1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkeli në shënjestër të dezinformimit

Ingo Mannteufel/Nasser Shrouf10 Korrik 2016

Në Gjermani po diskutohet më në fund tema e dezinformimit në internet. Ingo Mannteufel dhe Naser Shrouf tregojnë përmes një rasti konkret se si funksionon kjo.

https://p.dw.com/p/1JMFL
Fotografi: picture-alliance/dpa/W. Kumm

Dihet që nëpër internet qarkullon shumë propagandë dhe dezinformacione. Por shumë vetë ende nuk e dinë se si funksionojnë fushatat e dezinformimit dhe se sa shpejt mund të bjerë pre e tyre një përdorues i internetit. Kush do për shembull të dijë në Gjermani se ç'mendon Angela Merkel për muajin e Ramazanit, mjafton të japë në Google nocionet „Angela Merkel Ramadan“.

Dezinformimi vetëm një klikim larg

Që në faqen e parë të listës së gjetjeve mund të ndeshesh një link me titull „Lirim nga tatimet për shkak të Ramazanit?“ Ky njoftim vjen nga një faqe internet gjermanisht me titullin"Politically Incorrect", që pozicionet si medium kundrejt “rrymës kryesore të informacionit”. Që në fillim të faqes kupton se kjo faqe mbështet në një formë indirekte edhe lëvizjen kritike ndaj islamit, “Pegida” dhe degët e saj rajonale. Përmes një lajmi të shkurtër njoftohet se më 4 qershor Angela Merkel ka liruar “nga një detyrim tatimor “pronarët e restoranteve”, me qëllim që ata “t'u ofrojnë myslimanëve ushqim me çmim të arsyeshëm.” Një lajm kaq i pavërtetë besohet nga shumë përdorues: Sharje dhe kritika kundër Angela Merkelit. Qëllimi i kësaj fushate që të theksojë se qeveria dhe Merkeli ndjekin një politikë tejet zemërgjerë ndaj refugjatëve, rikonfirmohet në këtë faqe internet: dezinformimi ka sukses. Por një rregull të tillë nuk ka pasur kurrë ndonjëherë në Gjermani.

Screenshot der islamfeindlichen Seite Politically Incorrect
Fotografi: www.pi-news.net

Interesante të dihet se si është shkruar ky lajm dhe si është bërë përhapja e tij. Duket se vetë autorët e faqes “Politically incorrect” e dinë me sa duket vetë që historia është e pavërtetë: Ata shkruajnë: “Se për çfarë tatimesh bëhet fjalë nuk raportohet, mungojnë po ashtu edhe hollësi të tjera në raport. Në të vërtetë është e papërfytyrueshme si kancelarja gjermane i jep të drejta të posaçme një grupi të caktuar.”

Më pas vazhdon stili komplotist i lajmit: “Me të vërtetë. Qëkur Merkeli pranoi qytetarët e saj të dëshiruar dhe të rinj duke e injoruar me arrogancë kushtetutën, mund t'ia besosh edhe këtë masë të re. Prandaj ne po e ofrojmë këtë lajm me kujdesin e vetëpërmbajtjen e duhur.” Për të bërë të besueshme gënjeshtrën autorët e lidhin artikullin me një raportim të faqes anglisht MoroccoWorldNews dhe faqen arabisht të transmentuesit shtetëror rus, Russia Today. Në vend që të verifikojnë lajmin para publikimit, si e kërkon gazetaria serioze, ata fshihen pas njoftimit të Russia Today.

Sigurisht me lajmet në arabisht të Russia Today nuk janë të familjarizuar përdoruesit gjermanë të internetit. Kush përpiqet të gjurmojë më tej, arrin të gjejë vetëm se edhe përkthimi i lajmit të Russia Today Arabic nuk është burimi i parë, por i referohet një gazete arabe, Al-Riyadh, që është e afërt me familjen mbretërore.

Russland Moskau
Fotografi: Getty Images/AFP/V. Maximov

Fushatë e dyfishtë dezinformimi

Pra si rrjedhë e lajmit të gënjeshtërt duhet parë faqja arabisht e transmentuesit rus, Russia Today. Qëllimi i kësaj fushate informimi janë lexuesit arabë dhe jo drejtpërdrejt përdoruesit gjermanë. Lexuesve arabë u jepet një imazh i gabuar se Gjermania është shumë zemërgjerë ndaj myslimanëve, duke e nxitur më tej gatishmërinë për të ardhur si refugjatë. Në të njëjtën kohë, kjo histori mashtrimi ndez edhe më shumë kundër Merkelit gjermanët kritikë ndaj islamit. Kalkulimi i bërë: Nëse kancelarja Merkel bie nga pushteti për shkak të politikës ndaj refugjatëve, kjo do ta dobësonte shumë Gjermaninë në Europë. Konkretisht edhe uniteti brenda në BE për sanksionet kundër Kremlinit do të pësonte të çara të thella.

Përmes këtij shembulli kuptohet shumë qartë se si funksionojnë propaganda dhe deziformimi. Një rast i pavërtetë, ose raste të tjera gjysmë të vërteta apo informata të shtrembëruara „pastrohen“ përmes kalimit në faqe të ndryshme interneti dhe gjuhë të ndryshme, deri sa të humbë nga fokusi „burimi“ i vërtetë i informacionit.

Tek lexuesi gjerman lajmi vjen si një lajm i ofruar nga mediat „ndërkombëtare“ –gjoja të besueshme. Askush nuk mund të jetë i sigurtë se nuk mund të bjerë pre e fushatave të dezinformimit. Sa për kujtesë: Lajmi ka qenë vetëm një klikim larg top-ten –pra 10 kërkimeve më të përdorura nga Google. Pra mbetet i vlefshëm ai mësimi i vjetër se informacionet dhe burimet e tyre duhen verifikuar në mënyrë kritike.