1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedoni: Dhuna u ndërpre, por situata mbetet e tensionuar

28 Prill 2017

Gjendja në Maqedoni është vënë nën kontroll, por tensionet mbetet. BE ka dënuar dhunën në Parlamentin e vendit duke theksuar, se ajo nuk pajtohet me demokracinë. Kërkohet dialogu politik brenda institucioneve.

https://p.dw.com/p/2c2mI
Mazedonien Erstürmung des Parlaments
Fotografi: picture-alliance/dpa/B. Grdanoski

Deri në 45 vetë u lënduan në Parlamentin e Maqedonisë gjatë trazirave të së enjtes (27.04) në mesin e të cilëve ka pasur deputetë, policë, të punësuar në parlament, gazetarë dhe protestues. Ata kanë marrë ndihmën e parë mjekësore në Klinikën kirurgjike "Shën Naumi i Ohrit” në Shkup. Drejtoresha e Klinikës, Jasminka Çabukovska tha se katër prej tyre janë mbajtur për trajtim të mëtejshëm.

Para mesnate njësitë e forcave speciale të policisë përfunduan evakuimin e deputetëve të fundit, të cilët kanë qenë cak i sulmit nga huligan dhe protestues të dhunshëm që u futën në Parlament. Forcat e sigurisë kanë shpërndarë turmën përmes përdorimit të gazit lotsjellës. Protestuesit e iniciativës "Për Maqedoni të përbashkët” kanë vendosur tenda para Parlamentit të Maqedonisë ku kanë qëndruar tërë natën.

LSDM: Dhuna e përgjakshme  - rezultat i Gruevskit dhe Ivanovit

Pas mesnate të gjithë deputetët e opozitës nga radhët e LSDM-s janë tubuar në selinë e partisë, nga e cila është lëshuar reagimi i parë zyrtar për incidentin në Parlament. "Do të ketë pasoja për përgjegjësit e dhunës së përgjakshme që ndodhi në Parlamentin e Maqedonisë. Dhuna e përgjakshme është rezultat i dhunës, në të cilën gjatë periudhës së fundit ka bërë thirrje Nikolla Gruevski, si dhe provokimet, urrejtjet, ndarjet e Gruevskit, Ivanovit, Veljanoskit, grupit të deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe bashkëpunëtorëve të tijë”, theksojnë nga LSDM.

Deputeti shqiptar në gjendje të përmirësuar

Sekretari i LR-PDSH-së, Arben Taravari ka thënë se deputeti Ziadin Sela është në gjendje të mirë dhe është trajtuar në klinikat e Shkupit. "Situata ka qenë kritike, ku kryetari i LR-PDSH-së ka qenë i ngujuar në një nga zyrat e Parlamentit por është shpëtuar nga kolegët e tij”, ka thënë Arben Taravari.

Pse nuk reagoi policia në kohë?

Mazedonien Skopje Parlamentssturm
Fotografi: picture-alliance/abaca/B. Ademi

Ministri i punëve të Brendshme, Agim Nuhiu thotë se vlerësimet e para janë që policia nuk ka qenë në detyrë në mënyrë efikase për ta zbatuar planin që e bëmë më parë. "Tani për tani situata po qetësohet, kemi deputetë, gazetarë dhe policë të lënduar, por nuk mund të flas me shifra. Sigurisht që do të kërkoj përgjegjësi për ata që kanë marrë detyra dhe të japin përgjigje, se përse policia nuk reagoi në kohë”, ka deklaruar ministri i Punëve të Brendshme Agim Nuhiu.

Ivanov: Fton liderët në takim

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov në një paraqitje të jashtëzakonshme ka bërë thirrje për një takim të liderëve të partive politike, ndërsa ka dënuar veprimet që sipas tij janë në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjet e Maqedonisë. Ivanov tha se nuk ka kontest që nuk mund të zgjidhet, por se për këtë nevojitet përgjegjësi në përputhje me ligjet e vendit.

Ivanov zgjedhjen e kryetarit të Parlamentit e quajti veprim antiligjor. "Apeloj për uljen e tensioneve dhe sjellje të përgjegjshme në përputhje me kushtetutën dhe ligjet e vendit. Deputetët janë përgjegjës për çdo veprim të tyre. Çdokush duhet të jetë përgjegjës për veprimet e veta. Vetëm përmes respektimit të kushtetutës dhe të ligjeve dhe të rendit kushtetues mund të ketë zgjidhje. Nuk ka çështje, për të cilat nuk mund të arrihet epilog, por vetëm përmes respektimit të ligjeve dhe kushtetues. Ftoj në takim liderët e të gjitha partive politike pasi ata kanë fituar besimin dhe janë përgjegjës për kapërcimin e gjendjes. Akush nga jashtë nuk na zgjidhin problemet nëse këtë vet nuk e bëjmë”, ka deklaruar presidenti Gjorge Ivanov.

Gruevski: Dhuna nuk është zgjidhje

Pas ngjarjeve në Parlament ka reaguar edhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski. "Është e nevojshme që të ulen gjakrat. VMRO-DPMNE do të jetë përballë procedurave të LSDM-së kundër shtetit nëpërmjet mjeteve juridike dhe politike”, thotë Gruevski.

Partia Demokratike Shqiptare i ndjek me vëmendje zhvillimet e situatës së krijuar pas incidentit të dhunshëm në Parlament dhe fuqimisht e dënon dhunën e ushtruar ndaj deputetëve dhe gazetarëve. PDSH apelon tek shqiptarët që në asnjë mënyrë të mos bien pre e provokimeve dhe të ruajnë gjakftohtësinë.

Russland Federica Mogherini in Moskau
Fotografi: picture-alliance/dpa/Sputnik/S. Pyatakov

Reagime ndërkombëtare

Ngjarjet e djeshme në Parlamentin e Maqedonisë kanë shkaktuar reagime ndërkombëtare. Dhuna nuk pajtohet me demokracinë. Ky është qëndrimi i përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikën e Jashtme, Federika Mogherini në reagimin e saj përmes një letre të publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Europian. Ajo ka dënuar aktin e dhunës në ambientet e Parlamentit të Maqedonisë duke bërë thirrje që organet e rendit të marin masa dhe të sigurojnë anëtarët e Parlamentit.

Dialogu politik në institucione

"Demokracia duhet të veprojë, ashtu siç jemi informuar për zgjedhjen e Talat Xhaferit për kryeparlamentar, ne kemi marrë notë pozitive për zgjedhjen e tij. BE-ja konsideron se dialogu politik në institucione është rruga e vetme që duhet ndjekur dhe urgjentisht partitë politike dhe aktorët politik të bëjnë konstituimin e institucioneve të vendit si një akt demokratik. Maqedonia është shtet kandidat i BE-së dhe BE-ja është e gatshme të bashkëpunojë me parlamentin në reformat e nevojshme që të lëvizë shtetin në rrugën euroatlantike", thuhet në reagimin e lëshuar nga Mogherini.

EU - Erweiterungskommissar Johannes Hahn
Fotografi: DW/A. Feilcke

Ndaj zhvillimeve të djeshme në Parlamentin e Maqedonisë ka reaguar edhe eurokomisioneri për zgjerim Johanes Hahn. "Dënoj sulmet ndaj deputetëve në Shkup me notat më të forta. Dhuna nuk ka vend në Parlament. Demokracia duhet të vazhdoj rrugën e saj”, ka thënë Hahn.

Reagimi vjen edhe nga shefja e misionit të OSBE-së në Shkup, Nina Suomalainen, e cila ka bërë thirrje për ndërprerjen e dhunës në Parlament. "Situatë e tensionuar në Shkup. Aktet e dhunshme duhet të ndalen, policia të siguroj Parlamentin dhe deputetët”, ka shkruar ajo në twitter.

Ambasada e SHBA në Shkup poashtu ka dënuar dhunën në Parlament në çdo kuptim të fjalës. "Ajo nuk është në pajtim me demokracinë dhe nuk është e pranueshme për të zgjidhur mosmarrëveshjet. Kjo është kritike. Të gjitha palët të respektojnë proceset demokratike, sipas ligjeve dhe u bëjmë thirrje që të përmbahen nga veprimet e dhunshme të cilat përkeqësojnë situatën. Shumica e deputetëve ka zgjedhur Talat Xhaferin për kryetar të parlamentit gjatë një seance të rregullt konstituive të Parlamentit. Ne do të punojmë me të për të mbështetur demokracinë dhe për të çuar përpara interesat e Maqedonisë”, thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA-së në Shkup. reagime të ashpra të ndërkombëtarëve.

 

 

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut