1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Maqedoni: a i tensionojnë politikanët me qëllim marrëdhëniet ndëretnike?

Qytetarët, opinioni dhe ekspertët në Maqedoni i kritikojnë politikanët dhe partitë nga të gjitha taboret etnike se “i manipulojnë marrëdhëniet ndëretnike“, për shkak të realizimit të agjendave të tyre.

default

Marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni po përjetojnë lëkundje, për të cilat opinioni dhe ekspertët me së shpeshti fajin ua hedhin partive dhe politikanëve nga blloku politik maqedonas dhe shqiptarë.

Ali Pajaziti ekspert i sociologjise së multikulturalizmit nga Tetova thekson: “Politikanët luajnë me fanatizmin nacionalist ose nacionalizmin ekstrem si nje kartë për t'u joshur në taborin e vet. Ata punojnë në kundërshtim me frymën e Marrëveshjes së Ohrit, e cila ofron ndërrtimin e urave për bashkëpunim midis etnikumeve të ndryshme."

Mirjana Malevska eksperte për marëdhënie ndëretnike nga Shkupi ka këtë vlerësim: “Në vend se t'i kushtojmë vëmendje punëve që na lidhin , maqedonasit po ndahen nga bashkësitë e tjera. Si rezultat i një politike e cila po udhëhiqet nga historia dhe nga vetëpërcaktimi. Kjo na largon nga bashkësia tjetër. Në shoqërinë e ndarë maqedonase prioritet i çdo politike duhet patjetër të jenë mardhënjet ndëretnike, që të tejkalohet mosbesimi i ndërsjelltë.”

Disa hulumtime të opinionit publik nga ky vit i hedhin në shesh qëndrimet negative të qytetarëve ndaj politikës dhe partive politike. Vladimir Misev nga Instituti për Demokraci nga Shkupi duke patur parasysh hulumtimin e fundit jep këtë vlerësim: ”Ende bashkësitë etnike janë përplot të mbushura me paragjykime dhe stereotipe për bashkësinë tjetër etnike. Politikanët kontribuojnë që paragjykimet dhe stereotipet e këtilla të përforcohen edhe më shumë te grupet etnike dhe të krijojnë një imazhë për mostolerancë ndëretnike. Retorika nacionale dhe nacionaliste është praktikë e politikanëve”, thotë Misev.

Marrëdhëniet “sipas yrnekut”

Pamje simbolike

Pamje simbolike

Vlado Dimovski nga Qendra për tolerancë ndëretnike me seli në Shkup duke u bazuar në anketat që i bënë instituti, ka këtë mendim për raportet ndëretnike në Maqedoni: “Politikanët më së shpeshti ” krijojnë” marrëdhëniet ndëretnike për shkak të qëllimeve të tyre dhe poenave politik, çdo herë kur për to kanë nevojë. Nëse kanë nevojë, marrëdhëniet ndëretnike i përmirësojnë ndërsa ndonjëherë me qëllim i përkeqësojnë të njejtat. Sipas anketave, politikanët janë fajtorët më të shpeshtë për marrëdhëniet e përkeqësuara ndëretnike”.

Edmond Ademi nga Instituti “ Liberta” që merret me hulumtime politike dhe ekonimike vlerëson:“Politikanët kanë treguar se janë “të sukseshëm” në “ menaxhimin” me situata duke hapur vatra të nxehta të marrëdhënieve ndëretnike me qëllim të mbulimit të politikave të gabuara. Maqedonia është e ndarë në linjë etnike, ndërsa politikanët dhe partitë vetëm se ndihmojnë në rritjen e distancës midis botrave paralele etnike të maqedonasve dhe shqiptarëve”.

Si i komentojnë politikanët perceptimet negative ?

Zoran Zaev kryetar i LSDMS thotë : ”Në vend se të luajnë rolin e amortizuesit, të qëllimëmirit në bashkëjetesën multietnike,shumë shpesh partitë politike dhe politikanët me vendimet e tyre nxisin pasoja të këqija ndaj bashkjetesës.Të preokupuar nga vendimet për favore personale ose partiake, partitë dhe politikanët harrojnë në rëndësinë e vendimeve të cilat i dedikohen qytetarëve dhe shtetit. LSDM nuk është parti gjoja patriotike ose nacionaliste, LSDM është parti e cila ndërton bashkëjetesën”- thotë Zaev.

Silvana Boneva deputete e VMRO-DPMNE ka këtë vlerësim: ''Politikanët me mesazhet që i dërgojnë në opinion kanë ndikim të madh në marrëdhëniet ndëretnike. Disa parti dëshirojnë që duke “luajtur” me marrëdhëniet ndëretnike të nxisin situatë për të ardhur në pushtet, ose ta rrisin rejtingun e tyre, duke mos llogaritur se me një lojë të tillë luajnë me fatin e Maqedonisë. Që kur është në pushtet VMRO-DPMNE në vazhdimësi ndërton marrëdhënie ndëretnike, mirëbesim dhe tolerancë''.

Musa Xhaferi, zëvendëskryeministër për implementim e Marrëveshjes së Ohrit thotë: ''Për shkak të interesave, disa politikanë nga blloku politik maqedonas dhe shqiptarë , në periudhën e zgedhjeve dhe fushatave , me qëllim keqëpërdorin marrëdhëniet ndëretnike duke nxitur mosdurim gjuhësor, fetar dhe kulturor. Ky është edhe freri që pengon ndërtimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe njëherësh pengon realizimin e Marrëveshjes së Ohrit. Politikanët duhen të jenë ura , të cilët do t'i pajtonin qytetarët pa marrë parasysh se cilit etnikum i takojnë ata.

Çfarë thonë qytetarët?

Sheshi Makedonija në qendër të Shkupit

Sheshi "Makedonija" në qendër të Shkupit

Latif Demiri nga Shkupi thotë: 'Retorikat politike të drejtuara kundër marrëdhënieve ndëretnike nuk ndikojnë te njerëzit të cilët e pranojnë dhe respektojnë kulturën e tjetrit. Njerëzit vetëudhëhiqen nga fakti se duhet të jetojnë dhe të respektoheni me njëri tjetrin”.

Vullnet Zenku nga Tetova thekson: ''Partitë dhe politikanët janë të preokupuar për imazhin e tyre të cilin e krijojnë në kuriz të qytetarëve''.

Aleksandar Cvetkovski nga Prilepi thotë: 'Politikanët i polarizojnë marrëdhëniet. Politikanët nga të dyja blloqet etnike nuk mund të manipulojnë me qytetarë të cilët qëndrojnë mirë me njëri tjetrin.Politikanëve u duhen kohë pas kohe tensione ndëretnike dhe fetare dhe këto tensione shpesh herë i ripërsëritin''.

Një qytetar anonim nga Manastiri me përkatësi etnike maqedonase kështu shprehet në pyetjen për marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni : ''Partitë dhe politikanët kanë ndikim të madhë në krijimin e marrëdhënive ndëretnike, por ama populli i thjeshtë mes vete shumë mirë kuptohet se sa një gjë të tillë ta bëjnë politikanët''.