1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Maqedoni: Nga një "Rambo" në çdo lagje

Posedimi i një sasie të madhe të armëve ilegale nga popullsia civile në Maqedoni, është vlerësuar si shkaku kryesor për paraqitjen në shoqëri të dukurive devijuese si dhuna, vrasjet dhe grabitjet e bankave.

Fotografi ilustruese e kriminalitetit.

Maqedoni: Nga një "Rambo" në çdo lagje.

Vrasje, vjedhje dhe të shtëna me armë zjarri në mes të ditës, janë shqetësimet e përditshme të qytetarëve të Maqedonisë. Policia vazhdon të përsërisë refrenin e njëjtë, se ështe duke punuar në ndriçimin e rasteve. Por, është më se evidente se mungojnë rezultatet në zbardhjen e incidenteve të armatosura dhe dënimin e personave, që posedojnë armë pa leje. Ministria e Punëve të Brendshme vlereson, se numri i armëve ilegale, të kalibrave të ndryshëm është midis 400 mijë deri më 600 mijë. Edhe agjensia për zhvillim e Kombeve të Bashkuara, UNDP, ka dalë me vlerësimet e saj për posedimin ilegal të armëve nga ana e qytetarëve. Grupi hetimor për armatime të lehta, ka publikuar nga Gjeneva të dhëna shqetësuese që thonë se 110 mijë deri 170 mijë persona në Maqedoni, posedojnë armë ilegale.

Prezencën e një sasie kaq të madhe armatimi tek popullata civile dhe shfaqjen e dhunës, kryetari i organizatës joqeveritare “Civil” Xhabir Deralla, e sqaron me gjendjen e keqësuar socio-ekonomike të qytetarëve. “Ka shumë njerëz të dëshpëruar, të cilët i kanë përsëritur veprat kriminale ose janë persona të papunë ose, që kanë marë pjesë në ngjarje të ndryshme tani apo në të kaluarën, siç janë konfliktet luftarake që kanë lënë gjurmë të thella tek ata, tek familjet e tyre dhe rrethin më të afërt. Ju keni një “Rambo”, në çdo lagje.” thotë Xhabir Deralla. Për parandalimin e dhunës dhe përdorimit të armëve në mënyrë të pakontrolluar, nuk mjafton të inkuadrohet vetëm policia .Të përballesh me këto lloje të problemeve siç janë siguria, të drejtat njerëzore, sundimi i së drejtës, kërkohet një qasje multidisiplinare me më shumë metoda dhe pjesëmarrje të më shumë institucioneve shtetërore, vlerëson kryetari i OJQ-s “Civil”, Xhabir Deralla.

Profesori Vlladimin Pivovarov thotë, se posedimi pa leje i armëve është problem tejet serioz. Sipas tij, shumica e armatimit nga trazirate 97 në Shqipëri, kanë përfunduar në vendet e rajonit. ”Pas mbarimit të trazirave në Shqipëri, afro 800-900 mijë armë këmbësorie përfunduan në rajon, përkatësisht në Kosovë, Maqedoni, Male të Zi.” Gjithnjë sipas Pivovarovit, armatimi ilegal në Maqedoni mund të shkaktojë trazira shumë më serioze se sa një grabitje e bankave. "Armët mund të përdoren për situata shumë radikale, siç është shkatërrimi i sistemit, shkatërrimi me dhunë i kushtetutës së një vendi. Do të thotë se problemi nuk është vetëm tek vjedhja por, mund ta parashikojmë edhe më gjërë, gjë që mund të rrezikojë, të themi edhe mbijetesën e një shteti," thotë Vlladimir Pivovarov.

Përfaqësuesi i UNDP-s, Alan Lelon ka paralajmëruar në bashkëpunim me qeverin e Shkupit, fillimin e një fushate mediale për grumbullimin e armëve ilegale. Sipas Trupit koordinativ për zbatimin e ligjit për dorëzimin vullnetarë të armëve ilegale, në fund të këtij viti planifikohet një aksion i gjërë për grumbullimin e armëve pa leje në Maqedoni.

Në vitin 2001 pas përfundimit të konfliktit të armatosur , NATO në Maqedoni organizoi aksionin “Korrja e domosdoshme”, gjatë të cilit shkatërrua një sasi e konsiderueshme e armatimit ilegal.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Aida Cama




  • Data 20.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Htpy
  • Data 20.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Htpy