1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Maqedoni: BE ndërmejtëson për zgjidhjen e krizës

Eurodeputetët ndërmjetësues të marrëveshjes politike në Maqedoni, Richard Howitt, Ivo Weigel dhe Eduard Kukan kanë ftuar katër liderët e partive politike, që kanë nënshkruar Marrëveshjen e Përzhinos, të takohen në Vjenë.

Në takim, është ftuar edhe komisari i BE-së për Zgjerimin, Johannes Hahn si dhe ambasadori i SHBA-së në Shkup Jess Baily dhe ai i BE-së Aivo Orav.

VMRO DPMNE, ka konfirmuar se do të marrin pjesë në takimin e Vjenës, por pa precizuar se në cilin nivel do të jenë të jenë të përfaqësuar. Partia Demokratike Shqiptare nuk ka dhënë asnjë përgjigje. Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti në një prononcim për mediat vednase, ka konfirmuar pjesmarrjen e tij në Vjenë: “Nuk do dëshiroja që të bëjmë si në Bruksel dhe të kthehemi kokulur pa një marrëveshje. Ishim në Bruksel, nuk arritëm të dakordohemi, nuk dua të ndodhë kjo edhe në Vjenë. Nuk do t'i shmangem ftesës së eurparlamentarëve. Në këto situata si janë krijuar tani, pas vendimit të papargjegjshëm të Ivanovit, duhet menduar se si do të shkojmë në Vjenë dhe si do kthemi. Sigurisht se zgjidhje do ketë, por ajo duhet të jetë si rezultat i dakordimit të të gjitha palëve”, ka thënë Ahmeti.

Opozita maqedonase kushtëzon pjesëmarjen në Vjenë

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev theksoi se partia e tij do të pranojë të shkojë në bisedimet në Vjenë nëse plotësohen dy kushtet drejtuar presidenti të Maqedonisë dhe kryetarit të Parlamentit. “Për LSDM-në duhet të plotësohen dy kushte. E para Ivanov ta tërheqë vendimin për falje dhe e dyta, të mblidhet kuvendi dhe të tërheqë vendimin për zgjedhje”, ka thënë lideri opozitës Zoran Zaev, sipas të cilit po qe se ekziston vullnet nga ana e Gruevskit, këto dy kushte mund të plotësohen për më pak se dy orë. Për këtë vendim të tij Zaev u shpreh se i ka njoftuar të gjithë ata për të cilët ka vlersuar se duhet të njoftohen, përfshi edhe iniciatorët e këtij takimi.

Parashikimet e analistëve për takimin e Vjenës

Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se në Vjenë të gjitha mundësitë janë të hapura për diskutim, siç është prolongimi i datës së zgjedhjeve, tërheqja e vendimit të presidentit të Maqedonisë, deri tek arritja e një marrëveshjeje të re, atë të Vjenës.

“Vlerësoj se të gjitha variantet janë në lojë, do të thotë opozita mund të kërkojë që të tërhiqet vendimi i presidentit Ivanov për faljen e politikanëve dhe me këtë detyrimisht ringjallet marrëveshja politike e Përzhinos. Gjithsesi pjesë e bisedimeve mund të jetë dhe prolongimi i zgjedhjeve derisa të pastrohet lista e votuesve dhe të realizohen reformat në media", thotë analisti politik Mitko Gaxhovski.

Profesori i së drejtës ndërkombëtare Mersel Billalli thotë se nuk pret shumë nga takimi i Vjenës, sepse sipas tij zgjidhje të situatës nuk mund të ofrojnë partitë, që e kanë çuar vendin në krizë.“Nuk pres diçka spektakolare nga vet fakti se në këtë takim nuk përfshihen liderët kyç, infomatat janë në atë drejtim se lideri i VMRO DPMNE-së Nikolla Gruevski nuk shkon atje, por një delegacion i kësaj partie dhe nëse vërtetë ndodh kështu, atëherë kemi të bëjmë vetëm me një takim kozmetik", thekson Mersel Billalli.

Analisti politik Dame Çkatrovski mendon se shpëtimi i vetëm për vendin është që në takimin që do të mbahet më 22 prill në Vjenë, katër liderët e partive më të mëdha të dakordohen për formimin e një qeverie ekspertësh në Maqedoni. “Nëse LSDM dhe VMRO-DPMNE nuk dakordohen për një qeveri ekspertësh, atëherë nuk do të ketë paqë dhe nuk do të ndërpriten protestat”, ka deklaruar Çkatrovski.
Profesor Rizvan Sulejmani është optimist se në Vjenë mund të ketë zgjidhje për shkak se në këtë takim diplomatët evropianë dhe amerikanë nuk kanë përgatitur asnjë rend dite për politikanët nga Maqedonia. Sipas tij mungesa e rendit të ditës është sinjal që në Vjenë patjetër të arrihet marrëveshja për ta shpëtuar Maqedoninë.

“Në Vjenë nuk kemi shumë hapsirë kohore për negociata të gjata dhe të pafundme dhe me kushte. Qëllimi i bisedimeve në Vjenë do ta ketë synimin e këshillit papal të Vatikanit, kur palët mbyllen derisa të japin në zgjidhje dhe të shihet tymi i bardhë, dhe se nuk ka kohë për manovra të tjera politike. Situata në vend është në gjendje shumë të rëndë, jemi me qeveri teknike, jemi pa parlament, forcat politike janë të përçara”, thotë profesori Rizvan Sulejmani.