1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Maqedoni: Marrëveshje për tejkalimin e krizës

Është arritur në orët e para të mëngjesit të sotëm (15.07) marrëveshja e shumëpritur për dalje nga kriza politike, në të cilën gjendet Maqedonia që nga fillimi i këtij viti.

Liderët e katër partive më të mëdha u dakorduan që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen në 24 prill 2016, që opozita maqedonase e udhëhequr nga LSDM të kthehet në Parlament në shtator, të formohet një qeveri kalimtare, ku nga dhjetori i këtij viti Nikolla Gruevski nuk do të jetë më kryeministër por njëqind ditë para zgjedhjeve, VMRO­-DPMNE do të nominojë kryeministër të përkohshëm, që do të jetë zgjidhje sistemore edhe për të gjitha zgjedhjet e ardhshme. Afera e përgjimeve do të hetohet nga një prokuror special publik, këto janë pikat kryesore të marrëveshjes.

Marrëveshja i hap dyert Maqedonisë drejt BE dhe NATO

Marrëveshja është arritur me ndërmjetimin e komisionerit për Zgjerim dhe Fqinjësi të BE-së, Johannes Hahn. Komisioneri Hahn e vlerësoi marrëveshjen e arritur si një hap të rëndësishën për perspektivën euroatlantike të vendit.

"Mund t'ju them se arritëm marrëveshjen e nënshkruar nga liderët e katër partive më të mëdha dhe jam i kënaqur nga e arritura. Liderët janë dakorduar për zgjedhje të parakohëshme parlamentare dhe se përqëndrimi mëtej do të jetë në implementimin e raportit të Pribesë dhe rekomandimeve të tjera të Komisionit Evropian. Kjo është ditë e shkëlqyeshme për vendin tuaj e hapi shumë gjërësisht derën e perspektivës tuaj euroatlantike", është shprehur Hahn pas bisedimeve maratonike, që kanë zgjatur me teper se dymbëdhjet orë. Sipas tij, ky është moment perfekt për Maqedoninë dhe bashkësia ndërkombëtare e ka njohur nevojën që t'i ndihmojë vendit, i cili është i gatshëm t'i realizojë reformat e nevojshme.

Gruevski : Fitues është populli

Kriza politike në Maqedoni është zgjidhur, kështu është shprehur kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski.

“Kriza politike në Maqedoni është zgjidhur, perspektivat evropiane për Maqedoninë mbeten të hapura, ekonomia lirohet nga kthetrat, që imponoi kriza politike“, ka deklaruar kryeministri Gruevski.

Sipas Gruevskit LSDM gjatë periudhës së kaluar dhe gjatë bisedimeve për arritjen e marrëveshjes ka bërë përpjekje maksimale që të mos ketë sukses marrëveshja e 2 qershorit dhe të mos ketë zgjedhje në prill.

"Udhërrëfyes në bisedimet e mbrëmshme ishte Maqedonia dhe populli i saj. Maqedonia na njeh mirë edhe ne edhe ata dhe do të zgjedhë me maturi dhe në pajtim me parimet dhe vlerat në të cilat besojmë. Jam i sigurt se më 24 prill populli më masovikisht deri më tani do të na e japë mbështetjen", theksoi kryeministri Gruevski.

Zaev: U dëshmuan akuzat e opozitës për qeverinë

Duke komentuar marrëveshjen e arritur lideri i opozitës maqedonase Zoran Zaev tha se ajo paraqet fitore të madhe, pasi konfirmon të gjitha dëshmitë e opozitës të paraqitura periudhën e fundit nga përgjimet, se qeveria aktuale në krye me Gruevskin është e zhytur në veprimtari të rënda kriminale.

“Me marrëveshjen e arritur u konfirmua e gjithë ajo, që u tha për këtë qeveri nga ana e opozitës se Nikolla Gruevski dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë qeverisin në mënyrë kriminale dhe korruptive dhe se nuk fitojnë në zgjedhje, por i vjedhin votat dhe manipulojnë proceset zgjedhore”, ka deklaruar Zaev .

Kryeministri Gruevski dhe lideri i opozitës Zaev kanë shprehur mirënjohje të larta për angazhimin e përfaqësuesve ndërkombëtar nga BE-ja dhe SHBA-të për arritjen e marrëveshjes dhe nxjerrjen e vendit nga kriza e rëndë politike, në të cilën ndodhet tani një vit e gjysmë, e në veçanti nga muaji shkurt, kur opozita nisi publikimin e bisedave të përgjuara telefonike të zyrtarëve të lartë.