1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Maqedoni: Opozita i jep fund bojkotit në parlament

Deputetët e opozitës u kthyen në Parlamentin e Maqedonisë në pëputhje me marrëveshjen e Përzhinos për tejkalimin e krizës politike. Blloku opozitar do të funksionojë në parlament si një grup deputetësh.

Deputetët e LSDM-­së nuk morën pjesë më shumë se një vit në punën e kuvendit, pasi pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare në prill të vitit të kaluar kryetari i LSDM-­së Zoran Zaev publikoi se nuk i pranon rezultatet e zgjedhjeve. Grupi parlamentar opozitar maqedonas ka 34 vende deputetësh në Parlamentin e Maqedonisë. Sipas protokollit të marrëveshjes politike të 2 qershorit, që më 15 korrik e nënshkruan liderët e katër partive më të mëdha politike, dy javë pas kthimit të opozitës në parlament duhet të zgjidhet prokurori special me autonomi të plotë që të drejtojë hetimin për rastet “Përgjimi” dhe “Puç”.

Kryetari i LSDM-së Zoran Zaev deklaroi se kthimi në parlament është me qëllim që të miratohet ligji për prokurorin special deri më 15 shtator. “Pas një viti e tri muaj jemi këtu në parlament me deputetët tanë. Me këtë tregojmë se e respektojmë marrëveshjen e Përzhinos. Deri me 15 shtator të zgjidhet prokurori special, i cili do të siguroj sundimin e së drejtës dhe do t`i nisë hetime për materialet nga përgjimet. Ose duhet respektuar afati për zgjedhjen e prokurorit special ose marrëveshja nuk është valide”, tha Zaev.

VMRO kritikon mungesën e opozitës në parlament

Partia në pushtet VMRO-DPMNE ka kritikuar LSDM-në për bojkotimin e deritashëm të Parlamentit të Maqedonisë. Deputeti i kësaj partie Ilia Dimoski foli për dështimet e LSDM-së, ndërsa renditi ato që i cilësoi si arritje të partisë së tij të realizuara gjatë kohës kur deputetët e LSDM-së kanë qenë jashtë parlamentit. “Çdo parti dhe çdo deputet mban përgjegjësi për vete. Kur ata bojkotonin, ne sollëm ligje për të mirën dhe perspektivën evropiane të qytetarëve të Maqedonisë. Ne kemi punuar në interes të qytetarëve dhe jo për interes të karierave të disa politikanëve të dështuar siç ka në rradhët e socialdemokratëve ”, deklaroi Dimoski.

Deputetja e pavarur Roza Topuzova Karevska duke komentuar kthimin e opozitës në parlament tha, se mungesa e opozitës në kuvend nuk mund të justifikohet me asnjë argument. “Vlerësoj se lufta për demokraci dhe kundërvënia e politikave të gabuara të partive në pushtet duhet të bëhet në foltoren e Parlamentit. Publikimi i aferave të përgjimit po të bëhej nga foltorja e parlamentit do të kishin shumë më shumë efekt se sa u bë jashtë parlamentit” , thotë Karevska.

Deputetja nga RDM, Liljana Popovska e përshëndet kthimin e koalicionit të LSDM-së në parlament, pasi vetëm me një parlament të kompletuar mundet që në mënyrë të qetë të dilet nga kriza. Tash radhën e ka shumica, që të realizohen hapat e radhës nga marrëveshja e Përzhinos, tha Popovska.

Maleski: Parlamenti i kompletuar ndihmon demokracinë

Me kthimin e opozitës në parlament po vendoset një element i rëndësishëm në mozaikun e sistemit politik demokratik, por tani mbetet që opozita përmes sistemit politik dhe procedurave demokratike që t`i hapë, gjegjësisht t`i mbyllë temat me përgjimet. Se si do të realizohet kjo gjë është një çështje e madhe, por me siguri nuk do të jetë lehtë, deklaron profesor Denko Maleski. “Është e vështirë që të parashikohet se si do të rrjedhin punët. Sipas deklaratave të fundit të Gruevskit si duket ai ende nuk e ka të qartë se baza e demokracisë tonë është ajo që pushteti nuk ka kontroll”, deklaron Maleski.

Brukseli pret progres në tejkalimin e krizës politike

Bashkimi Evropian përmes Komisionit Evropian e ka përshëndetur kthimin e deputetëve të LSDM-së opozitare në Parlamentin e Maqedonisë bazuar në Marrëveshjen e Përzhinos. Brukseli tani pret progres në raport me zgjedhjen e Prokurorit special. “E përshëndesim faktin se opozita tash është e kthyer në parlament. E dini se kjo është pjesë nga marrëveshja e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian e që u arrit në qershor dhe korrik të këtij viti. Shumë me rëndësi është që kjo marrëveshje të zbatohet dhe ne tani presim që kuvendi të punojë me prioritete reformuese në interesin e tërë vendin”, u shpreh zëdhënësja e eurokomisionerit Johanes Hann, Maja Kocijançiq.
Krahas kthimit të opozitës në kuvend dhe emërimi i prokurorit special, në Marrëveshjen e Përzhinos parashikohet edhe që më 20 tetor të emërohen ministra të rinj ai Punëve të Brendshme dhe i Punës e Politikës Sociale me propozim të opozitës. Me Marrëveshjen e Përzhinos është parashikuar edhe inagurim i qeverisë së re më 15 janar të vitit 2016, 100 ditë para zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen më 24 prill të vitit 2016. Programi i Qeverisë është i kufizuar në organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare