1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Maqedoni: Çështjet ekonomike në fokus të fushatës parazgjedhore

Cilat do të jenë temat kryesore gjatë fushatës elektorale? Sipas paralajmërimeve të partive politike por edhe të analistëve, çështjet ekonomike dhe standarti jetësor do të jenë në fokus të fushatës.

Mbajtja e zgjedhjeve të rregullta presidenciale paralelisht me zgjedhjet e parakohshme parlamentare gjatë muajit prill në Maqedoni, ka rezultuar që partitë politike të fillojnë fushatën parazgjedhore para afateve kohore. Cilat do të jenë temat kryesore që do të dominojnë në fushatën zgjedhore për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare? Sipas analistëve, partitë në pushtet do të lavdërohen me të ariturat e tyre, ndërsa opozita do të ofrojë më të mirën. Por një gjë është e sigurtë, ekonomia dhe standarti i jetës do të jenë çështjet kryesore që do të dominojnë në luftën për të fituar një votë më tepër në këto zgjedhje. Dy partitë më të mëdha maqedonase VMRO-DPMNE dhe LSDM thonë se ekonomia do të jetë prioritet në këtë fushatë. Kthimi i klasës së mesme, tatimi progresiv dhe transparenca në marrjen e huave nga jashtë janë disa nga prioritetet që opozita maqedonase do ti shpalos para qytetarëve. Ndërkaq, partia në pushtet VMRO-DPMNE do të përqëndrohet në rritjen e prodhimtarisë, sigurimin e investimeve nga jashtë, zvogëlimin e papunësisë dhe zhvillimin e bujqësisë.

Partitë e vogla me projekte konkrete

Partia Aleanca për Maqedoninë Pozitive ka paralajmëruar se në fokusin e saj do të jetë hapja e vendeve të reja të punës.“Kemi përgatitur projekte për hapjen e 100 mijë vendeve të reja të punës në kompani të reja të cilat do të themelohen brenda dy deri në katër vitet e ardhëshme” thotë Lupço Zikov, lider i Aleancës për Maqedoni Pozitive.

Kryetari i partisë Opcioni qytetar për Maqedoninë - GROM, Stevçe Jakimovski thotë se programi ekonomik gjatë fushatës do të jetë tejet joshës për votuesit, sepse do të propozohen masa konkrete për zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e standardit jetësor të qytetarit. “Do ti zvogëlojmë shpenzimet buxhetore për të siguruar më tepër para për ekonominë dhe qytetarët. Në këtë mënyrë ekonomia do të marë frymë më lirshëm, ndërsa rezultatet do ti ndjejnë edhe qytetarët e rëndomtë”, shprehet Jakimovski.

Gorge Ivanov Präsident Mazedonien

Gorge Ivanov-Presidenti i Maqedonisë

Eurointegrimet dhe çështjet ekonomike në fokus të partive shqiptare

Edhe në bllokun politik shqiptar ka paralajmërime se çështjet ekonomike dhe preceset e eurointegrimit do të jenë pikat kryesore të fushatës parazgjedhore . Paralajmërimet e këtilla sipas analistëve janë sinjal i mirë, sepse në fushatë nuk do të dominojë fjalori i njohur ekstrem, por në fokus do të jenë ekonomia dhe eurointegrimi. Fushata parazgjedhore është një terren i njohur për partitë politike për ta shfrytëzuar edhe për temën e marrëdhënieve ndëretnike.

Albert Musliu nga Qendra për Iniciativa Demokratike thotë se që nga periudha e pavarësimit, retorika ndëretnike ka dominuar në fushatat paragjedhore të partive politike. “Retorika e ashpër politike ndëretnike gjithnjë është e pranishme në fushatat parazgjedhore, qytetarët janë mësuar me të. Por kësaj rradhe është në interes si të partive maqedonase po ashtu edhe të atyre shqiptare që të ketë një fjalor më të matur, sepse në të kundërtën kjo mund të reflektohet në rezultatet e votimit”, thotë Musliu.

Edhe për profesorin Zdravko Savevski, fjalori që ngrit tensione etnike është bërë realitet në fushatat parazgjedhore.

“Loja me kartën e nacionalizimit ka për qëllim të rrisë garën para elektoratit. Gjithashtu ngritja e tensioneve etnike para çdo cikli zgjedhor ka për qëllim edhe largimin e vëmendjes së votuesit nga problemet reale, siç është papunësia apo gjendja e rëndë siciale”, thotë Savevski.

Ndikimi i zgjedhjeve në rrjedhat ekonomike

Parlament Gebäude in Skopje Innenansicht, Mazedonien

Parlamenti i Maqedonisë

Ekspertët për çështje ekonomike thonë se partitë politike duhet të kenë kujdes në premtimet ekonomike gjatë fushatës parazgjedhore, sepse në të kaluarën ato kanë mbetur të parealizuara. Sipas tyre zgjedhjet e shpeshta reflektohen negativisht ndaj proceseve ekonomike në vend. Harxhimi i parave të buxhetit për promovime të ndryshme, vakumi disamujor nga fushata parazgjedhore por edhe periudha deri në formimin e qeverisë së re ka reflektime negative në rrjedhat ekonomike.

“Një ndër faktoret që ka ndikim në ngecjen e zhvillimit ekonomik janë edhe zgjedhjet e shpeshta. Gjatë viteve të fundit në Maqedoni janë organizuar pesë cikle zgjedhore që nga ato lokale, parlamentare dhe presidenciale. Politikat makroekonomike në periudhat zgjedhore orientohen në blerjen e votave ku politika nuk është në shërbim të zhvillimit ekonomik, por perkundrazi rrjedhat ekonomike vihen në funksion të fitimit të zgjedhjeve”, shprehet profesori universitar Bilall Kasami. Sipas tij zgjedhjet e shpeshta nuk reflektohen mirë edhe në sytë e investitorëve të jashtëm, sepse ata janë të interesuar për stabilitet të qëndrueshëm politik.

Zgjedhjet e parakohshme jo vetëm që e ngadalësojnë zhvillimin ekonomik por ato shpenzojnë edhe paratë e dedikuara për çështjet më elementare për jetën, thotë profesori i ekonomisë Zoran Vitanov. “Ne sikur jemi mësuar që çdo vit të kemi zgjedhje, ndaj edhe mbetemi pa ushqim, pasi që në vend se paratë e buxhetit ti harxhojmë për çështje produktive, ato shpenzohen për nevojat e politikanëve në pushtet, thotë Vitanov.

Partitë politike pjesëmarrëse në fushatat zgjedhore janë të obliguara që pranë Komisionit Shtetëror Zgjedhor të dorëzojnë llogaritë për shpenzimet financiare të fushatës dhe të tregojnë burimet financiare .