1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Manovër e gjerë ruse në lindje të Ukrainës

Përgjigje zjarr për zjarr: pak pasi një njësi ushtarake ukrainase vrau milicë prorusë në Slovjansk, Presidenti rus Putin paralajmëron për "pasoja" dhe jep urdhër për një manovër ushtarake në rajonin kufitar.

Gjendje e rëndë në Ukrainë.

Gjendje e rëndë në Ukrainë.

Pas mësymjes së ushtrisë ukrainase në lindje të vendit, Rusia reagoi menjëherë dhe filloi një manovër të re ushtarake në kufi me Ukrainën. Ministri i Mbrojtjes Sergej Shoigu e cilësoi gjendjen shqetësuese. Janë 11.000 ushtarë ukrainas në mision kundër një popullsie paqësore, tha ministri rus. "Nëse kjo makineri lufte nuk ndalet sot, do të sjellë një numër të madh të vdekurish dhe të plagosurish", paralajmëroi ai.

Shoigu theksoi se vendi i tij është "i detyruar" të reagojë ndaj zhvillimeve në Ukrainë. Manovrat janë edhe një përgjigje ndaj aktiviteteve të fundit të NATO-s. Në Poloni të mërkurën mbërriti një kontingjet prej 600 ushtarësh amerikanë, të cilët janë pjesë e strategjisë së SHBA për të qetësuar shtetet evropiano-lindore. Ato i druhen intervenimeve ruse, pasi Krimea u shkëput nga Ukraina dhe u pranua në Federatën Ruse.

Putini kërënon me pasoja

Putini kërënon me pasoja

Presidenti i Rusisë Vladimir Putin reagoi menjëherë pas ndërhyrjes së trupave ukrainase në Slovjansk dhe kërcënoi të enjten me pasoja, nëse konfirmohen lajmet se qeveria në Kiev ka dërguar atje ushtrinë. Ai foli për "një krim shumë të rëndë kundër popullsisë". Pasojat e "aksionit ndëshkimor" prekin edhe marrëdhëniet mes dy shteteve. Putin në mars mori nga Duma ruse një mandat të plotë për një mision ushtarak në mbrojtje të qytetarëve rusë në Ukrainë.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon paralajmëroi se situata "mund të dalë në çdo moment jashtë kontrollit", me pasoja të paparashikueshme. Ai i bëri thirrje të gjitha palëve në konflikt të shmangin provokimet dhe të heqin dorë nga dhuna.

Aksion ushtarak kundër bllokimeve të rrugëve

Trupa ushtarake ukrainase të enjten paradite iu kundërvunë forcave proruse në Slovjansk, megjithë paralajmërimet e ashpra nga Moska. Ministria e Brendshme në Kiev bëri të ditur se gjatë heqjes së bllokadave të rrugëve ishin vrarë "deri pesë terroristë". Një zëdhënëse e separatistëve prorusë foli për dy luftëtarë të vrarë pas një shkëmbimi zjarri në një rrugë mes Slovjanskut dhe Sviatogorskit. Qeveria në Kiev të mërkurën kishte njoftuar rifillimin e "aksionit anti-terror" kundër luftëtarëve prorusë dhe rimarrjen e Sviatogorskit. Në lindje të Ukrainës separatistë besnikë të Moskës mbajnë të pushtuara në shumë lokalitete ndërtesat e administratës. Ata kërkojnë një autonomi të gjerë për krahinën me shumicë ruse.

Trazira në Slovjansk

Trazira në Slovjansk

Megjithatë duket se i ashtuquajturi misioni anti-terror është ndërprerë përsëri. Arsyeja është shqetësimi në rritje, se trupat ruse mund të kapërcejnë kufirin e përbashkët, citon gazeta "Kyiv Post" nga qarqe qeveritare.

Kievi: "Ndërhyrje e paturpshme e Rusisë"

Edhe tonet mes Presidentit të SHBA Barack Obama dhe Putinit janë ashpërsuar më tej. Gjatë vizitës së tij në Japoni, Obama e kërcënoi Rusinë me sanksione të reja nëse nuk kontribuon shpejt për dhënien fund revoltës së armatosur. "Nga sa kemi mundur të shohim deri tani, konstatojmë se ata nuk i përmbahen marrëveshjeve të Gjenevës", tha ai në Tokio për qendrimin e Rusisë.

Ministri rus për lëndët e para Sergej Donskoj paralajmëroi se firmat perëndimore, të cilat tërhiqen nga Rusia, do të humbasin në mënyrë të pakthyeshme qasjen në një treg tërheqës me lëndë të para për energjinë.

Obama kërcënon me sanksione

Obama kërcënon me sanksione

Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov theksoi se hapat e parë për një zgjidhje të krizës së Ukrainës duhet t'i ndërmarrë qeveria në Kiev. Veç kësaj SHBA duhet të përdorë influencën e saj në mënyrë që udhëheqja në Kiev të zbatojë marrëveshjet e arritura në Gjenevë. Sipas tyre të gjitha grupet e paligjshme të armatosura duhet të çarmatosen dhe të lirohen të gjitha ndërtesat dhe sheshet e pushtuara në Ukrainë.

Qeveria e përkohshme në Kiev e akuzoi ndërkaq Moskën për një "ndërhyjre të paturpshme" në punët e brendshme të Ukrainës. Rusia duhet të tërheqë pa vonesë trupat e saj nga kufiri i përbashkët, kërkoi Turçinov dhe duhet t'u japë fund "kërcënimeve dhe shantazheve të vazhdueshme".