1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Maqedoni: BDI tërheq ministrat nga qeveria

BDI tërheq ministrat nga qeveria. Shkak për vendimin janë publikimet e fundit nga përgjime që posedon opozita e Maqedonisë. Opozita e akzuon BDI-në për taktikë elektorale.

Kryesia Qëndrore e Bashkimit Demokratik për Integrim ka vendosur njëzëri që të gjithë ministrat dhe zëvendësministrat e saj në Qeverinë e Maqedonisë të japin dorëheqje të parevokueshme dhe që të gjitha kompetencat për vendimmarrje të mëtejshme të jenë në duart e liderit Ali Ahmeti për të rishqyrtuar politikat e BDI-s në ditët në vijim dhe për të vendosur për të ardhmen. Në deklaratën e kësaj partie theksohet, se: "BDI ka dhënë kontribut kyç në miratimin e marrëveshjes së Shkupit në mënyrë që të rikthehet stabiliteti dhe siguria në vend, dhe ka punuar me përkushtim të madh në zbatimin e reformave sistemore që rrjedhin nga Marrëveshja dhe me të cilat, ndër të tjera u themelua edhe institucioni i Prokurorisë Speciale. Por, BDI me keqardhje konstaton që ky proces tashmë është komprometuar fillimisht si pasojë e prodhimit të mijëra përgjimeve të paligjshme dhe më pas edhe të distribuimit të tyre në duart e krimineleve me qëllim të keqpërdorimit nëpërmjet 'Fabrikave të Aferave'. Që nga nisja e zbulimit të përgjimeve joligjore nga opozita maqedonase, BDI ka kërkuar që të botohet çdo bisedë autentike joligjore që ka të bëjë me krim dhe keqpërdorim të detyrës, por jo edhe të qendrave që e luftojnë BDI-në dhe që po prodhojnë montime dhe fabrikime të përgjimeve, të cilat janë absolutisht të papranueshme dhe paraqesin metodën më të ulët dhe jonjerëzore të sulmeve politike dhe personale. BDI i denoncon këto publikime si tërësisht të pavërteta dhe të montuara, që po shantazhojnë njerëz të jetës publike, biznismen, politikan dhe nëpërmjet të këtyre krimeve të paskrupullta po përpiqen që të rënojnë procesin demokratizues nga i cili kanë dobi të gjithë qytetarët. BDI kërkon nga institucionet në veçanti Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Publike që të ndërmarrin masa të menjëhershme për t'i arrestuar falsifikatorët, distribuesit dhe botuesit e përgjimeve të montuara."

PDSH: BDI po fshiet pas patriotizmit

Pas vendimit të BDI-së kanë reaguar partitë shqiptare Partia Demokratike Shqiptare, e cila konsideron, se dalja e BDI-së nga qeveria është kulmi i hipokrizisë, transmeton Telegrafi Maqedoni. “BDI dhe Ali Ahmeti nuk japin arsyetim përse dalin nga qeveria. Deri tani tradhtinë, korrupsionin, krimin e organizuar, ndërsa tani edhe amoralitetin përpiqen të na i shesin si vlera dhe patriotizëm, thotë deputeti i PDSH, Orhan Ibrahimi.

LR-PDSH vlerëson se vendimi për të tërhequr ministra për t'i zëvendësuar me të tjerë është një lojë e radhës e partisë shqiptare në pushtet, sepse sipas kreu të LR-PDSh-së, Zijadin Sela, kjo tregon se BDI-ja vetëm po ndërron ministrat dhe nuk po lheq dorë nga qeverisja, pra BDI do të vazhdojë t'i mbrojë pikërisht ata që i përgjojnë dhe i shantazhojnë.

BESA: BDI në shërbim të VMRO-së

Lëvizja BESA vlerëson se BDI po i bën shërbimin e fundit VMRO-DPMNE-së. Ende pa u pastruar lista zgjedhore, pa përfunduar reformat shumë të nevojshme në media dhe pikërisht kur filloi të veprojë Prokuroria Speciale, BDI po e braktis qeverisë, që kështu t'ia bëjë shërbimin e fundit VMRO-DPMNE-së. Nga BESA kërkojnë qeveri ekspertësh me mandat për realizimin e zgjedhjeve dhe regjistrimin e popullsisë, në të kundërtën “Besa” mund të bëjë thirrje për bojkot dhe të mos marrë pjesë në ato zgjedhje, ku legjitimohet manipulimi dhe ku nëpërkëmbet vullneti demokratik i qytetarëve të Maqedonisë.

Truke për mbajtjen e zgjedhjeve sa më të shpejta

Nga UNITETI vlerësojnë se vendimi i BDI-së për tërheqjen e përfaqësuesve të saj nga pushteti ekzekutiv dhe delegimin e të gjitha kompetencave ekzekutive kryetarit të partisë është vetëm një truk parazgjedhor në favor të vendimit të VMRO-DPMNE-së për të mbajtur zgjedhje sa më të shpejta, edhe pse ndërkombëtarët dhe opozita kërkojnë që paraprakisht të plotësohen kushte për këtë.

Edhe nga PPD vlerësojnë se vendimi i fundit i BDI-së është një lojë. “BDI nuk e lëshoi qeverinë kur kërkuan shqiptarët, por vendosi ta lëshojë për nevoja vetanake të funksionarëve të partisë”, thonë nga PPD.

Pavle Trajanov nga partia Lidhja Demokratike në Maqedoni ka deklaruar se vendimi i BDI-së nuk është që të sigurohen zgjedhjet më 5 qershor me çdo çmim, është pikërisht e kundërta, BDI-ja vendosi kështu për shkak të vlerësimit se nuk janë plotësuar kushtet për zgjedhje të besueshme më 5 qershor. Trajanov kërkon formimin e një qeverie ekspertësh që do t`i organizojë zgjedhjet.