1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Maqedoni: Ndalohet publikimi i materialeve në rastin "Puçi”

Prokuroria e Maqedonisë ndaloi publikimin e materialeve lidhur me rastin “Puçi” apo të njohura si "bombat" e opozitës maqedonase.

Mazedonischer Oppositionsführer Zoran Zaev

Drejtuesi i opozitës në Maqedoni Zoran Zaev

Prokuroria përmes një komunikate theksoi se do të dënohen me ligj të gjitha ata, me theks të veçantë mediat që publikojnë materiale që kanë të bëjnë me paralajmërimet e liderit të partisë opozitare LSDM, Zoran Zaev për aferat koruptive të qeverisë Gruevski. Prokuroria Publike e Maqedonisë konstaton se publikimi i materialeve që mund të jenë subjekt i procedurave të mëtejshme penale është e ndaluar dhe e dënueshme me ligj.

Gazetarët: ndalimi i publikimit i papranueshëm

Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë i dënon ashpër kërcnimet për ndjekje penale të gazetarëve nga prokuroria nëse publikojnë material që mund të jenë objekt i procedurës penale. Këto kërcënime të prokurorisë janë të absurde, sepse në mënyrë të pashembullt kërkojnë të pezullojnë rolin e medias si korektiv i pushtetit në një shoqëri demokratike. Kërcënimet e prokurorisë cënojnë të drejtat dhe liritë themelore të gazetarëve dhe të qytetarëve. Prokuroria mund të ftoj të mos publikohet material për ndonjë hetim që është në rrjedhë e sipër, mirëpo të kërkohet të mos botohen materiale që mund të jenë objekt i ndonjë procedure penale është absurde dhe paraqet keqpërdorim të rëndë të institucionit, thuhet ndër të tjera në reagimin e Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM).

SHGM i inkurajon gazetarët të mos bien pre e këtyre kërcënimeve boshe që nuk kanë kurrëfarë baze ligjore dhe i fton ata të raportojnë në përpothje me kodin etik të gazetarëve. Nga sindikata e mediave thonë se një vendim i tillë ndalimi është i papranueshëm dhe në kundërshtim të plotë me të gjitha aktet ndërkombëtare. Madje, nga sindikata tërheqin vërejtjen se mediat e kanë për detyrë të publikojnë çdo informacion që ka të bëjë për përfshirjen e zyrtarëve të veprimtari të rënda kriminale.Ky është thelbi i parimeve fundamentale të mediave, që të informojnë në interes të publikut si dhe të respektojnë të drejtën kushtetuese për informimin objektiv. Kurrfarë paralajmërimesh nga ana e prokurorisë nuk duhet të shërbejnë si arsyetime për zbrapsje nga parimet themelore të informimit të drejtë, pasi vetëm në këtë mënyrë opinioni mund të nxjerrë konstatime për atë që po ndodh në shtet”, thotë Tamara Çausidis nga sindikata e mediave në Maqedoni.

Ekspertët vlersojnë se prokuroria vepron jashtë kompetencave

Vendimi i prokurorisë për të ndaluar publikimin e të gjitha materialeve që mund të shërbejnë si prova në hetimin e liderit të opozitës, vlerësohet si absurd nga ekspertët e çështjeve juridike. Jovan Trpenovski, ish-prokuror publik, thotë se nuk mund të besojë se prokuroria ka dalë me një komunikatë të tillë, pasi kjo bie në kundërshtim të plotë me kompetencat e saj. “Prokuroria publike është organ, i cili ndjek autorët e veprave penale, ndërsa paralajmërimi apo kërcënimet se do të ketë sanksione për çdo person që publikon dokumente, apo materiale që mund të jenë objekt i ndonjë procesi, është në kundërshtim të plotë me të gjitha kompentencat e prokurorisë publike”, thotë Trpenovski.

Analisti politik Naser Ziberi konsideron se në periudhën e ardhshme Maqedonia hyn në një spirale shumë të turbullt politike. “Mënyra se si po udhëhiqet i gjithë ky proces, është vetëm një kundërpërgjigje ndaj paralajmërimeve të kryetarit të opozitës, se do të shpalosë disa afera korruptive, të cilat do ta diskreditojnë qeverinë. Kryeministri tenton të ndërrojë rolin nga sulmues, në person të sulmuar, dhe kryetarin e opozitës e vendos në pozitë të defensivës. E gjithë kjo ka prapavijë politike, e cila mund të lerë njolla të zeza në këtë proces, si dhe do të ketë reflekse negative ndaj faktorit ndërkombëtar”, thekson Ziberi.
Socialdemokratët nuk heqin dorë nga publikimi i dëshmive

Ndërkohë në selinë e LSDM-së ka qëndruar zëvendësi i nënsekretarit shtetëror të Byrosë për Demokraci, të Drejta të Njeriut dhe Punë pranë Departamentit Amerikan të Shtetit, Tomas Melia. Lideri socialdemokrat Zoran Zaev mësohet të ketë thënë se opozita do të publikojë të gjitha provat që ka dhe se materialet i janë dorëzuar nga njerëz që ato i kanë marrë nga shërbimet sekrete të Maqedonisë. “Ato na janë dorëzuar neve, sepse ata njerëz nuk besojnë në sistemin gjyqësor, i cili është nën kontroll të plotë të pushtetit. Nuk mund të jetë grusht shteti publikimi i provave dhe argumenteve për krimet e pushtetit. Edhe sipas Kushtetutës, edhe sipas ligjit, është detyrim i gjithsecilit t'i publikojë ato prova”, ka thënë Zaev. Duke iu referuar videos së publikuar nga takimi Gruevski-Zaev, kreu i LSDM-së tha se ky është argumenti më i fortë që tregon se lideri i opozitës ndiqet dhe xhirohet fshehurazi dhe se kjo madje bëhet me diktatin e vetë kryeministrit.

Përfaqësues të ndërkombëtarëve në Maqedoni kanë theksuar se po i ndjekin ngjarjet në Shkup me shumë kujdes. Ata kërkojnë hulumtim të pavarur dhe transparent për akuzat e opozitës ndaj pushtetit aktual.