1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedoni: Fillon fushata e zgjedhjeve parlamentare

17 Maj 2011

Në Maqedoni ka filluar fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 5 qershorit. Vendet e reja të punës, prosperiteti ekonomik dhe integrimi në NATO dhe BE janë premtime të përgjithshme të partive politike.

https://p.dw.com/p/11HZL
Nikola Gruevski prezanton programin e VMRO DPMNE
Nikola Gruevski prezanton programin e VMRO DPMNEFotografi: MIA

Në 20 ditët e ardhshme partitë politike pjesëmarrëse në procesin zgjedhor, në mitingje dhe tubime me qytetarë, do të shpalosin platformat e tyre zgjedhore. “Bashkohu ia vlen”,”Ta kthejmë krenarinë”, “Ne jemi popull”, “Bashkë drejt qëllimit”, janë disa nga slloganet me të cilat garojnë partitë politike. Në platformat e tyre zgjedhore dominojnë premtime për hapjen e vendeve të reja të punës, mëkëmbjen ekonomike, anëtarasimin e vendit në strukturat euroatlantike si dhe luftën kundër krimit të organizuar.

Bashkimi Demokratik për Integrim në platformën e saj, theks të veçantë i ka kushtuar Marrëveshtjes së Ohrit si një bazament për ndërtimin e shoqërisë multietnike dhe që garanton statusin e avancuar juridik të shqiptarëve në Maqedoni. “Një nga prioritetet kryesore edhe më tej mbetet implementimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit, zhvillimi ekonomik i vendit dhe procesi i integrimit”, vlerëson Abdylaqim Ademi.

Branko Crvenkovski, Radmila Sekerinska dhe Zoran Zaev filluan fushatën për SDSM
Branko Crvenkovski, Radmila Sekerinska dhe Zoran Zaev filluan fushatën për SDSMFotografi: MIA

VMRO-DPMNE në platformën e saj ka inkorporuar 1200 projekte, realizimi i të cilave është parakusht për mirëqënien e qytetarëve. “Ulja e tatimeve, zvogëlimi i vlerës së shtuar në shumë prodhime bujqësore dhe industriale dhe hapja e vendeve të reja të punës janë ide të reja në politikën ekonomike të VMRO-DPMNE-së” , thotë Nikolla Gruevski.

Partia Demokratike Shqiptare do t`i ofrojë elektoratit një marrëveshtje të re politike midis shqiptarëve dhe maqedonasve. “Me rëndësi është që fillimisht të zgjidhen dy çështje shumë të rëndësishme- procesi i vendimmarjes dhe ndarja proporcionale e buxhetit. Në këtë mënyrë do të sigurohen kushtet e tjera për vazhdimin e negociatave”, shprehet Agon Ferati nga PDSH.

Ali Ahmeti, kryetari i BDI
Ali Ahmeti, kryetari i BDIFotografi: DW/Musliu

Bashkimi Demokratik Kombëtar për barazinë e shqiptarëve në Maqedoni në platformën e tij ofron federalizim. “Ky koncept, ky obsion vlerësojmë se është shumë i rëndësishëm për shqiptarët, dhe të gjithë duhet ta kuptojmë se zgjidhje tjetër nuk ka për shqiptarët”, thotë Hysni Shaqiri.

Koalicioni opozitar maqedonas i udhëhequr nga Lidhja Social Demokrate ofron në këto zgjedhje ndryshime serioze në fushë sociale, të shëndetësisë dhe në veçanti në ekonomi. Investimeve nga jashtë do të jenë prioritet i kësaj partie. “Përfundimisht e majta dhe e djathta duhet të pastrojnë me të kaluarën, për lëshimet që janë bërë në privatizim apo në reformat e gabuara. Qytetarët janë të etur për ide dhe koncepte të reja”, ka thënë Branko Cërvenkovski.

Rufi Osmani udhëheq Rilindjen Demokratike Kombëtare
Rufi Osmani udhëheq Rilindjen Demokratike KombëtareFotografi: DW/S.Toevski

Rilindja Demokratike Kombëtare e udhëhequr nga Rufi Osmani në këto zgjedhje do të fokusohet në rëndësinë e realizimit të shtetformësisë shqiptare në Maqedoni si dhe avancimin e makropolitikave ekonomike. “Alokimi i pjesës adekuate të buxhetit si investime kapitale në komunat shqiptare, fuqizimi përmbajtësor i decentralizimit fiskal, pjesëmarja cilësore e shqiptarëve në administratën publike dhe zgjidhja e çështjes së emrit,” thotë Ermir Ramadani. Të gjitha partitë politike, pjesëmarrëse në zgjedhjet e 5 qershorit kanë nënshkruar kodeksin e mirësjelljes gjatë fushatës parazgjedhore.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Aida Cama