1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Maqedoni: Bisedime të vështira për prokurorin special

Partitë politike ende nuk kanë arritur marrëveshje për zgjedhjen e prokurorit special të parashikuar me marrëveshjen e katër partive politike për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni.

Prokurori duhet të propozohet nga opozita, por zgjedhja e tij nuk do të mund të bëhet pa mbështetjen edhe të partive në pushtet. Bisedimet mes partive po ndërmjetësohen nga i dërguari i Bashkimit Evropian, diplomatit belg, Peter Van Hout, i cili pret nga grupet e punës t'i përmbahen afatit që deri më 15 shtator Maqedonia të ketë prokurin special, i cili do të nisë punën për hetimin e aferës së përgjimeve të publikuara nga opozita.

Ligj i veçantë për prokurorin special

VMRO DPMNE-ja dhe LSDM-ja nuk po gjejnë gjuhën e përbashkët për mënyrën e rregullimit juridik të punës dhe kompetencave të prokurorit special. Ndërkohë që opozita kërkon që të miratohet ligji i posaçëm, VMRO DPMNE-ja dëshiron që çështja e prokurorit të rregullohet vetëm me akte nënligjore, respektivisht duke formuar sektorë special në kuadër të prokurorisë aktuale publike. Nga opozita thonë se ata janë të gatshëm për kompromis dhe presin që partia në pushtet t'i adresojë vërejtjet e tyre rreth tekstit të projektligjit të propozuar. Përfaqësuesit e partive politike pjesëmarës në negociatat për zgjedhjen e prokurorit special nuk janë optimist se në periudhën e ardhshme do të arrijnë marrëveshje për rregullimin ligjor të punës së prokurorit special.

Ministri i Drejtësisë Adnan Jashari theksoi se puna e prokurorit special duhet të precizohet me ligj të veçantë, ose të paktën me ndryshimin e ligjit aktual për prokurorinë publike, me qëllim evitimin e konfliktit të kompetencave mes prokurorit special dhe prokurorisë aktuale.

Mungesë në saktësimin e kompetencave të prokurorit special

Sipas protokollit të Marrëveshjes Politike, Prokurori Special duhet të zgjidhet deri më 15 shtator. Nëse nuk ka marrëveshje mes palëve, mund të ketë rekomandim arbitrar nga garantuesit ndërkombëtarë të marrëveshjes, me qëllim që të mos rrezikohet respektimi i tërë marrëveshjes së arritur për tejkalimin e krizës politike. Funksionimi i tij do të ketë edhe bazë kushtetuese, pasi partitë do ta ndryshojnë kushtetutën për emërimin e tij. Njohësit e çështjeve politike në Maqedoni thonë se zbatimi i marrëveshjes do të hasë në vështirësi për shkak të mosmarrëveshjeve mes partive politike dhe tendencave nga ana e tyre për të devijuar nga pikat e marrëveshjes.

Sllagjana Taseva drejtuese e organizatës “Transparency Macedonia“ thotë se me marrëveshjen politike shumë pak janë saktësuar çështjet që kanë të bëjnë me punën e prokurorit publik special. Ajo thotë se personi që do të drejtojë zyrën duhet të jetë njeri me kredibilitet të lartë dhe i guximshëm në zbatimin e plotë të ligjit dhe të obligimeve që parashihen me marrëveshjen politike, pavarësisht presioneve që mund të hasë nga partitë. “Gjithçka duhet të përkufizohet qartë si dhe të saktësohet apo të plotësohet ligji për prokurorinë nëse një gjë e tillë është e nevojshme, madje të formohet edhe një prokurori krejtësisht e re. Këtë punë nuk mund ta kryej vetëm një person, pra, ai duhet të ketë një ekip të tërë për të realizuar detyrimet që parashihen në marrëveshjen politike, e që pritet të pëcaktohen nga takimet e grupeve të punës".

Demiri : Pa gjykatë të pavarur s'ka kuptim prokurori special

Prokurori special duhe të hetojë nëse bisedat e përgjuara telefonike të zyrtarëve, përfshirë kryeministrin, Nikolla Gruevski, janë autentike dhe nëse nga përmbajtja e tyre ka veprime kriminale të zyrtarëve. Analisti Alajdin Demiri thotë se prokurori special do të ketë vështirësi të shumta në hetimin e kësaj afere. "Nëse nuk ka gjyqësi dhe gjykata të pavarura dhe nëse ato nuk bashkëpunojnë me prokurorinë, atëherë puna e tij mund të jetë e kotë. Puna e tij kërkon kushte për procedimin deri në fund të lëndës për për të cilën është i angazhuar", thekson Demiri.

Analisti Sasho Klekovski thotë se çështja e zgjedhjes së prokurorit special është tejet e ndjeshme, por ai beson se me ndihmën e faktorit ndërkombëtar edhe kjo çështje do të tejkalohet. “Po bëhet një presion i fuqishëm, si nga brenda ashtu edhe nga jashtë, që të arrijnë pajtueshmëri për të zgjedhur prokurorin special. Konsideroj se çështja më tepër ka të bëjë me atë nëse zgjedhja do të kërkohet në kuadër të kornizës ligjore që është në fuqi apo nëse do të kërkohet edhe ndonjë kandidat jashtë vendit”, thotë Klekovski.

Maqedonia ka kuadro të aftë për prokuror special

Në opinion nuk përjashtohet mundësia, që nëse partitë nuk arrijnë të dakordohen Prokurori Special mund të zgjidhet nga radhët e ekspertëve ndërkombëtarë i propozuar nga BE dhe i përkrahur edhe nga SHBA-ja. Por një mundësi e tillë hidhet poshtë nga profesor Afrim Osmani, i cili vlerëson se Maqedonia ka kuadro profesionistë që mund ta kryenin këtë detyrë. “Me vetë emërtimin e një prokurori publik të huaj dhe jo shtetas të vendit, kemi shkelje të sovranitetit apsolut të Republikës së Maqedonisë.Unë besoj se kemi personalitete të përgatitura për ta ushtruar këtë detyrë”, shprehet Osmani. Po sipas tij përveç prokurorit special, vendit i nevojitet edhe krijimi i një gjykate special, pasi besimi në sistemin gjyqësor në vend pas aferës së përgjimeve ëshë lëkundur ndjeshëm. “Për shkak të anshmërisë dhe subjektivitetit që kanë treguar deri më tani gjykatat në Maqedoni, me vetë themelimin e një prokurorie speciale të tillë kjo nënkupton edhe themelimin edhe të një gjykate ad hoc që do t'i trajtonte vetëm lëndët me aferën e përgjimeve“, thotë Osmani.

Analistët janë të një mendimi se prokurori special duhet të jetë njeri i guximshëm për të hetuar në mënyrë të drejtë dhe efikase aferën e përgjimeve, e cila edhe nxiti një nga krizat më të thella që nga pavarësia e Maqedonisë.