1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Mallkimi i euros së dobët

Politika e lirshme monetare e BQE dobëson euron dhe i jep krahë eksportit. Në të njëjtën kohë nga shtrenjtimi i importeve rritet inflacioni. Të dyja efekte të dëshiruara, por për një kohë të gjatë të rrezikshme.

Euro humbet për eksportuesit gjermanë rëndësinë si mjet pagese. Sipas të dhënave të zyrës federale të statistikave në vitin 2014 vetëm rreth 62 e bizneseve me vendet jashtë BE janë kryer me euro. Kjo përqindje është në rënie të vazhdueshme që nga viti 2010. Atëherë monedha e përbashkët evropiane përdorej për rreth 67% të transaksioneve. Gjithnjë e më shpesh në vend të saj po përdoret dollari. Vitin e kaluar më shumë se 26% e eksporteve jashtë BE janë llogaritur me monedhën amerikane, në vitin 2013 vetëm 23% e tyre.

Probleme me pranimin e euros

"Tendenca në rënie në kryerjen e transaksioneve ndërkombëtare me euro tregon se tek disa nga partnerët tanë tregtarë ka probleme të pranimit", thekson shefi i tregtisë së jashtme në Dhomën gjermane të Industrisë dhe Tregtisë (DIHK), Volker Treier, për DW. "Pasiguria për zhvillimin ekonomik në Evropë është shkaku kryesor, që pranimi i euros si monedhë tregtie bie."

Fundja euro mund të jetë vazhdimisht e fortë, nëse ka pas vetes një zonë të fortë ekonomike. Dhe këtu Evropa është akoma në udhëkryq, "sepse peshat e rënda si Franca dhe Italia nuk ka arritur t'i realizojnë akoma reformat e vërteta strukturore", thotë Treier. Banka Qendrore Evropiane (BQE) reagon me një politikë gjithnjë e më ekspansive monetare, ndërsa Banka Qendrore në SHBA do të dalë ngadalë nga normat e ulëta të interesit. "E gjitha kjo e bën momentalisht dollarin amerikan më tërheqës se euron. Kësaj i shtohet edhe teatri me Greqinë."

Nevoja për sigurimin e kursit të këmbimit rritet

Gregor Wolf nga shoqata gjermane e Tregtisë me Jashtë BGA thekson aspekte të tjera negative të parasë së lirë për eksportuesit: "Rritet nevoja për instrumente për sigurimin e kursit të këmbimit. Për shkak të shvlerësimit të madh të euros kohët e fundit disa sipërmarrje të vogla këtu kanë pësuar humbje të konsiderueshme." Në të njëjtën kohë rritet vetëbesimi i vendeve në zhvillim. Si pasojë kontratat me bazë euron mund të realizohen me vështirësi me këtë klientelë, thotë eksperti i financave. Zhvillimi tregon se "ne kemi një rritje të dukshme të eksporteve në zonën e dollarit", shpjegon Wolf. "Rigjenerimi shumë më i shpejtë i tregut amerikan për mungesë të impulseve nga shtetet e BRIC-ut ka natyrisht si rrjedhojë, që relativisht më shumë transaksione bëhen në bazë të dollarit amerikan."

Konjuktura dhe eksportet rigjallërohen vetëm përkohësisht

Edhe Volker Treier nga DIHK nuk do që të kuptohet si pesimist notorik. "Për ta thënë qartë: ekonomia gjermane ka dobi të madhe nga unioni monetar evropian. Madje përr momentin kursi i dobët i euros është një mbështejte shtesë për eksportet dhe konjunkturën tonë."

Volker Treier

Volker Treier, shef i tregtisë së jashtme në Dhomën gjermane të Industrisë dhe Tregtisë (DIHK)

Por në të njëjtën kohë Treier i paralajmëron eksportuesit, që të mos rrinë e të prehen tek rritja e aftësisë konkurruese, që është kushtëzuar nga dobësimi aktual i euros. "Sepse në këtë mënyrë asnjë produkt nuk është bërë më i mirë dhe asnjë proces në sipërmarrje më eficient. Përveç kësaj luhatjet e mëdha në kurset e këmbimit u vështirësojnë sipërmarrjeve planifikimin dhe rrisin shpenzimet mbrojtëse."

Perceptimi i këmbimit të kursit si rrezik rritet në anketat e DIHK. Për këtë arsye është një avantazh, kur shitjet mund të llogariten në monedhën tënde, thotë Treier. "Nëse ne kryejmë gjithnjë e më shumë transaksione në dollarë amerikanë, atëherë pasojat e luhatjeve të kursit të këmbimit reflektohen gjithnjë e më direkt në rezultatet e eksportuesve tanë."

"Euro ishte në rrugë të mbarë për t'u stabilizuar si monedhë zëvendësuese e dollarit", thotë eksperti i BGA-së Wolf duke patur parasysh kohën para krizës ekonomike evropiane. "Por kush tregon pak vendosmëri që të bëjë të domosdoshmen për të dalë nga kriza, si europianët, nuk duhet të çuditet se humbet besimin dhe pranohet më pak." Çmimi për këtë janë rritja e shpenzimeve për transaktionet dhe një efekt i madh ngarkues në anën e importuesve, si për konsumatorët, ashtu edhe për bizneset.