1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Maqedoni: Investime përballë dukurisë së azilkërkuesve

Përmirësimi i gjendjes ekonomike dhe punësimet në administratën publike do të jenë masat me të cilat do të luftohet dukuria e azilkërkuesve nga Maqedonia në BE. Ekspertët vlerësojnë se masat e qeverisë nuk mjaftojnë.

Shkupi merr masa

Shkupi merr masa

Ministrat e Punëve të Brendshme të vendeve anëtare të BE-s kohë më parë kanë miratuar rregulla të reja për të parandaluar fluksin e madh të azilkërkuesve në vendet e BE-s.Sipas rregullave të reja ,në situata të jashtëzakonshme, kur numri i azilkërkuesve rritet dukshëm, vendet e BE-s mund të kthejnë rregjimin e vizave për vendet e Ballkanit Perendimor.Duke patur parasysh masat e reja të BE-së për azilkërkuesit, Maqedonia gjatë këtij viti do të ketë prioritet realizimin e aktiviteteve për zvogëlimin e mëtejmë të numrit të qytetarëve, që kërkojnë azil në vendet e BE-së.

Ndihma ekonomike parandalon emigrimin

Maqedonia nuk duhet të lejojë kthimin e regjimit të vizave, thotë ministri pa portofol në qeverinë e Maqedonisë, Nexhdet Mustafa. Benefiti që gëzojnë qytetarët nga heqja e regjimit të vizave nuk duhet rrezikuar dhe të kthehemi në kohën e pritjes në radhë para ambasadave për të marrë viza, thotë ministri Mustafa, që përfaqëson popullatën rome në qeverinë e Maqedonisë.Numri më i madh i azilkërkuesve nga Maqedonia është nga etniteti rom.

“Qytetarët romë ranë në kurthin e manipulantëve të agjencive turistike dhe pa llogaritur pasojat udhëtonin për vendet e BE-s.Përmes kontakteve me qytetarë i njoftojmë ata se keqpërdorimi i vizave mund t'i lërë ata pa dokument udhëtimi”, shprehet Mustafa.

Sipas planeve të qeverisë, dukuria e azilkërkuesve nga Maqedonia do të luftohet përmes përmirësimit të gjendjes ekonomike dhe punësimeve në administratën shtetërore.

Lumi Vardar në qendër të Shkupit

Lumi Vardar në qendër të Shkupit

“Po angazhohemi për t'i përmirësuar kushtet e jetesës aty ku jeton popullata rome. Disponojmë një program, i cili parasheh qe çdo familje rome që ka një fëmijë në shkollë të marrë ndihmë sociale në vlerë prej 12 mijë denarësh”, thotë kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski.

Nevojë për investime

Për ekspertët, hapat e qeverisë për çrrënjosjen e azilkërkuesve janë të buta. Shteti duhet të aplikojë masa konkrete me të cilat do të stimulohet qytetarët të mos shkojnë jashtë shtetit, thotë profesori universitar Nikolla Dujovski.

“Situata është serioze.Duhet me urgjencë të intervenohet për zhvillim ekonomik të rajoneve, ku jeton popullata rome. Vetëm me investime ekonomike dhe me hapjen e vendeve të reja të punës,qytetarët mund të binden që të mos braktiset vendi”, shprehet Dujovski.

Nëse Maqedonisë i kthehet regjimi i vizave, pasojat do të ishin katastrofale.

“Kjo do të thotë një hap mbrapa në proceset eurointegruese. Do të duhet kohë që Maqedonia ta bindë përsëri Brukselin se është e aftë për të parandaluar keqpërdorimet nga liberalizimi i regjimit të vizave”.

Ministrja e Punëve të Brendshme, Jankullovska thotë se Maqedonia është e inkuadruar në disa aktivitete ndërkombëtare, ku bëhet koordinimi për parandalimin e migracionit ilegal.

Autor: Fatos Musliu/ Shkup

Redaktoi: Auron Dodi