1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Maqedoni: data e zgjedhjeve në pikëpyetje

Kjo javë është javë vendimtare për krizën politike në Maqedoni, kryesisht për mundësinë që më 24 prill të ketë zgjedhje të parakohshme, nga të cilat varet edhe dorëheqja e kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski.

Në bazë të marrëveshjes politike që është arrit midis katër liderëve të partive më të mëdha në Maqedoni dhe ku si garantues paraqitet Brukseli dhe Uashingtoni, deri më 15 janar duhet të zgjidhet qeveria kalimtare, me përfshirjen edhe të opozitës.

LSDM opozitare është e gatshme për zgjedhjet e parakohshme. Lideri i opozitës maqedonase Zoran Zaev, vlerëson se partia e tij është gati për zgjedhjet për të cilat ka luftuar aq shumë. Por paraprakisht sipas tij, duhet të zbatohet në tërësi marrëveshja e Përzhinës, të sigurohen zgjedhje të lira dhe demokratike që është kushti themelor që del nga kjo marrëveshje. Gjithnjë sipas Zaev, marëveshja kërkon që zgjedhjet të jenë të lira e të pranueshme dhe kjo ka më shumë rëndësi se sa data e mbajtjes së tyre. “Në marrëveshjen e Përzhinës ka disa çështje që janë përfunduar, siç është formimi i Prokurorisë Speciale, por ka disa çështje si liria e shtypit dhe verifikimi i listës zgjdhore të cilat nuk janë tërësisht të zgjidhura”, thotë Zoran Zaev kryetar i LSDM-së.

Por, partitë në pushtet kërkojnë me çdo kusht mbajtjen e zgjedhjeve dhe çdo shtyrje të tyre e cilësojnë si dështim të tërë marrëveshjes, nga e cila kanë mbetur shumë pika pa u zbatuar, si: pastrimi i listës zgjedhore, raporti i komisionit anketues, reformat në çështjen e medieve, puna e prokurores speciale dhe ndryshimet ligjore në administratë.

Shpresat e kthyera nga ndërkombëtarët

Sipas analistëve dilemat, jo vetëm për zgjedhjet, por edhe qeverinë e re pritet të zgjidhen gjatë vizitës në Shkup të komisionerit për zgjerim, Johanes Hahn.

Profesori universitar Mersel Bilalli shpreson se pas “inspektimit “të situatës në vend nga eurokomisioneri Johanes Hahn, në Maqedoni do të jetë shumë më e qartë se kur do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. "Mendoj se këto dy gjëra janë të ndara. Shtyrja eventuale e zgjedhjeve nënkupton se nuk janë pjekur kushtet që janë pjesë e marrëveshjes politike, kurse mostërheqja e kryeministrit është element shtesë i shkeljes së kësaj marrëveshjeje“, thotë Mersel Bilalli, njohës i çështjeve politike.

Nikolla Dujoski, njohës i sistemit politik në Maqedoni, thotë se shtyrja e zgjedhjeve nuk mund të bëhet pa pëlqimin e përfaqësuesve ndërkombëtarë, të cilët janë edhe garantues të marrëveshjes politike.“Çdo shtyrje e zgjedhjeve apo vendosje e afateve të reja për mbajtjen e tyre, nuk mund të bëhet pa pëlqimin apo ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare, pasi ajo është garantuese e asaj për të cilën janë marrë vesh partitë politike. Prandaj, vlerësoj se vizitat e tyre janë shumë të rëndësishme dhe vendimtare në procesin e zgjidhjes së krizës politike“.

Sipas Dujoskit nuk është me rëndësi nëse zgjedhjet do të mbahen në afatin e parashikuar apo disa muaj më vonë. Shumë më e rëndësishme, është që procesi të jetë i lirë dhe demokratik, ndërsa rezultati të jetë i pranuar nga të gjitha partitë.

A mund të shtyhet data e zgjedhjeve?

Në Maqedoni nuk janë krijuar kushte optimale për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme të 24 prillit,vlerson analisti politik Sefer Tahiri. “Nuk duhet të insistohet që të mbahen zgjedhje sa për sy e faqe. Këto zgjedhje meqë janë në njëfarë mënyre edhe një lloj referendumi popullor se kush do të marrë legjitimitetin e shqiptarëve dhe maqedonasve gjithashtu, sepse ne nuk jemi vetëm në këtë shtet, konsideroj se këto zgjedhje duhet të mbahen në mos në maksimum kushte të pastra dhe të drejta, të paktën të sigurohet një optimum sepse për momentin nuk kemi as minimumin e parakushteve për mbajtjen e zgjedhjeve të drejta dhe demokratike”, vlerëson Tahiri.

Si periudhë të mundshme të shtyrjes së zgjedhjeve, analisti Xhelal Neziri parashikon qershorin. Neziri thotë se kjo nuk do të thellonte krizën në rast se respektohen kërkesat e opozitës.

“Pa pjesëmarjen e opozitës dhe pa plotësimin kushtimisht thënë të të gjitha dëshirave të opozitës në këto zgjedhje nuk besoj se të njëjtat do të mbahen pasi ato do ta thellonin krizën dhe nuk do ta zgjidhnin atë. Mendoj se qershori do të jetë një muaj më i besueshëm ku mund të prolongohen zgjedhjet.”

Analistët tregohen unanim në vlerësimin se pavarësisht kohës së mbajtjes së zgjedhjeve, dorëhqeja e kryeministrit Nikolla Gruevski është e paevitueshme.

Marrëveshja e Përzhinës ndërmjet partive politike në Maqedoni u arrit në korrik të vitit 2015, pas ndërmjetësimin të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.