1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Mandat i plotë, apo i përkohshëm për presidenten Jahjaga?

Atifete Jahjaga, nuk është dakord me amandamentin e komsionit të ndryshimeve kushtetuse, që parashikon, se zgjedhja e drejtpërdrejtë e presidentit duhet të zhvillohet gjashtë muaj pas miratimit të ndryshimeve.

default

Gjykata Kushtetuese gjatë kësaj jave pritet të dalë me një interpretim, nëse shkurtimi i mandatit të presidentës Atifete Jahjaga, ashtu siç parashikohet në ndryshimet kushtetuese është i drejtë apo jo. Komisioni për ndryshimet kushtetuese e ka dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuse një amandament, ku thuhet se zgjedhjet për president duhet të mbahen gjashtë muaj pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese e që nënkupton edhe shkurtim i mandatit të presidentës Atifete Jahjaga. Mirëpo, siç duket presidentja Jahjaga është kundër këtij amandamenti. Përmes një letre ajo i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për ta interpretuar amandamentin,  nëse ai është konform të drejtave të njeriut apo jo. Presidentja Atifete Jahjaga u zgjodh presidente konsensuale pas një marrëveshjeje ndërmjet tre udhëheqësve politik: kryeministrit Hashim Thaci, liderit të opozitës Isa Mustafa dhe liderit të AKR-së, Behxhet Pacolli. Por, nënshkruese e kësaj marrëveshje nuk ishte presidentja Jahjaga. Arsim Bajrami, kryetar i komisionit për ndryshimet kushtetuese, thotë se në një situatë të tillë, është çështje e presidentes se si do të veprojë.

Atifete Jahjaga

Atifete Jahjaga, seanca plenare e zgjedhjes së presidentes nga kuvendi i Kosovës më 7 prill 2011

Presidentja Jahjaga u zgjodh për një periudhë të përkohshme

"Para se të votohet për presidenten kuvendi votoi një rezolutë, me të cilën përcaktohet se presidentja po zgjidhet për një periudhë të përkohshme për t'i dhënë mundësi ndryshimit të kushtetutës dhe shkuarjes në zgjedhje", thotë Arsim Bajrami.

Sipas tij, nëse Gjykata Kushtetuese thotë se kjo është kundër të drejtave të njeriut, atëherë automatikisht hidhet poshtë edhe rezoluta e kuvendit dhe marrëveshja politike.

Por, ligjëruesi i së drejtës Kushtetuese në Universitetin e Prishtinës, Xhavit Shala, është i bindur se Gjykata Kushtetuese do të shprehet në favor të presidentes, sepse Atifete Jahjaga, sipas tij është zgjedhur presidente për një mandat pesëvjecar.

Presidentja është zgjedhur me mandat të plotë

"Presidentja kur është votuar është zgjedhur në mandat të plotë, edhe rezoluta është miratuar për zgjedhjen e presidentes koncensuale, e cila arriti të marrë numrin e votave me dy të tretat. Kryeari i kuvendit të Kosovës deklaron se kuvendi i Kosovës e ka zgjedhur presidenten konform Kushtetues me mandat pesëvjecar", thotë Xhavit Shala.

Ndërkohë, përfaqësuesit e subjekteve politike, pjesë e marrëveshjes, Thaçi, Mustafa e Pacolli, thonë se presidentja Jahjaga duhet ta respektojë marrëveshjen politike, duke e pranuar që mandati i saj është i përkohshëm. Sipas tyre, kushtetuta është një dokument që duhet të zbatohet nga të gjithë, por duhen respektuar edhe marrëveshjet politike, të cilat për më tepër shndërrohen edhe në rezoluta në kuvendin e Kosovës. Sidoqoftë, Presidentja Jahjaga, nuk dëshiron të përfshihet në debate politike, për aq kohë sa nuk ka një interpretim rreth mandatit të saj nga Gjykata Kushtetuese, shprehet Arbër Vllahiu, zëdhënës i presidentes Atifete Jahjaga. Reforma kushtetuese dhe zgjedhja e presidentes ka qenë dhe vazhdon të cilësohet një kontest politik. Analistët politik mendojnë se në një rast të tillë, ka vetëm një rrugë. Liderët kryesorë politikë sipas tyre duhet të takohen dhe ta shqyrtojnë edhe një herë marrëveshjen për çështjen e presidentes. Sipas analistëve ata mund të marrin një vendim në përputhje me interesat e vendit dhe me rrethanat e reja të krijuara duke mos rrezikuar për një krizë të re institucionale.