1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Maqedonasit duan të largohen nga vendi me pasaporta bullgare

Pasaporta bullgare është një mundësi por jo edhe garanci për të punuar në BE. Maqedonasit me pasaportë bullgare, nga janari mund të kërkojnë punë në të gjitha vendet e BE.

"Unë nuk e di, por më duhet të mendoj seriozisht nëse do të përpiqem të shkoj në Londër, ku një mik i imi prej kohësh punon në një restorant. Më kanë premtuar me kohë se mund të gjej një punë atje. Tani e kam më të lehtë ndaj ndoshta edhe do të shkoj. Këtu nuk pritet ndonjë përmirësim i madh. Nëse çdo gjë është si duhet, ne do të shkojmë", thotë për Deutsche Wellen, Dejani, punëtor i një kompanie private. Dejani ka prej tre vjetësh pasaportë bullgare, por deri tani nuk ajo nuk i ka hyrë aspak në punë. Nga një janari 2014 ai dhe të gjithë ata që kanë pasaportë bullgare, mund të punësohen në një shtet anëtar të Bashkimit Evropian. Me fillimin e vitit të ri shfuqizohet Marrëveshja e përkohshme mes Brukselit dhe Sofjes, e nënshkruar më 2007, e cila i kufizon qytetarët bullgarë në tregun e punës. Kjo do të thotë se çdo qytetar i Maqedonisë, i cili ka shtetësi bullgare, mund të aplikojë për punë në Gjermani, Angli, Francë dhe vende të tjera të BE-së.

Sa maqedonas kanë plane të ngjashme si Dejani nuk mund të thuhet, sepse për këtë temë nuk flitet shumë publikisht. Por në rrjetet sociale në Maqedoni kërkohen këshilla se si mund të arrihet të merret sa më shpejt një pasaportë bullgare apo rumune, me qëllim që ata të dalin nga vendi dhe të punësohen në BE.

Ekspertët e shqetësuar

Ekspertët janë të shqetësuar për faktin se mund të emigrojnë shumë të rinj të kualifikuar, por jo vetëm të rinjtë. "Mendoj se situata në BE nuk është përmirësuar aq shumë sa që të mund të punësohen të gjithë. Ata do të vazhdojnë të bëjnë përzgjedhjen e kuadrove dhe do të pranojnë ata që ju duhen. Shumë bullgarë dhe rumunë do ta kenë të vështirë të gjejnë punë të mirë në BE. Shanset megjithatë janë reale që personat me pasaporta të Bullgarisë dhe Rumanisë të gjejnë ndonjë punë", thotë profesorja Maria Zarezankova - Potevska.
Profesori Ivan Damjanovski nuk pret ndonjë shpërngulje masive të maqedonasve me pasaportë bullgare. “Tregu britanik dhe i vendeve të tjera është tërheqës, por nuk mendoj se hapja e këtij tregu do të sjellë pasoja serioze nga shpërngulja e shumë njerëzve. Gjithashtu nuk duhet të harrojme as faktin që një numër i madh i maqedonasve që kanë marrë pasaportë bullgare, e kanë bërë këtë për të lëvizur më lehtë në Evropë, sidomos në periudhën kur shtetasve maqedonas u duhej viza për t'u futur në zonën Shengen. Pra nuk pritet ndonjë emigrim tepër i madh”, thotë ai.

Largimi i personave të kualifikuar

Një nga sfidat kryesore në kushte të tilla, sipas ekspertëve, është se si të ruhet fuqia punëtore me arsim të lartë, pra personat e kualifikuar. Problemi i largimit nuk lidhet direkt me posedimin e nënshtetësisë bullgare, por është një problem i përgjithshëm. Shteti, sipas tij, po investon pak për të mbajtur në vend kuadrot me kualifikim të lartë. “Sipas mendimit tim, një nga problemet më të mëdha është niveli shumë i ulët i investimeve publike dhe private në fushën e kërkime dhe zhvillimit. Pra nuk ka investime të mëdha për përmirësimin e kushteve dhe biznesit ", thotë Ivanovski.

Ekspertët sugjerojnë mbështetjen e sipërmarrjeve dhe investime në zhvillimin ekonomik, për të tejkaluar problemet. Kjo do të rriste shanset për punësim dhe do të hapte perpsektivë për qëndrimin në vend të kuadrove të kualifikuara. "Pavarësisht nga fakti që dikush ka pasaportë të huaj, nëse qeveria krijon kushte për qëndrimin e tyre, ata nuk do të largohen. Këtu duhet të angazhohen edhe shoqatat e bizneseve por edhe sipërmarrjet, të cilat nuk po bëjnë asgjë. Të gjithë po presin vetëm masat e qeverisë. Largim të kuadrove të kualifikuara ka edhe në vendet e zhvilluara, por situata këtu është alarmante, sepse ne jemi një vend i vogël me burime të vogla njerëzore, ndaj duhet të kemi një politikë të veçantë demografike”, thotë Zarezankova - Potevska .
Sa shtetas maqedonas kanë pasaporta bullgare nuk dihet, sepse nuk ka të dhëna të sakta. Në opinion spekulohet me shifrat prej 50.000 deri në më shumë se 100.000. Shumica prej tyre këtë nënshtetësi e kanë marrë pas pranimit të Bullgarisë në BE, por ka dhe shumë persona që kanë aplikuar për këtë dokument. Procedura më parë ka qenë më e thjeshtë, pro kriteret janë komplikuar kohët e fundit.