1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Maqedoni: Presidenti mandaton Gruevskin për krijimin e qeverisë

Kryetari i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski u mandatua nga presidenti Nikolla Ivanov për formimin e qeverisë së re. Presidenti shfrytëzoi kështu afatin e fundit sipas Kushtetutës për dorëzimin e mandatit.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski ka afat 20 ditë që t'i propozojë Parlamentit programin dhe përbërjen e qeverisë së re. Qeveria zgjidhet me shumicë të votave nga numri i përgjitshhëm i deputetëve në parlament.

Tri partitë shqiptare, që fituan mandate në përbërjen e re të parlamentit, BDI 10, Besa 5 dhe Aleanca për shqiptarët 3, kanë miratuar një platformë 7 pikëshe, që paraqet një dokument kornizë për partitë politike shqiptare, për t'u bërë pjesë e qeverisë së re në Maqedoni. Në këtë deklaratë përcaktohet angazhimi për arritjen e  barazisë së plotë në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit, gjuha maqedone me alfabet cirilik dhe gjuha shqipe me alfabet latin, të jetë gjuhë zyrtare në Maqedoni. Gjithashtu theksohet edhe përfshirja në debatet gjithëpërfshirëse mbi flamurin, himnin dhe stemën shtetërore, në mënyrë që simbolet shtetërore të reflektojnë multietnicitetin shoqëror dhe barazinë etnike.

Partitë politike shqiptare në përbërjen e re parlamentare gjithashtu kërkojnë edhe arritjen e barazisë ekonomike dhe mirëqenies shoqërore, përmes zhvillimit të barabartë rajonal, ku parashikohet formimi i një komisioni shtetëror për financim të komunave dhe krijimin e një ministrie për sistem politik dhe mardhënie mes komuniteteve.

Partitë shqiptare angazhohen për përforcimin e sundimit të së drejtës, duke përkrahur punën e paanshme të Prokurorisë Speciale, pa paragjykime etnike dhe politike, si dhe njëherit angazhohen për zbardhjen e çështjeve dhe proceseve gjyqësore, siç janë " Sopoti”, "Brodeci”, ‘Monstra” dhe "Kumanova”. Në dokument partitë shqiptare dakordohen për zgjidhjen e çështjes së emrit dhe integrimin sa më të shpejtë në NATO dhe BE. Përmbushja e këtyre objektivave do të mbikqyret përmes krijimit të tryezës së partive paralmentare shqiptare, e cila do të përcaktonte afatet për realizimin e tyre, ndërsa do të funksiononte sipas parimit të rotacionit.

Gruevski: Nuk pranojmë kushtëzime

Lideri i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski në intervistën për gazetën "Dnevnik”, thotë se politikanë dhe diplomat të huaj, përmes krijimit të platformës së përbashkët të partive shqiptare, krijojnë atmosferë që ato të mos bëjnë koalicion me VMRO-DPMNE-në. Duke komentuar platformën e partive shqiptare, Gruevski thotë se dygjuhësia , nuk i duhet shqiptarëve në Maqedoninë Lindore apo në vise të tjera ku ata nuk jetojnë. Gjithnjë sipas Gruevskit, shqiptarët kanë më shumë nevojë për punësime të reja, paga të larta dhe standard  më të lartë jetësor. Gruevski thotë se deri në moment të fundit, do të angazhohet për të formuar qeveri, sepse atë e ka obligim pasiqë morri mandatin nga presidenti Ivanov. Ai përkujton BDI-në se as antarësia e VMRO-DPMNE-në në vitin 2008, nuk ak dashur koalicion me partinë e Ahmetit, por se ata kanë qenë zgjedhja e tyre, për shkak se prapa tyre qëndronin pjesa më e madhe e votuesve shqiptarë. "Nëse tani BDI shkon në koalicion me partinë e dytë, në vend të asaj të parës, me atë që ka humbur në vend se me taë që ka fituar, kjo do të paraqesë vendosje të një praktike dhe tradite të re në Maqedoni, të cilës ne gjitshesi që do t'i përshtatemi, jo vetëm tani por edhe në të ardhmen”, ka deklaruar Nikolla Gruevski.

Ai në intersvitë gjithashtu ka theksuar se nëse VMRO-DPMNE si parti fituese, mashtrohet nga BDI-ja, atëherë shumë shpejt pas kthimit të saj në pushtet, VMRO nuk do të ketë asnjë farë obligimi gjatë formimit të qeverisë , sipas konceptit  fituesi me fituesin.

LSDM nuk komenton platformën e partive shqiptare

LSDM nuk prononcohen për platformën e përbashkët të partive shqiptare, para se ta analizojnë atë. Zëdhënësi i LSDM-së Petre Shilegov thotë se do të bëjnë publik qëndrimin e tyre pasi të marrin dhe analizojnë dokumentin. "Ende nuk na është dorëzuar platforma, kur do ta kemi do ta shqyrtojmë dhe më pas do të prononcohemi”, shprehet Shilegov.

Për analistin Selim  Ibrahimi, është e domosdoshme që tani partitë shqiptare platformën ta kthejnë në zë të fuqishëm përballë partnerit të ardhshhëm maqedonas .

"Është e domosdoshme që partitë politike shqiptare të krijojnë një zë përballë mandatarit maqedonas. Një aspekt tjetër që duhet analizuar është se sa do të mund që Ahmeti, Sela dhe Kasami të bëhen bashkë dhe të dalin me një platformë afatgjate para hyrjes në qeveri. Takimet e fundit mund të japin rezultate konkrete vetëm nëse drejtuesit e partive politike do të ulen përsëri dhe t'i bëjnë marrëveshjet aktive, pra konkrete përballë palës maqedonase në këtë rast VMRO-DPMNE-së ”,thotë analisti Selim Ibrahimi.