1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedoni - Ngecje në komunikimin midis qeverisë dhe mediave

26 Shtator 2009

Disa media në Maqedoni kanë kritikuar qeverinë për mungesë transparence në vlerësimin e informacioneve dhe seleksionimin e mediave se ku dërgohen lajmet. Kjo cënon lirinë e mirëfilltë të shtypit.

https://p.dw.com/p/JpUb
Forum për mediat në Ballkan i mbajtur në Ohër.
Forum për mediat në Ballkan i mbajtur në Ohër.Fotografi: Macedonian Information Agency

Një pjesë e gazetarëve dhe një grup ekspertësh që merren me çështjen e mediave janë të mendimit se në Maqedoni ka ngecje evidente në komunikimin e mirëfilltë midis qeverisë dhe mediave. Sipas tyre, qeveria po tenton ta ngushtojë lirinë e të folurit duke bërë seleksionimin e mediave, në të cilat jepen informacionet.

Eksperti i komunikacionit, Petar Arsovski thotë se standardi demokratik nënkupton që një politikan të dalë para opinionit publik dhe të jepë përgjigje për çështje të rëndësishme politike dhe ekonomike. Një gjë e tillë në Maqedoni mungon kohëve të fundit thotë Arsovski. "Kur një politikan refuzon të dalë para publikut apo të ballafaqohet me oponentin e tij mund të konkuldohet se ai nuk dëshiron komunikim me ndonjë gazetar të ndonjë medie të caktuar," vlerëson Arsovski.

Mungesë transparence në shpërndarjen e informacioneve

Redaktoria përgjegjëse në televizionin shtetëror të Maqedonisë në programin në gjuhën shqipe, Migena Gorenca akuzon qeverinë për mungesë transparence në shpërndarjen e informacioneve. Sipas saj përvoja tregon se qeveria ka mediat e saj të privilegjuara qoftë ato në gjuhën shqipe apo maqedonase. "Problemi i qeverisë është në mungesën e transparencës së dhënies së lajmit të caktuar për të gjitha mediat njëlloj. Përderisa një lajm në një media private më të aftër me Qeverinë nga zyrtarë të saj trajtohet në formatin më të plotë me të gjitha hollësitë plotësuese, në mediat e tjera, përfshirë edhe mediumin shtetëror, i njëjti lajm jepet në format të përgjithshëm, dhe jo çdo herë i njëjti qeveritar është i gatshëm të japë deklarata plotësuese,” thotë Gorenca.

Qeveria : Nuk kemi media të privilegjuara

Por, zëdhënësi i qeverisë Shefik Duraku mohon akuzat se qeveria ka media të privilegjuara. "Qeveria nuk ka ndonjë qasje selektive ndaj mediave edhe pse në disa raste jemi kritikuar nga mediat si qeveri që nuk jemi aq transparente. Ndoshta nuk mund të themi se jemi deri në fund transparent, mirëpo jemi duke u përmirësuar për shkak se ne jemi një demokraci e re, një shtet me vetëm 18 vite jetë të sistemit demokratik," thotë Shefik Duraku.

Redaksia e programit informativ në televizionin kombëtar privat “Kanal 5” Lidija Bogatinova është e kënaqur me bashkëpunimin më zëdhënësat e qeverisë dhe ministrive. "Çdo herë marim informacionet e duhura dhe ate nga disa burime. Zëdhënësat po e kryejnë punën ashtu siç duhet dhe deri më tani nuk kemi pas ndonjë refuzim të bashkëpunimit nga ana e tyre,” thotë Bogatinova. Pronari i televizionit ku punon ajo është i afërt me partinë në qeveri.

Për gazetaren Biljana Sekullovska në Maqedoni nuk ka liri të mirëfilltë të të shprehurit. Edhe pse përfaqësues të qeverisë janë të detyruar me ligj të prononcohen për çështjet të caktuara, ata injorojnë disa media. "Brengos fakti që qeveria bojkoton media të caktuara, refuzohet të jepen deklarata, të komunikohet, të jenë pjesë të debateve të hapura. Me këtë problem ballafaqohen mediat, të cilat e kanë rolin e opozitës në sferën e informimit, "- thotë Sekullovska.

Autor : Fatos Musliu

Redaktoi : Aida Cama