1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Maqedoni: Bojkotimi i zgjedhjeve nuk e zgjidh krizën

Delegacioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës gjatë dy ditëve të qëndrimit në Shkup ka bërë vlerësimin e atmosferës parazgjedhore të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të caktuara për më 5 qershor.

Europarat

Stefan Schennach, Këshilli i Evropës

Delegacioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, APKE ka ftuar të gjitha forcat politike nga Maqedonia që të tregojnë përgjegjësi ndaj zgjedhjeve dhe ta zbatojnë marrëveshjen e Përzhinës. Delegacioni kujtoi se zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë inicuar në kuadër të zbatimit të marrëveshjes së Përzhinës, për të cilën ka ndërmjuetësuar BE me qëllim që t'i jepet fundit krizës politike.Tri nga 4 partitë kryesore në Maqedoni e kanë informuar delegacionin europian se nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme të 5 qershorit, nëse nuk përmbushen kushtet për zgjedhje demokratike. Këtë e ka bërë të ditur Stefan Schennach, kryesuesi i delegacionit të Asamblesë Parlamentare të KE-së.

“Dihet, që 3 nga 4 partitë kryesore nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e 5 qershorit, nëse nuk plotësohen parakushtet, nuk zbatohet marrëveshja për zgjidhjen e krizës, apo nuk bëhet pastrimi i listës zgjedhore”, ka thënë Stefan Schennach. “Rruga e vetme për të zgjidhur krizën është që të mbahen zgjedhjet, megjithatë jo zgjedhje ku do të garojnë vetëm një apo dy parti, por zgjedhje gjithëpërfshirëse”, ka shtuar Schennach. Delegacioni i Asamblesë Parlamentare të KE-s, gjithashtu ka theksuar, se është përkeqësuar dukshëm klima pas vendimit të presidentit që të amnistojë 56 persona, mes të cilëve edhe persona të përndjekur nga ana e prokurorit special.

Proteste in Skopje

Protesta në Shkup kundër vendimit të presidentit, Ivanov (24.04)

“Most”: Nuk ka kushte për zgjedhje më 5 qershor

Për shkak të disa mangësive dhe shkeljeve të injoruara nga KSHZ, konstatojmë se Qeveria dhe institucionet tjera nuk kanë arritur të sigurojnë kushte për mbajtjen e zgjedhjeve të drejta, të besueshme dhe demokratike më 5 qershor,vlerson kryetari i “Most” Darko Aleksov.

“Aktiviteti i KSHZ për pastrimin e listës zgjedhore rezultoi me votim të ndarë të anëtarëve të KSHZ-së dhe me rezultate të paqarta nga kontrolli në terren. Deri më tani janë larguar vetëm personat e vdekur nga lista zgjedhore“,thotë Aleksov. “Most”, për shkak të rrethanave, vlerëson se publiku nuk ka besim në Listën Zgjedhore, ndërkaq gjithashtu probleme shfaqen edhe në lidhje me ndarjen e partisë nga shteti, keqpërdorimin e resurseve shtetërore për qëllime partiake dhe trysni ndaj të punësuarve në administratë.

Reagime për arrestimin e protestuesve

Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Maqedoni informon se janë proceduar 13 persona, të cilët janë thirrur në biseda informative, kundër 11 prej tyre janë shqiptuar sanksione, ndërsa kundër dy personave është vendosur masa arrest shtëpiak për pjesëmarje në protesta.Veprime të tilla Komiteti i Helsinkit i vlerëson si frikësim me qëllim ndërprerjen e protestave.

“Skenari është i dukshëm, tendenca për t'i ndalur qytetarët të dalin në protesta. Me këtë u shkelet e drejta kushtetuese për protesta. Komiteti i Helsinkit ka krijuar një ekip që t'u ofrojë ndihmë juridike pa pagesë të arrestuarve”, thotë Uranija Pirovska, drejtoresha e Komitetit të Helsinkit.

Edhe përkundër masës së arrestit shtëpiak për dy anëtarë të së “Majtës”, anëtarët e tjerë të partisë së re nuk do të tërhiqen nga mbështetja e protestave të “Revolucionit të Larmë”, ka thënë Dejan Lutkovski.

“Është problematike që Prokuroria kërkoi vetëm masën e arrestit shtëpiak, edhe përkundër mundësive për shqiptimin e masave më të buta, siç është për shembull vërejtja, paralajmërimi dhe dënimet me kusht, me qëllim që të pandehurit të mos e përsërisin veprën”,vlerëson Dejan Lutovski, anëtar i së “Majtës”. Lutovski gjithashtu tha se duhet gjetur sa më shpejt zgjidhje për dalje nga kjo situatë, sepse ekziston mundësia për ndërmarrje të masave më radikale të revoltës dhe pakënaqësisë qytetare.

Për arrestimet e fundit të protestuesve ka reaguar edhe nga Plenumi Studentor. "Që në ditën e dytë të protestave u arrestuan me forcë pa arsye dy anëtarë të Plenumit Studentor. Ndaj njërit prej tyre u përdor edhe forcë e tepruar dhe ai u lëndua”, thotë Orhan Sulejmani nga Plenumi Studentor.Sipas Plenumit, presidenti fali 56 politikanë, e nga ana tjetër studentët quhen huliganë dhe arrestohen vetëm sepse shprehin mendimin e tyre të lirë.

Raport negativ për mediat në Maqedoni

Raporti më i ri i Freedom House ka shënuar rënie të lirisë së mediave në Maqedoni, edhe atë nga niveli i pjesërisht i lirë në aspak të lirë. Në raport Maqedonia ka shënuar rënien më të madhe nga gjitha vendet evropiane për standardet demokratike. Zhaneta Trajkovska, drejtoreshë e shkollës së lartë të gazetarisë, thotë se kur kemi drejtësi selektive, liri të kufizuar dhe media të korruptura, është normale që vendi të ketë rënie të madhe në lirinë e shtypit.

“Ky raport reflekton gjendjen në të cilën ndodhen mediat në vend, ku kemi media në të cilat lajmet redaktohen jashtë zyrave të tyre, përkatësisht në qendrat politike të vendosjes. Raporti nxjerr në pah realitetin e hidhur se partitë janë ato që bëjnë lajmet e mediave”, thotë Trajkoska.