1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Mappes Niediek: Votuesi shqiptar po bëhet më pragmatik

Një analizë e zgjedhjeve lokale në Shqipëri dhe tendencat e reja, që tregoi votuesi shqiptar në zgjedhjet e 8. Majit, me analistin gjerman Norbert Mappes Niediek

Norbert Mappes-Niediek

Norbert Mappes-Niediek

DW: Shqipëria vendosi më 8 maj për kryebashkiakët e kryetarët e komunave në katër vitet e ardhshme. Ishte e pritshme për ju që zgjedhjet të zhvilloheshin qetë dhe me tone të ulura, sidomos pas 21 janarit?

Mappes Niediek: U lehtësova, por nuk u habita tepër. Zhvillimet para këtyre zgjedhjeve ishin dëshpëruese, të gjithë kishim frikë se çfarë do të ndodhte më tej, por dita e zgjedhjeve ishte tre muaj larg dhe mund të ndodhte që gjendja të shkallëzohej, por edhe të zbutej. Por megjithë një fushatë herë herë edhe denigruese u vu re relativisht një lloj qetësie. Mendoj se kjo ka të bëjë me atë që vetë përkrahësit e dy partive të mëdha janë ngopur me këtë lloj konfrontimi, pra me konfrontimin total. Dhe këtë mund edhe ta lexosh në rezultatin e deritanishëm të zgjedhjeve.

DW: Zgjedhjet e 8 majit janë atëherë meritë e zgjedhësve shqiptarë, jo e partive politike?

DW: Mappes Niediek: Të mos nënvlerësojmë edhe rolin e ndërkombëtarëve, por do të thoja, fakti që zgjedhjet u zhvilluan me qetësi, kjo është në radhë të parë meritë e qytetarëve shqiptarë, të cilët mendoj unë, nuk janë më të gatshëm për konfrontime të mëdha.

DW: Pas zgjedhjeve dëgjon tone të reja në Tiranë. Socialistët e kanë ulur disi retorikën e tyre luftarake, demokratët po përdorin po ashtu tone jo konfliktuale. A mund ta kuptojmë këtë se po vjen edhe në Shqipëri një erë e re diskursit politik, pra një frymë bashkëpunimi, apo kjo retorikë është vetëm momentale?

Mappes Niediek: Do të isha i kujdesshëm me këtë. Sepse në Tiranë nuk është thënë fjala e fundit dhe rezultati kaq i ngushtë i këtyre zgjedhjeve le vend për shqetësime. Është kthyer në zakon në Shqipëri të mos njohësh rezultatin zgjedhor dhe sa më i ngushtë të jetë rezultati, aq më shumë do të tentojnë partitë të mos e njohin këtë rezultat. Në këtë çështje nuk do ta lëvdoja ditën pa rënë muzgu. Një erë e re është ndoshta shpejt, por pas këtyre zgjedhjeve ndoshta në Tiranë do ta marrin në konsideratë se konfrontimi nuk është patjetër ndihmues për shanset elektorale. Po ta analizojmë rezultatin e zgjedhjeve, polarizimi nuk ka shkuar më tej. Rezultati të thotë që në veri, për shembull, në ato komuna, që ishin zakonisht bastione të demokratëve kanë hyrë socialistët, edhe në jug harta po ashtu është e përzier, kjo do të thotë që besnikëria e zgjedhësve ashtu siç ka qenë më parë ka rënë dukshëm. D uket se votuesi shqiptar po zgjedh në mënyrë më pragmatike, po zgjedh individët jo vetëm partitë, dhe kjo është një shenjë e mirë.

DW: ODIHR i ka cilësuar zgjedhjet në raportin e tij të parë si transparente, por ka shprehur kritika ndaj partive politike, që nuk i zbatuan në kohë rekomandimet e tij. Pas këtyre kritikave, mendoni se do të lëvizin nga pozicionet e tyre Berisha dhe Rama?

Mappes Niediek: Tek Rama nuk jam shumë i sigurtë, tek Berisha nuk e di nëse do të bien shumë zile. Veprimet e Ramës dhe përqëndrimi i tij tek konfrontimi janë të shenjuara nga disa kundërthënie. Ai filloi si dikush që donte ta zbuste politikën e konfrontimit total, ai bëri veprime kompromisi me demokratët, kjo nuk iu vlerësua shumë ai u përball me fyerje të ndryshme. Ai ndërkohë është zhvilluar në një person që di ta përdorë për vete shumë mirë këtë politikë konfrontimi, si nga ana tjetër Berisha dhe demokratët. Çështja është nëse ai do të dijë të marrë kthesën.

DW: Të kujtojmë që Rama sipas shumë gjasave është fituesi i mundshëm i këtyre zgjedhjeve...

Mappes Niediek:...Po deri më tani, çështja është nëse ai do të bëjë kthesën. Duhet thënë se si kryetar bashkie, ai nga pozicioni që ka është një figurë integruese, ky është funksioni i një kryetari bashkie. Të gjithë kryetarët e bashkive në botë përpiqen të mënjanojnë konfrontimin dhe të jenë kryetarë bashkish për të gjithë qytetarët. Posti i kryetarit të bashkisë është shumë vështirë të pajtohet me funksionin e udhëheqësit të opozitës.

DW: Rama si kryetar i opozitës ka kërkuar prej kohësh zgjedhje të parakohshme parlamentare. Nëse është fituesi i këtyre zgjedhjeve a nuk do ta ndjehej ai i forcuar ta ndiqte edhe më fort këtë kërkesë?

Mappes Niediek: Kjo kërkesa për zgjedhja të reja, që është ngritur që nga përfundimi i zgjedhjeve të shkuara parlamentare nuk ka gjetur shumë mbështetje deri më tani, dhe nuk mendoj se popullata do të ngrihej e gjitha në këmbë për një gjë të tillë. Mendoj se kjo valë ka kaluar. Do të thoja, po qe se Rama është i arsyeshëm, atëherë pas këtyre zgjedhjeve, ai nuk do të kërkonte të hapte një linjë të re konfrontimi.

DW: Nga BE u bë e qartë se këto zgjedhje janë mjaft të rëndësishme për afrimin e mëtejshëm të Shqipërisë me Evropën. Pas shenjave të mira të deritanishme, mund të themi se e kaloi Shqipëria këtë pengesë të vështirë dhe i hapet rruga e statusit të vendit kandidat?

Mappes Niediek: Nëse Shqipëria e merr apo jo statusin e vendit kandidat kjo është një çështje më shumë taktike. Fakt është që jo vetëm Shqipëria, por i gjithë rajoni tani po mbahet pezull, apo po lihet në pritje. Veçanërisht në Shqipëri BE do të presë hapa të tjerë stabilizimi derisa të ecet vërtet drejt anëtarësimit. Nëse Shqipëria e merr statusin e vendit kandidat, për të cilin unë dyshoj, sepse nuk mund ta përfytyroj në gjendjen e tanishme që të ndërmerren hapa të tillë, por edhe në qoftë se e merr, ky do të ishte thjesht një vendim taktik.

Autor: Lindita Arapi

Redaktoi: Angjelina Verbica