1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Manifestimet entuziaste për Ahmedinexhadin një fasadë e rëndomtë

17 Qershor 2009

Bota vështron nga Teherani, sepse rezultati i luftës për pushtet mes kampit të Ahmedinexhadit dhe të opozitës së drejtuar nga Musavi vendos edhe për raportet dhe zhvillimet e ardhëshme në rajonin e Gjirit Persik.

https://p.dw.com/p/ICEi
Gra në pritje të votimit në Ghom
Shteti fetar në Iran është i interesuar që opinioni sidomos në Perëndim është i varur prej hamendësimeve mbi atë që ka ndodhur.Fotografi: AP

Shtypi i sotëm gjerman vazhdon t'u kushtojë vëmendje të posaçme zhvillimeve në Iran.

"Braunschweiger Zeitung": "Pushtetmbajtësit në Iran nuk do të mund të kishin një përgjigje më të sinqertë ndaj dyshimeve për manipulim të zgjedhjeve se sa torturimi i shtypit: Manifestimet entuziaste për Ahmedinexhadin janë një fasadë e rëndomtë, pas së cilës nuk mund të fshihet politika e censurës. E sigurtë është se gazetarët do të gjejnë rrugë për të informuar botën lidhur me çfarëdo që ndodh në Iran. Këtë e dinë edhe pushtetmbajtësit. Kjo mund t' i sinjalizojë ata për të qenë të kujdesshëm."


"Badische Zeitung": "Që opinioni - aq më shumë në Perëndim - është i varur prej hamendësimeve mbi atë që ka ndodhur, kjo është në interesin e shtetit fetar. Kjo për faktin, se e vërteta gjithmonë ka qenë armiku më i madh i regjimeve autoritare - dhe në terrin informativ fare lehtë mund të krijohen fakte nga më brutalet. Mediet - edhe ne si Badische Zeitung - kemi mundim të çajmë bllokadën informative. Falë internetit dhe telefonisë mobile shpresojmë që ta evitojmë sa më shumë terrin informativ. Ndoshta në fund mullahët do të dështojnë prej brezit të twitter-ave. Atyre u duhet uruar kjo."


"Nürnberger Nachrichten": Bota vështron nga Teherani: Rezultati i luftës për pushtet mes kampit të përgënjeshtruesit të Holokaustit Ahmedinexhad dhe të opozitës së drejtuar nga Musavi vendos edhe për gjendjen e raporteve mbi zhvillimet e ardhëshme në rajonin e Gjirit Persik. Nëse ia dalin mbanë forcat reaksionare në Iran, kërcënon më e pakta një garë shkatërrimtare armatimi. Arabia Saudite dhe Egjipti nuk do të qëndrojnë pasivë duke bërë sehir se si Republika Islamike avancon drejt një fuqie hegjemoniste në Lindjen e Mesme. Pa përmendur këtu Izraelin, që një Iran të armatosur me armë bërthamore e konsideron si një kërcënim vdekjeprurës."

Autor: Vilma Filaj-Ballvora
Redaktoi: Pandeli Pani