1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Maqedoni: Bashkimi Evropian financon bashkëpunimin rajonal

Komunat që shtrihen përskaj brezit kufitar në Maqedoni, kanë intensifikuar realizimin e një sërë projektesh me komunat e shteteve fqinje në Shqipëri, Bullgari, Kosovë, Serbi dhe Greqi.

Qyteti i Strugës

Qyteti i Strugës

Në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar, tre komuna nga Maqedonia, Bullgaria dhe Serbia, Staro Nagoriçino, Qustendil dhe Vranje kanë filluar realizimin e projekteve të përbashkëta me karakter rajonal. Në shfrytëzimin e burimeve të pasurive natyrore siç janë ujrat gjeotermale, këto tre komuna kanë arritur të gjejnë interes të përbashkët zhvillimi ekonomik. "Për një periudhë të shkurtër kuptuam se vetëm të bashkuar mund të zhvillohemi. Përmes programit "Evropa për qytetarët", BE do të mbështesë projektin për shfrytëzimin e ujrave gjeotermale. Kur shfrytëzohen fondet financiare të BE-së, përgjegjësia është e përbashkët andaj këto projekte përfundojnë me sukses," thotë Borisllav Krumov, kryetar i komunës së Qustendilit.

Liqeni i Prespës

Liqeni i Prespës

Një bashkëpunim i suksesshëm

Një bashkëpunim i suksesshëm midis komunave në brezin kufitar Maqedoni-Shqipëri është shënuar edhe në komunën e Strugës. Ramiz Merko, kryetar i Komunës së Strugës thotë se bashkëpunimi me komunat e Pogradecit, Prenjasit, Librazhdit dhe Korçës po intensifikohet gjithnjë e më shumë. Në Strugë, ministria e pushtetit vendor ka hapur një zyrë për bashkëpunimin rajonal midis Maqedonisë dhe Shqipërisë. "Kjo zyrë ka filluar të funksionojë me projekte konkrete, të cilat lidhin interesat e komunave apo shteteve. Kemi edhe një bashkëpunim i cili na lidhë për çdo vitë në drejtim të zhvillimit të turizmit sidomos me komunën e Pogradecit " thotë Ramiz Merko. Përparësitë, që ofron bashkëpunimi rajonal duhet të shfrytëzohen në maksimum, sepse në këtë mënyrë vendet e rajonit tregojnë në praktikë, se mund të menaxhojnë bashkarisht. Merko, ka veçuar projektin e përbashkët midis komunave të brezit kufitar Maqedoni-Greqi-Shqipëri, që ka të bëjë me liqenin e Ohrit dhe Prespës .

Shumë projekte presin

"Përmes intitutit amerikan "West-East" ne kemi përcaktuar mjaft projekte, që janë të përbashkëta jo vetëm për dy shtete por për tre, jo për dy por për dhjetra komuna," thotë Merko. Komuna e Likovës kufizohet me Serbinë dhe Kosovën. Infrastruktura e shkatërruar rrugore nuk ka mundësuar deri tani ndonjë bashkëpunim të mirëfilltë në këtë rajon, thotë Sadulla Duraku kryetar i komunës së Likovës. Së bashku me homologun e Preshevës ai ka inicuar disa herë hapjen e vendkalimit kufitar Llojan -Miratocë.

Ohri

Ohri

"Në pjesën tonë të Maqedonisë jemi në gjendje të gatshme për hapjen e vendkalimit kufitar, por për momentin kjo iniciativë është bllokuar në ministrin e Brendshme të Serbisë," thotë Duraku. Për zhvillim më të hovshëm të rajonit, komuna e Likovës ka inicuar edhe hapjen e vendkalimit kufitar Bellanocë me Kosovën. "Kosova ka ndërtuar rrugën në pjesën e saj, kurse ne nga pjesa e Maqedonisë ende nuk e kemi ndërtuar. Ne kemi konkuruar në Bankën Botërore, që përmes saj të ndërtojmë rrugën," thotë Sadulla Duraku.

Në Maqedoni është në përfundim e sipër konkursi për shfrytëzimin e IPA, fondeve financiare të BE-së, që jepen për zhvillimin ekonomik të komunave.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 26.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MBeS
  • Data 26.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MBeS