1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Manifestimi i opozitës në Prishtinë - arrestohet Albin Kurti

Kosovë: Policia arrestoi Albin Kurtin brenda selisë së Vetëvendosjes, po ashtu u arrestuan edhe dhjetra aktivistë të Vetëvendosjes, të cilët kishin tentuar ta pengonin arrestimin e zotit Kurti.

Policia e Kosovës arrestoi deputetin e kuvendit të Kosovës, ish-liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Arrestimi i tij u bë brenda selisë së kësaj partie menjëherë pas përfundimit të protestës paqësore, manifestimit të partive opozitare (28.11) kundër dy marrëveshjeve të nënshkruara nga qeveria, ajo për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe përcaktimit të vijës kufitare me Malin e Zi. Policia e arrestoi Albin Kurtin brenda selisë së Vetëvendosjes, po ashtu ajo arrestoi edhe dhjetra aktivist të Vetëvendosjes të cilët kishin tentuar ta pengonin arrestimin e zotit Kurti. Në një njoftim të lëvizjes Vetëvendosje, thuhet se “policia ka ndërhyrë me dhunë brenda selisë dhe ka arrestuar dhunshëm dhjetra aktivistë”.

"Policia ka arrestuar mbi 90 aktivistë deri më tash. Disa prej tyre janë të lënduar rëndë nga dhuna brutale policore. Dënojmë arrestimin e tyre të padrejtë dhe kërkojmë lirimin e tyre të menjëhershëm”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.

Edhe dy subjektet e tjera politike opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, ndërhyrjen e policisë brenda selisë së Vetëvendosjes dhe arrestimin e deputetit Albin Kurti, e cilësuan të papranueshëm dhe kërkuan lirimin e tij.

Albin Kurti

Albin Kurti

Policia e Kosovës nga ana e saj, nuk njofton për numrin e saktë të personave të arrestuar, por pranon se ka arrestuar dhjetra aktivist të lëvizjes Vetëvendosje.

“Policia e Kosovës është detyruar të ndërmarrë masat e nevojshme ligjore për sigurimin e lokacionit dhe ndalimit të personave të kërkuar. Një grup prej disa personave kanë qëndruar para selisë duke protestuar dhe duke penguar zyrtarët policorë në realizimin e detyrave dhe detyrimeve ligjore, ku gjatë veprimeve policore janë arrestuar disa prej tyre të cilët kanë penguar dhe sulmuar zyrtarët e policisë”.

“Njësitet relevante policore pas ndërhyrjes brenda në objekt kanë hasur në rezistencën e disa personave të dhunshëm, të cilët kanë qenë brenda në objekt dhe kanë qëlluar me mjete të ndryshme të forta drejt zyrtarëve policorë, duke përfshirë shkopinj, karrige, tavolina, mjete metali dhe sprej, ku si pasojë e saj dy policë dhe dy persona tjerë kanë pësuar lëndime”, thuhet në njoftimin e policisë së Kosovës.