1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

"Manastiri" kushtetues në Karlsruhe

Gjykata Kushtetuese gjermane jep një nga vendimet më të rëndësishme në historinë e saj. A bien ndesh me kushtetutën pakti fiskal dhe ESM? Po kjo nuk është hera e parë që gjykatësit në Karlsruhe kanë fjalën e fundit.

"Nëse e dëgjoj edhe njëherë fjalën 'Karlsruhe', do të largohem nga salla!", kështu thuhet se ka kërcënuar pak javë më parë shefja e FMN-së, Christinë Lagarde. Por gjykatön më tö lartë në Gjermani nuk mund ta shmangö askush. Kjo ka të bëjë nga njëra anë me faktin e thjeshtë se gjykatësit e Gjykatës Federale kanë një rëndësi të përcaktuar në kushtetutë. Nga ana ana tjetër vendimi për ligjshmërinë e Mekanizmit Evropian të Shpëtimit (ESM), në vendin më të madh të BE-së, është edhe vendim për drejtimin e ndjekur në shpëtimin e euros.

Kritika, që nënkuptohej edhe në fjalët e Lagarde, se gjykatësit kushtetues kanë influencë të madhe në punën e atyre, që qeverisin, është aq e vjetër sa vetë gjykata. Është i famshëm citati i ish shefit të kancelarisë Horst Ehmke, në vitin 1973. Ai thuhet se është autori i fjalisë: "Nuk do të lejojmë të shkatërrohet politika ndaj Lindjes nga kopukët e Karlsruhes". Kuptimplotë në thënien e Ehmkes nuk janë fjalët e përzgjedhura, por influenca e perceptuar qysh atëherë në politikën evropiane, e vendimeve të gjykatës.

"Diçka prej manastiri"

Gjykatësit e Karlsruhes me robën e tyre të kuqe.

Gjykatësit e Karlsruhes me robën e tyre të kuqe.

Respektimi i kushtetutës - me këtë detyrë juridike u ngrit në vitin 1951 Gjykata Kushtetuese në Karlsruhe. Ajo përbëhet nga dy senate me përkatësisht tetë gjykatës. Gjykatësit zgjidhen nga parlamenti federal (Bundestag) dhe këshilli i landeve (Bundesrat). Mandati i tyre është 12 vjet dhe shtrihet kështu në tri legjislatura normale. Pra gjykatësit nuk janë larg punës së përditshme qeverisëse vetëm në aspektin gjeografik.

Gjykata në Karlsruhe është "një nga vendet e pakëta, ku të mbrojtur nga ndikimet nga jashtë, vendimet mund të mendohen në mënyrë aq intensive, sa shihet e nevojshme". Kështu e përshkruan Andreas Voßkuhle, president i senatit të dytë, vendin e tij të punës, i cili sipas tij ka thuajse "diçka prej manastiri".

Instanca e fundit

Gjykatësit kushtetues kanë potencialisht fjalën e fundit. Ata mund të rrëzojnë ligje, të cilat janë miratuar në parlament me shumicë dy të tretash. Por ashtu si në çdo gjykatë tjerër, gjykatësit mund të veprojnë vetëm, pasi t'u ketë ardhur kërkesë përkatëse. Kështu për shembull Bundestag-u mund të kërkojë, që të shqyrtohet nga Karlsruhe, nëse një ligj i caktuar është në përputhje me kushtetutën.

Por gjykatësit veprojnë edhe si pajtues, kur për shembull landet federale dhe federata nuk bien dakord për një projektligj. Veç kësaj ata mund të kontrollojnë zgjedhjet dhe - kjo është dhe arma e tyre më e fortë - mund të ndalojnë parti të caktuara, siç ka ndodhur në 1952 dhe 1956. Edhe qytetarët mund t'i drejtohen gjykatës, siç ka ndodhur tani në rastin e marrëveshjes për ESM-në. 37.000 firma u mblodhën për ankimimin më të madh kushtetues në historinë e Republikës Federale.

Fushë loje e përplasjeve politike

Megjithatë Karlsruhe nuk është vetëm një gjykatë, po ka krahas parlamentit, këshillit të landeve, qeverisë federale dhe presidentit, edhe rangun e një organi kushtetues në Gjermani. Gjykatësit duhet të veprojnë të pavarur dhe të paanshëm. Kjo nuk nënkupton se ata mund të miratojnë ligje të vetat, pra që të mund të jenë aktivë politikisht.

I pyetur për ndikimin e tij ndaj punës qeverisëse në Berlin, Andreas Voßkuhle tha se gjykata e tij "nuk është lojtar rezervë, që pas ndërrimit kërkon t'i tregojë ekipit, se si bëhen golat. Gjykata është një arbitër i lojës politike". Kartonin e kuq e kanë marrë nga 1951 deri 2011 gjithsej 457 ligje dhe urdhëresa federale.

Disa nga vendimet e kohëve të fundit të Gjykatës Kushtetuese janë përcaktimi i shumës së mbështetjes financiare për azilkërkuesit, refuzimi i një instance të posaçme për euron në Bundestag, refuzimi i rregullave për mbajtjen në siguri të kriminelëve të rëndë, apo refuzimi i reformës në të drejtën elektorale. Sa më shumë vendime marrin gjykatësit në Karlsruhe, aq më i madh bëhet ndikimi i tyre në aktivitetin e politikanëve dhe jetën e qytetarëve. Respektivisht e madhe është bërë edhe vëmendja mediatike, që gëzon ndërkohë gjykata në Karlsruhe. Gjykata po detyrohet kështu të marrë një pozitë të fuqishme.

Reputacion të mirë në popull

Qytetarët në Gjermani e vlerësojnë shumë këtë pozicion të fuqishëm. Kjo rezultoi nga një studim i kohëve të fundit, i institutit Allensbach. Dy të tretat e popullsisë janë sipas studimit të bindur se gjykata ka influencë të madhe, ose shumë të madhe. Në vitet '90 vetëm 48 për qind e qytetarëve mendonin kështu.

Të anketuarit mendojnë se kjo influencë është pozitive. 82 për qind e të intervistuarve e vlerësojnë Gjykatën Kushtetuese si një instancë të pazëvendësueshme kontrolli. Kjo ka të bëjë edhe me krizën e euros. Një në dy të anketuar shqetësohet se procesi i integrimit evropian gërryen në mënyrë të vazhdueshme vlefshmërinë e kushtetutës gjermane. Sipas studimit qytetarët mendojnë se vendimet e gjykatës reflektojnë rendin e tyre të vlerave. Gjykata Kushtetuese nuk është e prekur nga kriza e besimit ndaj institucioneve, për të cilën flitet mjaft në Gjermani.