Kriteret politike dhe respektimi i tyre në Maqedoni është shumë problematik dhe kjo po shëndrrohet në sëmundje kronike”. Konkluzionet dhe kriteret e Komisionit Evropian në Maqedoni duhet të trajtohen në mënyrë shumë më serioze, reformat të cilat do ta afrojnë Maqedoninë me standardet e BE-së duhet të realizohen hap pas hapi, sepse pa përmbushjen e tyre Maqedonia edhe shumë vite do të jetë larg anëtarësimit në BE, vlerësojnë analistët në vend.