1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedoni: Mbledhja maratonë e parlamentit ende pa rezultat

19 Prill 2017

Deputetët në parlamentin e Maqedonisë as në seancën e katërmbëdhjetë të mbledhjes konstituuese nuk kanë arritur marrëveshje për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

https://p.dw.com/p/2bX20
Mazedonien Parlament in Skopje
Fotografi: picture-alliance/dpa/EPA/G. Licovski

Në rrjedhën e deritanishme të debatit deputetët e VMRO-DPMNE-së kërkojnë nga ata të LSDM-së të heqin dorë nga marrëveshja me partitë politike shqiptare dhe të shkohet në zgjedhje të reja. Nga LSDM, ndërkaq, konsiderojnë se me debatin nuk po respektohet rregullorja e Parlamentit dhe se deputetët e VMRO-DPMNE-së diskutojnë për tema të cilat nuk kanë lidhje me pikën e rendit të ditës. Deputetët e LSDM-së po kërkojnë të kalohet në votim të pikës pasuese të rendit të ditës, përkatësisht zgjedhjes së kryetarit të Parlamentit.

LSDM pro formimit të qeverisë,VMRO pro zgjedhjeve të reja

Kryetari i LSDM-së Zoran Zaev, pas takimit me ambasadorët e Gjermanisë, Britanisë së Madhe dhe Holandës ka thënë se Maqedonia duhet t'i vazhdojë proceset demokratike me çka do të sigurohet një e ardhme e sigurtë për qytetarët e saj. "Shumica parlamentare prej 67 deputetësh është e gatshme që ta realizojë vullnetin e qytetarëve për ndryshime, të shprehur më 11 dhjetor. Hapat që do të pasojnë për një kohë të shkurtër janë zgjedhja e kryetarit të ri të Parlamentit dhe Qeveria e re reformuese, kjo në bazë të  Kushtetutës", ka deklaruar Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Kriza e imponuar nga LSDM-ja duhet të përfundojë. Populli kërkon zgjedhje, në të cilat do të prononcohen dhe do të dinë për çka të votojnë, që të mos ndihen të manipuluar pas zgjedhjeve, kërkon VMRO-DPMNE. "Njeriu i cili qëndron pas platformës së Tiranës vazhdon ta promovojë politikën sorosoide të nxitjes së konflikteve me qëndrime edhe më të rrezikshme siç është ndryshimi i kufijve të Ballkanit, ndërsa LSDM-ja vazhdon me këmbëngulje të heshtë. Sa ka borxh dhe kujt i ka borxh kryesia kriminogjene e LSDM-së është problem i tyre personal. Ai borxh nuk guxon dhe nuk do të paguhet për llogari të interesave më të larta shtetërore dhe kombëtare", thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së.

Lideri i  BDI-së Ali Ahmeti, ua ka hedhur topin për dalje nga kriza dy partive të bllokut maqedonas, LSDM-së dheVMRO-së.   "BDI i ka bërë të gjitha veprimet e duhura që janë kërkuar, kjo do të varet prej mirëkuptimit që do të gjejnë dy partitë politike maqedonase. Zgjedhjet e parakohshme nuk i shohim si zgjidhje të situatës. Sigurisht që të gjitha veprimet duhet të bëhen me maturi dhe pjekuri, dhe për çdo veprim që çon drejt konstituimit të institucioneve, ne jemi të gatshëm që të veprojmë në bazë të rregulloreve dhe ligjeve", thekson kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti

Ndërkombëtarët me mesazhe inkurajuese

Ish-kryeministri suedez dhe shef i diplomacisë Karl Bild gjatë vizitës në Shkup ka realizuar takime me liderët e partive politike të shumicës së re parlamentare. Duke mos dashur të komentojë në detaje, Bild ka thënë, se rruga për dalje nga kriza kalon përmes respektimit të Kushtetutës dhe proceseve demokratike.

"Ju kishit zgjedhje, keni Kushtetutën si çdo shtet evropian. Ndonjëherë mund të ketë probleme, por respektoni Kushtetutën dhe praktikat demokratike. Kjo është mënyra e vetme se si zgjidhen problemet në demokracinë evropiane. Kjo është e tëra nëse dëshironi të jeni pjesë e BE-së", ka thënë Karl Bild.

Është i domosdoshëm uniteti dhe formimi i institucioneve në Maqedoni, apelon shefi i delegacionit të BE-së në Shkup Samuel Zhbogar. Sipa tij ka ardhur koha kur të gjithë në shtet duhet ta mësojnë mësimin, se ka ardhur koha që të krijohet unitet dhe të gjithë të jenë të bashkuar drejt një qëllimi të njëjtë.
"Ka ardhur koha që vendi të ecë përpara, që të formohen institucionet shtetërore, të zgjidhet kryetari i Parlamentit dhe të formohet qeveria. Mendoj se pushteti dhe opozita, si dhe të gjithë njerëzit në vendin tuaj duhet të fillojnë më shumë ta dëgjojnë veten që të jenë të bashkuar. Kjo është shumë e rëndësishme për ardhmërinë e vendit tuaj dhe për procesin e integrimit evropian, për të cilin të gjithë jemi të interesuar të vazhdojë", vlerëson Zhbogar.

 

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut