1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedoni : Hapet rruga për krijimin e parlamentit të ri

Fatos Musliu / Shkup17 Qershor 2008

Pas përfundimit të rivotimit, Komisioni shtetëror zgjedhor ka verifikuar 119 mandate të deputetëve me çka është hapur rruga ligjore për formimin e përbërjes së re të Parlamentit të Maqedonisë.

https://p.dw.com/p/ELeA
Parlamenti i Maqedonisë
Parlamenti i MaqedonisëFotografi: dpa

Pritet që deri në fund të javës të konstituohet përbërja e re e parlamentit. Është heret të flitet por në kuloaret politike kanë filluar llogaritjet edhe për formimin e qeverisë. Nikolla Gruevski, kryetari i VMRO-DPMNE-së, me 63 mandate të fituara të deputetëve është mandatar absolut për formimin e Qeverisë. Tani për tani ende nuk dihet se cilën parti politike shqiptare do ta ftojë Gruevski për partner të koalicionit të tij qeveritar. Nga VMRO-DPMNE thonë se para se të prononcohet Nikolla Gruevski, do të bëhen analiza të thukta se cila parti shqiptare do të jetë në Qeveri. Gruevski ka një pozitë komote dhe mund të bëjë përzgjedhjen me duartë të lira sepse ai e ka shumicën absolute në Parlament.Që nga viti 1998 partner qevritar i VMRO-DPMNE-së ka qënë Partia demokratike shqiptare e Munduh Thaçit. Por, ajo në këto zgjedhje ka fituar vetëm 11 mandate deputetësh. Bashkimi demokratik për integrim me 18 mandate deputetësh vlerëson se ajo është parti e cila duhet ta prezantojë shumicën shqiptare në Qeverinë e koalicionit. Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, thotë se vullneti i shumicës së shqiptarëve në Maqedoni duhet të respektohet sepse vetëm kështu mund të shpiem proceset madhore përpara. Maqedonia është shtet multietnik dhe pa respektimin e vullnetit të shumicës së qytetarëve shqiptar sigurisht se do të ketë probleme në proceset me të cilat do të ballafaqohet vendi.

"Unë nuk do të dëshiroja që të përsëritet 2006-ta me ç`rast nuk u përfill vullneti i shumicës së shqiptarëve dhe për atë arsye ndodhi kriza parlamentare dhe qeveritare. Maqedonia nuk ka nevojë të riinstalojë kriza por ka nevojë të arrihet një konsensus poltik dhe etnik," ka deklaruar kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Ekspertët politik nuk e përjashtojnë mundësinë që Gruevski të formojë një Qeveri të kohabitacionit në të cilën do të përfshiheshin dy partitë e mëdha shqiptare, BDI dhe PDSH.

Pjesëmarrja e partive shqiptare në Qeveri nuk është normë por traditë, thonë analistët politik. Gjithnjë sipas tyre, mandatari Nikolla Gruevski do të përcaktohet për atë parti politike shqiptare e cila do të ketë kërkesa më të realizueshme politike për shqiptarët, kërkesa të cilat nuk do ta cenonin unitarizmin e Maqedonisë. Edhe pse partitë politike shqiptare, BDI dhe PDSH nuk janë shprehur të gatshme që të bashkëpunojnë së bashku në një Qeveri, pritet që me ndikimin e faktorit ndërkombëtar, një gjë e till të bëhet realitet.